Dhunohen varret e rilindësve
GJIROKASTER – Nuk kanë kaluar tre muaj qëkur Bashkia e Gjirokastrës investoi për rigjenerimin e varreve të rilindësve dhe dje, persona të paidentifikuar kanë dhunuar njërin prej tyre. Varri i mësuesit patriot gjirokastrit Koto Hoxhi është dëmtuar rëndë nga persona ende të paidentifikuar. Pllaka e mermertë ngjyrë kafe e varrit të rilindësit është grabitur ndërkohë që katër pllakatet e tjera nuk janë ngacmuar fare. Odise Kote, shef i kabinetit të kryebashkiakut gjirokastrit, për gazetën Panorama shprehet se kjo është një vepër e ulët dhe fyese. Duke përfituar nga kjo ngjarje, Kote i ka bërë thirrje komunitetit dhe veçanërisht institucionit të drejtësisë ti ruajnë këto vlera. Ndërkaq, drejtori i Qendrës Kulturore në Bashkinë e Gjirokastrës, Thimio Fili, u shpreh i indinjuar nga një veprim i tillë, që e cilëson si një turp që u bëhet këtyre patriotëve. Kohë më parë, një dëmtim të tillë pësoi edhe pllaka e mermertë e patriotit Bajo Topulli. Bashkia e Gjirokastrës, me një fond prej 1.2 milionë lekësh, pak javë më parë rehabilitoi Kodrën e Rilindësve, ku prehen eshtrat e rilindësve Bajo dhe Çerçiz Topulli, Koto Hoxhi, Andon Zako Çajupi dhe Pandeli Sotiri. p.n