Dhunoi 17-vjeçarin, burg pa afat policit
Sarandë- Ish agjenti i seksionit të luftës kundër krimit të organizuar në komisariatin e policisë së Sarandës, Ardit Hasanbega do të qëndrojë në burg deri në përfudnim të hetimeve për akuzën që rëndojnë mbi të. Gjykata ka vendosor dje ndaj tij masën e sigurisë “burg pa afat”.
Hasanbega preferoi të mbrohet vetë në seancën e djeshme, edhe pse në krah të tij ishte avokati Kiço Milo. Platin Aliçkaj, i njëjti prokuror i çështjes ndaj dy të rinjve vlonjatë, kërkoi masën më të rëndë për ish-agjentin e policisë.
Kjo kërkesë u pranua edhe nga gjyqtari i gatshëm. Polici akuzohet për “përdorim dhune” ndaj 17-vjeçarit vlonjat të ndaluar ditë më parë me akuzën “favorizim të kalimit të paligjshëm të kufirit kundrejt përfitimit”.
Në dhomat e paraburgimit, sipas Avokatit të Popullit, në këto mjedise është përdorur tortura nga policia. Në sallën e gjyqit të ndaluarit të keqtrajtuar i ra të fikët para trupit gjykues. Për disa ditë ai u mjekua në spitalin e Sarandës, por sipas drejtorit të spitalit, dje ai u përcoll “për analiza të plota në Tiranë, pasi në spitalin e Sarandës nuk ka radiografi, skaner”.