Paratë e fushatës, KQZ, short për ekspertët e auditimit
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përcaktojë me short ekspertët kontabël të licencuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit.
Rezultatet zyrtare për zgjedhjet e 28 qershorit u shpallën në 1 gusht dhe sipas Kodit Zgjedhor (neni 91) jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së këtij rezultati për çdo subjekt, KQZ emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas disa kritereve ligjore, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara në fushatë.
Pas auditimit, grupi i ekspertëve i paraqet KQZ-së një raport dhe më pas komisioni zgjedhor mund të bëjë verifikimin e të dhënave të raportit, që mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.
Për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit qeveria vuri në dispozicion të subjekteve zgjedhore një fond prej 65 milion lekësh. Sipas kodit zgjedhor 50 % e kësaj shume (32.5 milion lekë) u përfitua nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa gjysma tjetër e këtij fondi iu nda partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin morën jo më pak se 2 vende në Kuvend.
Në zgjedhjet e fundit konkurruan 34 parti politike, të grupuara në katër koalicione, dy të spektrit të djathtë dhe dy majtë, si dhe një subjekt i pavarur.