E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Gjashta, Këndezi arrestohet pas 14 vitesh në Greqi

Athinë 14 vite pas masakrës së Qafë Gjashtës, ku mbeti i vrarë polici Gjergji Mehmeti dhe u mbajt peng për disa ditë Eduart Aliaj, është arritur të arrestohet njëri prej protagonistëve të kësaj ngjarjeje. Mikel (Flamur) Këndezi, 49 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Sarandë, është arrestuar dy ditë më parë në Athinë, pas urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Tirana. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr.8, datë 20.01.2008, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg“, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, e kryer në bashkëpunim”. Këndezi akuzohet se më datë 4 mars 1997, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë“, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen e efektivit të policisë së komisariatit të Sarandës, Gjergj Mehmeti. Ndërkohë një tjetër efektiv i policisë është mbajtur peng dhe është torturuar për disa ditë nga këta persona. Vetëm pak javë më parë, po kjo Gjykatë mori vendimin për ta dënuar atë në mungesë me 15 vjet burg për ngjarjen e ndodhur në “Qafë Gjashtë”. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin të datës 23.05.2005, e ka dënuar Mikel Këndezin me 11 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “rrëmbimit të personit”. “Këndezi në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 21.05.1997, kanë rrëmbyer dhe mbajtur marrë peng për 18 ditë, dy shtetas grekë, duke kërkuar në këmbim të lirimit të tyre një shumë të konsiderueshme parash” – mbyllet njoftimi i Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›