Dhunojnë punonjësin e elektrikut, 3 në pranga
Korçë- Tre persona janë arrestuar nga policia, sepse kanë dhunuar fizikisht një punonjës të filialit elektrik. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Maliqit dhe mësohet se shkak është bërë një faturë elektrike, mbërritur në emër të familjarëve të njërit prej agresorëve.
Sipas burimeve të policisë, mësohet se në pranga janë vënë shtetasit Azem Marjanaku, 25-vjeç, nga Maliqi, i cili më parë ka qenë i dënuar për veprën penale të vjedhjes. “Ndalimi i tij është bërë së bashku me shtetasit Riza Marjanaku, 37-vjeç dhe Olgert Asmllari, 27-vjeç edhe këta banues në Maliq, pasi kanë goditur një nga punonjësit e filialit elektrik”- thanë të njëjtat burime, që nuk bëjnë me dije emrin e punonjësit të lënduar.
Nga hetimet e para mësohet se shkak i sherrit, që përfundoi me ushtrim dhune është bërë një faturë elektrike, që i është vendosur motrës së Olger Asimllarit. Faturë, që familja e ka cilësuar të padrejtë, pasi pretendonte se nuk e kishte konsumuar energjinë që i është faturuar.
Nga uniformat blu janë kryer veprimet procedurilae për veprën penale goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim dhe tre të ndaluarit janë në pritje të caktimit të masës së sigurisë.
Ndërkohë, punonjësi u dërguar në urgjencë, ku mori ndihmën mjekësore dhe u kurua dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ky nuk është rasti i parë, që ndodhin të tilla ngjarje. Vetëm pak ditë më parë, një rast i ngjashëm u shënua në një fshat të Fierit, ku preh e dhunës ranë tre gra, faturiste dhe arkëtare dhe dhunuesi u ndalua nga policia. Shkak ishte sërish një faturë aforfe e vendosur.