Dhunimi i Isait, kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Kolonjën: U informova që po bënte fushatë, u konfliktua me disa djem, unë e mbrojta

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kolonjës, Ethem Lumani, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar mesnatën e së shtunës, ku kandidati socialit, njëherazi edhe kryebashkiaku aktual, Erion Isai u dhunua.
Në një deklaratë për mediat, Lumani tha se ai ka patur informacione që Isai po bënte fushatë elektorale në fshatin Qafëzezë, por mohon që ai të jetë dhunuar. Kandidati i “Bashkë Fitojmë” akuzoi Isain se e ka ofenduar dhe se madje bodigardët e tij ka tentuar ta godasë edhe pse ishin në praninë e shefit të komisariatit.
“Më ka ardhur një informacion që kryetari aktual i bashkisë dhe rivali im po bën fushatë elektorale në fshatin Qafëzezë. Kam marrë në telefon shefin e komisariatit dhe i kam thënë që rivali im po bën fushatë në ditën e heshtjes zgjedhore, ju lutem shumë mos të kemi konflikte shkoni dhe zgjidhni problemin. Kam marrë makinën dhe kam ikur në drejtim të Qafëzezit, ai kishte ikur nga aty dhe ishte ndaluar nga disa djem në fshatin Qinam dhe po konfliktoheshin. Ai po i provokonte, shkova dhe i përzura ata djemtë, mbrojta kryetarin, ai më ofendoi në mënyrë më brutale. Këto ja thash shefit të komisariatit dhe në sy të shefit të komisariatit, njëri nga bodigardët ka ardhur të më godasë dhe i kam thënë kur do më mbroni mua siç mbroni këta të tjerët? Më mbajtën në komisariat 5-6 orë, ndërsa atë nuk e pyetën për asgjë”, tha ai.
Nga ana tjetër Isai ka deklaruar se i kanë zënë pritë në rrugë disa persona dhe se e ka goditur anëtari i KZAZ për koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Në lidhje me akuzat se po tentonte të bënte fushatë, Isai tha se ai ka qenë thjeshtë duke konsumuar kafe në një lokal. Për ngjarjen është vënë në pranga edhe personi që dyshohet se ka goditur Isain, 33-vjeçari Esmerald Kacolli.
/rtsh.al/