Nesër, 400 mijë nxënës nisin shkollën. Policia, masa për sigurinë
TIRANË- Një ditë para se 400 mijë nxënës në gjithë vendin të nisin vitin e ri shkollor, Policia ka njoftuar planin e masave në garantim të rendit dhe të sigurisë.
Sipas një njoftimi për mediat, policia e Tiranës bëri të ditur se për mbarëvajtjen e procesit mësimor janë ngarkuar me detyra patrulla e përgjithshme e policisë, strukturat e hetimit të krimit, shërbimet e qarkullimit rrugor, që do të patrullojnë shpesh herë në afërsi të shkollave dhe qendrave studentore, sipas juridiksionit që ato mbulojnë.
Në ditën e parë të shkollës, policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie, të cilët do të kontaktojnë me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë që kanë në territorin e tyre. Gjithashtu në vëmendje do të jenë elementët me precedentë policorë, që cenojnë rendin dhe qetësinë publike dhe në bashkëpunim me rojet private të shkollave, nuk do të lejohen të hyjnë në ambientet shkollore.
Për krijimin e urave lidhëse dhe konsoliduese në drejtim të marrëdhënieve polici-shkollë- komunitet, policia e Tiranës po përgatit programe të përbashkëta me drejtorinë arsimore rajonale.
Në kuadër të ditës së parë të shkollës, 14 shtator, policia e Tiranës u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të lëvizin në rrugët publike duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Policia sugjeron përdorimin e mjeteve të transportit publik për një rrjedhshmëri normale të trafikut gjatë ditë së nesërme.
Në shkallë vendi numërohen rreth 376 drejtori të shkollave të mesme dhe 1749 drejtori të shkollave 9 vjeçare, të cilat janë gati për nisjen e vitit të ri shkollor 2009-2010.
Për herë të parë, këtë vit shkollor do të funksionojnë 50 klasa të reja përgatitore për fëmijët 5-6 vjeçar, në shkollat e Ciklit të Ulët, që u mundësua falë zbatimit të projektit "Cilësi dhe barazi në arsim".
Por, këtë vit shkollor, nxënësit e klasës së VI, përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar, do të kenë mundësi të mësojnë edhe një gjuhë të huaj të dytë fakultative (jo me detyrim). Mësimi do të zhvillohet mbi bazën e orëve ekstra-kurrikulare. Synimi i kësaj politike arsimore është shumëgjuhësia në shkollat e arsimit parauniversitar, mundësimi i mësimit të një gjuhe të huaj në moshë sa më të vogël,( klasa III ) vijimësia e gjuhës ( klasa VI ) si dhe mundësia e gjuhës së dytë në ciklet pasardhëse.