E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunimi i varrezave te fshatit Boboshtice Gjykata e Apelit te Korces nis rigjykimin

Çështja e dhunimit të varrezave të fshatit Boboshticë është kthyer për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Korçës, pas vendimit të disa muajve më parë të Gjykatës së Lartë e cila prishi vendimin e Apelit, duke kërkuar gjykimin me një treshe tjetër gjyqtarësh.  I akuzuari kryesor i kësaj çështje, kreu i organizatës “Omonia” Naum Disho, nuk ka qenë i pranishëm ne seancën e parë, por është përfaqësuar nga avokatja mbrojtëse, ndërsa ishin të pranishëm dy punëtorët Alqi Koroveshi dhe Pëllumb Zaçe, mbi të cilët gjithashtu, rëndon akuza e dhunimit të varreve. Relatori i çështjes Anesti Kasuli ka paraqitur arsyet e prishjes së vendimit nga Gjykata e Lartë, e cila ka konstatuar se hetimi i akuzave nuk ka qenë i plotë, deklarimet e dëshmitarëve gjithashtu nuk kanë qenë të tilla, që të provonin akuzën e dhunimit  të varreve ndaj tre të pandehurve dhe për më tepër nuk është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se sipërfaqja mbi të cilën është ngritur platformë e betonit  ka qenë varrezë funksionale dhe të pandehurit kanë pasur si qëllim dhunimin e saj. Prokurorja e Apelit Roza Qirjazi ka kërkuar, caktimin e një eksperti urbanist, i cili do të përcaktojë, nëse ndërtimi i platformës prej betoni dhe shkallëve të memorialit të ushtarëve grekë, quhet ndërtim, në kuptim të ligjit të urbanistikës si dhe të përcaktohet nëse kjo sipërfaqe ,quhet ose jo varrezë. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar dy ekspertë të fushës, të cilët do të përcaktojnë llojin e tokës mbi të cilën u krye ndërtimi dhe nëse kjo sipërfaqe figuron në ZRPP e Korçës, në pronësi të kishës dhe nëse është regjistruar si varrezë. Kreu i Omonias Naum Disho u dënua nga Apeli me 1 vit burg për dhuminin e varreve të Boboshticës, ndërsa për dy punëtorët Zaçe dhe Koroveshi, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit ,gjithashtu me 1 vit burg. Pas vendimit Disho ju fsheh drejtësisë për disa muaj ,duke e bërë të pamundur  ekzekutimin e  vendimit të dënimit me burgim, derisa Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit, duke e lënë të lirë Dishon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›