E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: “Kriza greke rrezik për ekonominë dhe financat shqiptare”



Ervin KOÇI

“Kriza greke po i shtrin pasoja e saj edhe në ekonominë shqiptare. Nuk jemi të imunizuar!”. Ky ka qenë deklarimi i kreut të Financave shqiptare, Ridvan Bode, dje gjatë një takimi mbi sistemin bankar në Europën Juglindore. Në kohën kur Greqia është në krizë të thellë me financat publike dhe 25 për qind e tregut bankar në vendin tonë përbëhet me kapital grek, Ministri i Financave Ridvan Bode bëri apel për një mbikëqyrje më të rreptë bankare. “Edhe pse sistemi ynë bankar ishte likuid edhe pse mbikëqyrja ishte eficiente, nuk mund të themi se një vijim i problemeve të sistemit financiar të bankave të rajonit, të bankave që kanë bijat e tyre në Shqipëri do të mund të kursejë një vend sado të izoluar apo sado avantazhe që mund të ketë në një fazë fillestare. Sistemi financiar edhe në rajonin tonë edhe më gjerë nuk është një sistem i izoluar që operon me tregje dhe rregulla të ndara aq më tepër që në Shqipëria pjesa dërrmuese e bankave zotërohen nga investitorë të huaj",- u shpreh Bode. Ai i kërkoi Bankës së Shqipërisë që të rrisë kontrollin mbi sistemin bankar në vend. Gjatë konferencës, ministri u ndal edhe në përkeqësimin e bilanceve që disa prej bankave kanë pësuar.

Sistemi bankar
Sipas Ministrit të Financave, Ridva Bode, jo të gjitha portofolet e kredive janë të shëndetshme. “Disa prej tyre janë përkeqësuar, pasi një sërë biznesesh kanë hasur vështirësi në aktivitetin e tyre ekonomik. Por është e rëndësishme, - tha Bode - që të përcaktohet qartë se çfarë kredish nuk mund të kthehen më dhe sa prej tyre duhen ristrukturuar për tu zgjatur në kohë, me qëllim për ti dhënë më shumë hapësirë biznesit”.
Por kreu i Financave theksoi dhe faktin se, ekonomia shqiptare ka nevojë për kreditim nga sistemi bankar. Bode tha se, “duhet një borxh më i ulët publik dhe për këtë qeveria nga viti 2010 ka ndjekur vazhdimisht një politikë më të kujdesshme makroekonomike”. Sipas tij, qeveria po bisedon këto kohë dhe me FMN-në rreth politikave fiskale. “Është koha për të nxjerrë mësimet nga kriza më e thellë ekonomike që ka njohur bota në 50 vitet e fundit, krizë e cila në fakt mbërriti nga sistemi monetar dhe u përhap në ekonominë reale të vendit. Ekonomia shqiptare ka nevojë për kreditim dhe kreditimi duhet të bëhet mbi rregulla të shëndetshme, pasi ka pjesë të kredive që nuk janë të shëndetshme. Ndaj theksoj se kreditë duhet të analizohen mirë”- tha Bode. Sipas tij, mbikëqyrja e mirë e bankave, ka qenë në fakt edhe çelësi i suksesit që ekonomia shqiptare të mos përjetojë të njëjtin fat si ekonomitë e tjera.

Guvernatori
Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nismëtare e seminarit, garantoi se "politika monetare e BSH-së synon ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit". BSH-ja i është drejtuar bankave të nivelit të dytë, duke i kërkuar një transparencë më të madhe si në bilancet e tyre edhe në marrëdhëniet me klientin. “Përgjegjshmëria e bankave ndaj klientëve duhet të shtohet edhe më shumë, në mënyrë që ata të mos gabojnë me respektimin e rregullave të caktuara prej tyre”- u shpreh guvernatori Fullani. Duke prekur konkretisht raportet klient-bankë dhe reflektimin e tyre në ekonomi, ai tha se, “duhet treguar transparencë e plotë për tregun e kredive dhe klientëve t’u thuhet se interesat mund të ndryshojnë, por nuk mund të falen, në mënyrë që të mos ndodhë ajo që ndodhi në SHBA me tregun e kredive”. Më tej, shtoi se pikërisht, “ngjarjet e viteve të fundit i kanë shtyrë shumë njerëz të diskutojnë vërtetësinë e teorive bankare, për të qenë sa më racionalë”. Më tej, ai vuri në dukje se, “analfabetizmi financiar përbën pengesë për tregjet tona, pasi ata nuk janë në gjendje të interpretojnë informacionet që mbërrijnë nga institucionet”. Për guvernatorin Fullani, e rëndësishme është që të krijohet një strategji e qartë komunikimi që edhe institucionet e mikro-kredive të jenë sa më të transparente me klientët.

Ekspertët: Fitimet e bankave të mos dalin jashtë vendit

Pyetjes nëse duhet që fitimet e bankave shqiptare të transferohen në degët e bankave të huaja, në kushtet kur Greqia është në krizë, ekspertët e ekonomisë i përgjigjen në mënyra të ndryshme. Banka e Shqipërisë, prej një viti kishte vendosur që fitimet e bankave të mos dilnin jashtë vendit, për shkak të efekteve negative që dha kriza globale. Po ky vendim u shfuqizua pasi, sipas BSH-së “është kthyer besimi në sistemin tonë financiar”. Por ka edhe nga ata ekspertë të cilët vlerësojnë se lejimi i transferimit të kapitalit është marrë në presionin e krizës që po kalon Greqia. Për ekspertin Zef Preçi, vendimi i BSH-së mund të ishte zgjatur në kohë deri në kapërcimin e krizës së vendit fqinj. Fundi i vitit 2008 dhe fillimi i 2009 u shoqërua me një tërheqje masive të depozitave nga sistemi bankar. Ky fakt detyroi Bankën të ndërmerrte vendimin që fitimet të mos transferoheshin jashtë vendit. Edhe pse një mase e tillë binte ndesh me parimet e një ekonomie të lirë ajo u mor për të mbrojtur sistemin bankar.

Gazsjellësi “Nabuko” varet nga pakti Turqi-Armeni

Ftohja dikurshme e Ankarasë zyrtare me Armeninë si edhe një rinisje e mundshme e raporteve të tyre, ka nisur të shihet me sy pozitiv nga shtetet e Lindjes së Mesme jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në lidhje me realizimin e projektit të gazsjellësit “Nabuko”. Bisedimet mes Turqisë dhe Azerbajxhanit lidhur me gazsjellësin “Nabuko” kanë ngecur, si pasojë e përpjekjeve të Ankarasë për të përmirësuar raportet me Armeninë. Azerbajxhani dhe Armenia në fakt, kanë konflikte territoriale lidhur me rajonin e Nagorni Karabakut. Gazsjellësi “Nabuko” është projekt i Bashkimit Evropian që synon të zvogëlojë varësinë energjetike nga gazi rus, ndërsa synon transportin e gazit të vendeve të Azisë Qendrore duke mos kaluar përmes Rusisë.

24 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›