Mot i keq në Durres, normale situata ne Port
DURRËS- Moti i keq vazhdon sot në gjirin e Durrësit dhe në rrethinat e tij. Ndërkohë në port situata paraqitet më e normalizuar krahasuar me një ditë më parë.
Reshjet e shiut që u dendësuan sot paradite, kanë ndikuar në bllokimin e përkohshëm të disa prej kryqëzimeve kryesore të Durresit, ndërsa temperaturat kanë pësuar një ulje prej 2-3 gradësh krahasuar me ditën e premte.
Burime zyrtare nga kapiteneria e portit bënë të ditur se pavarësisht nga deti i trazuar me forcë 7-8, në radën e jashtme kanë mbërritur sot tre tragete që ishin nisur mbrëmë nga porti i Barit, si dhe trageti “Riviera del Connero”, nga Ankona, i cili ka pasur një vonesë afro 12-orëshe për shkak të motit të keq në brigjet e Italisë.
Burimet bënë të ditur se tragetet “Aurelia” dhe “Riviera del Connero” janë ankoruar tashmë në sheshin përkatës, ndërsa rimorkiatorët dhe anijet e pilotazhit po drejtojnë manovrat për ankorimin e trageteve “Grecia” dhe “Ionis”. Në kalatat e portit është ndërprerë përpunimi i anijeve tregtare për shkak të reshjeve që e bëjnë të pamundur shkarkimin e mallrave nga hambarët. Gjatë dy javëve të fundit përpunimi i anijeve tregtare është bllokuar disa herë, edhe për shkak të reshjeve, edhe për shkak të erës së fortë me shpejtësi 10-12 metra në sekondë.
Deti i trazuar ka bllokuar daljen në det të dhjetra motopeshkatoreve dhe katamaranit të linjës Durrës-Bari dhe kthim.
Reshjet e sotme që vazhdojnë prej disa orësh, kanë rritur nivelin e ujrave në zonën pranë stacionit hekurudhor, në rrugën “Taulantia”, si dhe në rrugët periferike të Shkozetit, Plazhit dhe ish-kënetës. Sot paradite në rrugët e qytetit bregdetar ka patur shumë pak lëvizje, pasi shkollat dhe institucionet kryesore kanë ditë pushimi.
Thuajse i gjithë qyteti furnizohet normalisht me energji elektrike, ndërsa stacioni i pompave në Porto Romano, 7 kilometra në veri të qendrës së Durrësit, punon me kapacitet të plotë për thithjen e ujrave nga kolektorët dhe shkarkimin e tyre në det.
Burimet nga kapiteneria bënë të ditur se aktualisht era fryn nga jugu dhe jugperëndimi dhe se situata do të mbetet e tillë gjatë gjithë ditës së shtunë.
(d.b/ATA/BalkanWeb)