Dhunë, sherr, vrasje e tension: Si po shkojmë drejt 100 vjetorit shtet
Sot në mëngjes u mësua se një person kishte vrarë të vëllanë, por e kishte deklaruar si vetëvrasje. Shaban Zhuri ka vrarë të vëllanë Gentian Zhuri, 24 vjeç, në Fier. Po ashtu sot në mëngjes u shua një i ri vetëm pse kishte gërvishtur makinën e dikujt. Sot u mësua edhe se një gardist paska qëlluar me grushta nëndrejtorin e policisë në ambientet e kryeministrisë. Dje një person u ekzekutua në Shkodër. Një 23 vjeçar në Korçë ka terrorizuar me armë personat në një kazino, ku hyri për të vjedhë para dhe nuk gjeti asgjë…
E kështu gdhihemi dhe ngrysemi me lajme të tilla që të prishin gjakun. E dimë që ka shumë njerëz që mendojnë se krime ndodhin kudo, por kjo nuk është llogaria. Policia nuk merr guximin të tregojë statistikat, e le më ti krahasojë ato me vendet e rajonit apo të Europës.
Por nga buron tensioni kaq i lartë që përkthehet në krime?
Një nga psikiatrit e shkollës së vjetër tha para pak ditësh se në Shqipëri 25 përqind vuajnë nga sëmundje mendore. E meqë ai është një i shkollës së vjetër, ndoshta nuk llogarit kushedi sa simptoma të sëmundjeve moderne mendore, që bëjnë që shumë më tepër shqiptarë të kenë një shqetësim. Ndoshta në thelb të kësaj është pamundësia për të garantuar burimet e të ardhurave. Dmth pamundësia për të garantuar në radhë të parë një vend pune, një karrierë. Roberto Saviano deklaronte para pak kohësh se në themel të një shteti mafioz është mosgarantimi i punës. Nuk ka shtet në Europë që e ilustron më mirë këtë thënien e tij se Shqipëria.
Së dyti, Shqipëria vuan nga disa njolla të zeza në zbatimin e ligjit, aq të rënda sa do e bënin atë të dukej një vend mesjetar në krahasim me Europën ku integrohemi. Për shembull, është e pabesueshme se në Shqipëri ka një territor jashtë kontrollit të shtetit si Lazarati. Miliona harxhohen tani nga policia në aksione për të kapur drogën që mund ta kishin neutralizuar që në burim. Po ashtu, nuk mund të konceptohet që në vend ka rrethe të tëra që nuk paguajnë fatura, sidomos të dritave dhe të ujit si në Verilindje. Nga ana tjetër, fenomeni i gjakmarrjes, që po izolon dhjetëra familje në qarkun e Shkodrës, është krejt i paimagjinueshëm në një vend në shekullin XXI. Kësaj mund ti shtojmë faktin se aksi ku abuzohet më shumë me territorin dhe hapësirën është ai Kamëz-Fushë Krujë- Lezhë.
Është e patolerueshme që të shkojmë drejt 100 vjetorit me këto njolla kaq të errëta, që i shtohen plagëve të tjera.