Dhunoi kandidatin e FRD-së në Fier, arrestohet 29-vjeçari
Fier- Policia e Fieri ka bërë arrestimin e një 29-vjeçari, pasi dyshohet se është autori që ka dhunuar para pak ditësh kandidatin e FRD-së në këtë qark, Mithat Hoxha.
Mësohet se në pranga ka përfunduar Eugen Çaushi dhe sipas policisë ngjarja ka ndodhur për motive personale dhe jo politike.
Mit’hat Hoxha është rrahur barbarisht ditën e dielë, rreth mesnatës në Roskovec të Fierit. Hoxhaj është rrahur në mënyrë barbare dhe është gjetur pa ndjenja brenda makinës së tij, disa orë pas ngjarjes.
Familja Hoxhaj thotë se Mit’hati ka marrë kërcënime përmes telefonit duke i kërkuar të mos rrinte në fshat. Për to është bërë edhe denoncimi në polici.
Sakaq familjarët e kandidatit për deputet bëjnë me dije se dhunimi i tij është bërë për motive politike.
Ndërkohë Policia e Fierit duke dhënë setaje mbi ngjarjen tha se nuk ka patur denoncim nga Mit’hat Hoxha mbi agresionin. ‘Hoxha s’ka folur me arsyen se ndihet i turbulluar…I dëmtuari nuk ka dhënë shpjegime mbi ngjarjen…Eshtë qëlluar me grushte dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën’,-tha policia në deklaratë.
Edhe nënkryetari i FRD-së Gazmend Oketa ka takuar në Fier kandidatin për deputet që është dhunuar dje duke shprehur se nuk mund ta politizonte ngjarjen.