E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në stadiumin e Kavajës, nis hetimi ndaj 7 personave

TIRANE-Të paktën 7 persona, 3 nga të cilët të arrestuar, do të hetohen nga organet e rendit për skenat e dhunshme të ndodhura një ditë më parë në stadiumin e Kavajës, gjatë ndeshjes së futbollit midis skuadrës së Besës dhe Skënderbeut.

Burime zyrtare nga Policia e Qarkut bënë të ditur sot se forcat e Policisë së Kavajë bënë të mundur mbrëmë arrestimin në kushtet e flagrancës të shtetasve Agim Musaku, 30 vjeç, banues në Korçë, Nazmi Lecini, 52 vjeç dhe Gëzim Muharremi, 44 vjeç, banues në Kavajë, ndërkohë që filloi proçedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj shtetasve Erjon Ajdini, 27 vjeç, Skerdi Bizhdili, 28 vjeç, Aurel Myftiu, 27 vjeç dhe Naim Haxhiu, 42 vjeç, banues në Kavajë, për konsumim të veprave penale të “fyerjes për shkak të detyrës”, “kundërshtimit të punonjësve të policisë”, “prishje të rendit dhe të qetësisë publike”, etj.
Shtetasit e lartepermendur, sipas policisë, dyshohet se gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Besa- Skëndërbeu, e zhvilluar në qytetin e Kavajës, kanë fyer gjyqtarët e ndeshjes, duke hedhur më pas sende të forta në fushë. Gjithashtu, ata nuk i janë bindur urdhërave të punonjësve të Policisë për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme, duke u bërë shkak për ndërprerjen e ndjeshjes në stadium.

Të njëjtat burime konfirmuan se shërbimet e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, po punojnë për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të paligjshme. çështja në fjalë i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Kavajës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›