E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Evropian dënon shpërthimin në Prishtinë

Franca, shtet kryesues i Bashkimit Evropian, ka dënuar ashpër shpërthimin që ka ngjarë të premten në oborrin e Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Prishtinë.

"Kryesia e Këshillit të Evropës dënon ashpër këtë sulm”, thuhet në një komunikatë për media.

Në komunikatë po ashtu theksohet vendosmëria e Bashkimit Evropian që, nëpërmjet misionit EULEX – i cili është duke u vendosur në Kosovë, të punojë në ndërtimin e një shteti ligjor, për të mirën e të gjithë banorëve të Kosovës.

Edhe ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Tina Kaidanow e ka dënuar sulmin ndaj Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, dhe ka bërë thirrje që kryesit e kësaj vepre të sillen sa më parë para drejtësisë.

Kaidanow, po ashtu i ka bërë thirrje të gjithë atyre që janë të kyçur në bisedimet politike në Kosovë, të jenë të kujdesshëm me retorikën që përdorin.

Ngjarja ndodhi dje në oborrin e Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Prishtinë, rreth orës 17:30, kur është hedhur një lende shpërthimi.

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, ka njoftuar se nga shpërthimi nuk ka pasur viktima në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë, udhëhiqet nga diplomati Pieter Faith dhe funksionon në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian.

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë për media e kanë dënuar këtë akt, të cilin e kanë cilësuar si akt kundër Kosovës dhe popullit të saj, dhe kanë kërkuar nga organet e rendit që t’i sjellin para drejtësisë përgjegjësit e tij.

Sejdiu e ka quajtur këtë si një akt armiqësor të drejtuar kundër interesave ë Kosovës, duke i drejtuar mesazhin qytetarëve për qetësi.

Akti i sulmit ndaj ndërtesës së ICO-së në Prishtinë është dënuar edhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se ka kërkuar masa të shpejta e urgjente për ta zbardhur rastin dhe përgjegjësin apo përgjegjësit ti vë para drejtësisë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy Mc Guffie ka konfirmuar se një mjet i vogël ka shpërthyer brenda rrethojave të ndërtesës së ICO-së, çka ka shkaktuar dëme materiale, por jo edhe pasoja në njerëz.

“Ne dënojmë pa rezerva këtë incident. Falënderojme Qeverinë e Kosovës për mbështetjen dhe presim nga ta që të garantojnë sigurinë e stafit të të gjitha misioneve ndërkombëtare që veprojnë këtu”, thuhet në deklaratën e Mekgafit.

/Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›