E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lordi anglez, negociata me Berishën e Ramën

BERISHA E RAMA (MAJTS) LORDI ANGLEZ MICHAEL BATES

Lordi anglez, Michael Bates, anëtar i Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar, pritet të bëjë një përpjekje pajtimi të krerëve politikë në Tiranë.Lordi është nisur nga Olimpi i lashtë e Greqisë, nga ku kanë nisur lojërat e para olimpike dhe po përshkon në këmbë të gjithë rrugën deri në Londër. Kjo është një iniciativë e lordit Bates për të promovuar lojërat e lashta olimpike, të cilat gjatë zhvillimit të tyre shënonin dhe kohën e paqes botërore, pasi ndërpriteshin të gjitha luftërat dhe konfliktet e armatosura. Në tetor 2011, të 193 shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të mblidhen në Nju Jork për të nënshkruar një rezolutë duke deklaruar angazhimin e tyre për të vëzhguar të “ndjekin iniciativat për paqe dhe pajtim në frymën e lojërave të lashta olimpike”. Dje, Lordi Michael Bates mbërriti në këmbë në Fier, pasi ka ecur mbi 60 ditë në këmbë dhe pritet të mbërrijë në Tiranë ditën e diel. Ai do të ketë takime me krerët politikë të Tiranës, por në zbatim të iniciativës së tij të pajtimit dhe të paqes, do të kërkojë prej tyre një ecje simbolike në rrugët e Tiranës në shenjë mirëkuptimi dhe pajtimi. Mësohet se stafi i Lordit Bates ka njohur krerët e të gjithë krahëve politikë për këtë iniciativë të tij. Iniciativa e Lordit për të përshkuar një distancë në këmbë me krerët e politikës shqiptare është pritur me interes nga shumica e drejtuesve të forcave politike. Ende nuk ka një konfirmim sipas burimeve të Lordit Michael Bates nga kreu i opozitës Rama për këtë veprim. Ndoshta dhe axhenda e kryesocialistit është e ngjeshur ditët e fundit për shkak të turit që ai ka nisur në qytete kryesore të vendit me të zgjedhurit vendorë të PS-së. “Përveç promovimit të të gjithë idesë së Armëpushimit të Shenjtë, që Lordi Michael Bates po promovon me ecjen e tij prej 3000 miljesh nga Olimpi deri në Londër, ne po pyesim nëse prania e Lordit Michael Bates në Shqipëri mund të përdoret për të sjellë paqe mes z. Rama dhe palëve të tjera në politikën shqiptare?”, thuhet në njoftimin që stafi i Lordit Michael Bates u ka shpërndarë partive politike shqiptare. Sipas tyre, ky veprim do të ndihmonte në riparimin e shumë çarjeve që ekzistojnë në politikën shqiptare. Disa nga krerët e partive politike të maxhorancës kanë marrë njoftimin dhe kanë përkrahur idenë e Lordit anglez. Pritet vetëm konfirmimi i kreut opozitar, Edi Rama. Por, situata politike në Tiranë, pas zhvillimeve të fundit në KQZ dhe nxjerrjes fitues të kandidatit demokrat Lulzim Basha, pritet të ashpërsojë qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj maxhorancës dhe institucioneve si Parlamenti shqiptar. Kjo iniciativë e Lordit Michael Bates vjen në momentin më të keq politik për Shqipërinë, kur kriza politike që po mban peng vendin ka ardhur duke u agravuar që prej 2009-s e kur faktori ndërkombëtar po kërkon në mënyrë të përsëritur që palët të ulen urgjentisht në dialog për të ndërmarrë reformat e nevojshme që i nevojiten vendit për integrimin e tij në BE.

Lordi Michael Bates

“Në tetor 2011, të 193 shtetet anëtare të Asamblesë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të mblidhen në Nju Jork, për të nënshkruar një rezolutë duke deklaruar angazhimin e tyre për të vëzhguar ‘ndjekjen e iniciativave për paqe dhe pajtim në frymën e Lojërave të Lashta’, të cilat në të kaluarën janë nënshkruar, por askush nuk i ka zbatuar ndonjëherë. Unë kam vendosur për të ecur mbi 3000 kilometra dhe shpresoj se do të mund t’i bind të gjithë nënshkruesit e armëpushimit për të bërë vetëm një gjë për ta zbatuar atë”, thuhet në dedikimin e Lordit për këtë iniciativë.

Sali Berisha
Kreu i maxhorancës, kryeministri Berisha, mësohet se e ka mirëpritur idenë e Lordit Michael Bates për t’u takuar dhe për të përshkuar simbolikisht një rrugë në Tiranë nën shoqërinë e krerëve të tjerë politikë të partive kryesore në vend. Këto ditë, kryeministri Berisha ndodhet në një takim të Partive Popullore Europiane që zhvillohet në Bruksel. Gjatë qëndrimit të tij, Berisha është takuar me personalitete të rëndësishme europiane.

Edi Rama
Kreu socialist, Edi Rama, i cili mësohet se ka marrë ftesën e Lordit britanik, ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në një rrugëtim në qendër të Tiranës. Shkak për këtë është situata politike dhe akuzat e tij për manipulim të rezultatit të Tiranës nga kryeministri Berisha dhe kreu i KQZ-së, Ristani. Këto ditë Rama ka nisur dhe një tur takimesh me të zgjedhurit vendorë
në qytete kryesore të vendit lidhur me
zgjedhjet e 8 majit.

Aristir Lumezi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›