E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kap drogën, i ikin nga duart trafikantët



Policia shqiptare sekuestron drogë, por i shpëtojnë nga duart trafikantët. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dy raste të kapjes së lëndëve narkotike, ku në të dyja rastet trafikantët kanë arritur të shpëtojnë duke “përfituar” nga errësira. Burimet zyrtare bënë të ditur se gjatë mbrëmjes së diel kanë sekuestruar 130 kilogramë marijuanë në Lazarat dhe rreth 17.5 kilogramë Cannabis sativa në Hanin e Hotit, në rrethin e Shkodrës. Të dyja këto vepra penale janë raportuar pa autorë.

Marijuana
Mbrëmjen e së dielës Policia e Gjirokastrës identifikoi një mjet që po lëvizte natën në drejtim të Lazaratit dhe pasi janë vënë në ndjekje, është bërë e mundur vetëm të bllokohet lënda narkotike dhe mjeti, i cili, sipas burimeve zyrtare, rezultoi të ishte me targa false. Sipas zëdhënësit të Policisë së qarkut Gjirokastër, në orën 01:00 të mëngjesit të djeshëm specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një automjet tip “BMW” po lëvizte nga fshati Lazarat në drejtim të Gjirokastrës, menjëherë kanë zhvilluar një operacion me qëllim kapjen e këtij automjeti. Sipas tij, në vendin e quajtur Kordhocë, në dalje të fshatit Lazarat, forcat e policisë kanë bërë bllokimin e rrugës në afërsi të zonës, por drejtuesi i automjetit, porsa ka parë se rruga ishte e bllokuar nga policia, është kthyer me shpejtësi për në drejtim të fshatit Lazarat. “Ato janë vënë në ndjekje të këtij automjeti, ku në hyrje të fshatit Lazarat, automjeti tip BMW, me targa false GJ 68 38 A, i cili ishte i ngarkuar me lëndë narkotike, është përplasur me murin rrethues të një banese dhe drejtuesi i automjetit ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet në mes banesave të këtij fshati”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Nga këqyrja e mjetit, në ndenjësen e pasme kishte lëndë narkotike, të paketuar në qese me peshë të ndryshme, gjithsej rreth 130 kilogramë”. Policia raporton se ka identifikuar autorin, pa dhënë detaje të tjera për çështje hetimore.

Cannabis
Të njëjtin fat ka pasur edhe një trafikant lëndësh narkotike në Shkodër. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:40, “në vendin e quajtur Hani i Hotit, policia sekuestroi një sasi prej 17.55 kg Cannabis sativa. Droga u kap pikërisht në afërsi të shinave hekurudhore. “Gjatë operacionit, policia identifikoi disa persona, të cilët, sapo panë efektivat e rendit, u larguan në errësirë”, - thotë zëdhënësja. “Nga ana jonë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre penale”, - shprehen burimet zyrtare.
Gjatë muajit të fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e trafikimit të lëndëve narkotike në vendet fqinje. Të premten në mbrëmje policia bllokoi në Sarandë rreth 1 ton hashash dhe pas disa orësh prangosi transportuesin. Ndërsa në Igumenicë të Greqisë, mbrëmjen e së dielës u prangosën tre shqiptarë, ku dy prej tyre ishin nga Saranda, pasi kishin arritur të fusnin në territorin e vendit fqinj rreth 130 kilogramë Cannabis.

Masakron vëllanë për degët e pemës

POGRADEC – Një tjetër ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Pogradec, ku një person ka masakruar të vëllanë për shkak se i ka këputur disa degë të pemëve në pronësi të tokës së tij. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Korçë bëjnë të ditur se të dielën kanë prangosur shtetasin Selami Hajro. Sipas tyre, 52-vjeçari Hajro, lindur dhe banues në fshatin Laktesh të rrethit të Pogradecit, ka qëlluar me një kizë vëllanë e tij, shtetasin Q. H., 60 vjeç, banor në të njëjtin fshat. Konflikti mes pjesëtarëve të së njëjtës familje ndodhi ditën e diel, kur 60-vjeçari preu disa degë të një peme të dëmtuar në pronën e vëllait të tij. Kaq ka mjaftuar që të ndizen gjakrat dhe Selami të marrë një mjet të mprehtë dhe të qëllojë të vëllanë. Burimet policore bëjnë të ditur se ai ka marrë plagë të rënda në kokë dhe ndodhet i shtruar në Spitalin e qytetit të Pogradecit. Sipas tyre, ai është jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, policia nisi verifikimet e para dhe dy ditë më parë prangosi shtetasin Selami Hajro, ndaj të cilit pritet të rëndojë vepra penale “plagosjes”. Çështjet e pronësisë po prodhojnë në mënyrë të vazhdueshme konflikte brenda në familje, ku në shumicën e rasteve kanë përfunduar me viktima.

24 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›