E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunohet punonjësi i policisë ndërtimore

13/12/2008  Prishja e ndërtimeve pa leje

Prishja e ndërtimeve pa leje në zonën në afërsi të tregut elektrik në kryeqytet është shoqëruar dhe me incidente dhune, ku banorët kanë goditur me sende të forta punonjësin e policisë që po zbatonte vendimin e prishjes së ndërtesës ilegale. 50-vjeçari Bardhyl Gjata, punonjës i ndërtimores së kryeqytetit (fadromist) është qëlluar me mjete të forta në kokë e pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë të rënda. Menjëherë ai është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Burimet zyrtare të policisë citojnë se “nga puna hetimore e kryer u arrit të identifikohet autorësia e kësaj ngjarje, ku rezultoi se autor i dyshuar është 27-vjeçari Dritan Besim Mija, banues në Tiranë. Paraprakisht u konkludua se i dëmtuari Bardhyl Gjata ka qenë duke prishur me fadromë objektin pa leje që është pronë e shtetasit Dritan Mija. Më pas ky i fundit e ka goditur me mjete të forta (kazmë e Lopatë) në pjesë të ndryshme të trupit. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë.

Reagimi i Bashkisë

Goditja me mjete të forta e fadromistit të policisë ndërtimore të kryeqytetit ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Bashkisë së Tiranës. Pas incidentit të ndodhur, përfaqësuesit e këtij institucioni kanë pohuar se situata ka ardhur si shkak i paaftësisë së strukturave të policisë për ta ndaluar kryerjen e këtij veprimi. Bashkia ka bërë përgjegjëse organet e policisë për ngjarjen e ndodhur. Aktualisht i plagosuri ndodhet në spital, ku nga mjekët është pohuar se falë ndërhyrjes së shpejtë që i është dhënë pacienti ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po ndiqet në mënyrë të specializuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›