62 herë
62 nuk do të thotë ndonjë gjë të veçantë. As në teori numrash, as në ndonjë teori konspiracioni nuk ka ndonjë vlerë të veçantë.
(Mos) Parashikueshmëria
Të enjten e fundit, datë 7 prill 2011, në Kuvendin e Shqipërisë u miratua një amendim i ligjit të Procedurave Tatimore. Janë 6 ligjet kryesore tatimore në Shqipëri të cilët po i rradhis, por jo për nga rëndësia, “Procedurat Tatimore”, “Taksat Kombëtare”, “Taksat Vendore”, “Akcizat”, “Tatimi mbi të Ardhurat Personale”, “Tatmi mbi Vlerën e Shtuar”.
Këto 6 ligje kryesorë, mbi të cilët është ndërtuar sistemi ynë tatimor, qysh nga shtatori 2005 kur ka ardhur në pushtet Partia Demokratike janë ndryshuar së bashku plot 62 herë. Ndryshimi i 62-të ishte ai i datës 7 prill 2011. Praktikisht, i bie që Kuvendi i Shqipërisë në çdo muaj të punës së tij ka ndryshuar një ligj kryesor tatimor.
Kjo është një çudi e madhe shqiptare. Por, ka edhe çudira të tjera. Psh ligji për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” është ndryshuar edhe brenda 9 ditësh, në 17 dhe 26 dhjetor 2007. Apo ligji për “Tatimin mbi të Ardhurat” është ndryshuar vetëm në vitin 2007 plot 5 herë.
Në debate parlamentare është thënë se çfarë të keqe ka se ligjet ndryshohen. E pra, ka një të keqe të madhe. Praktikat e mira ndërkombëtare dëshmojnë se nuk mund të ketë një sistem të mirë fiskal pa një system të mirë të administrimit fiskal. Ky i fundit mbështetet mbi disa parime ku një nga më kryesorët është PARASHIKUESHMËRIA (predictability në anglisht). Me fjalë të tjera, tatim paguesi nuk duhet të vihet shpesh para ndryshimeve fiskale sepse duhet të bëjë plani biznesi të pjekuar dhe afatgjatë.
Aq i rëndësishën është bërë ky element në vlerësimin e klimës së biznesit, sa Banka Botërore prej disa vitesh ka filluar të përdorë nocionin e “Taksës së Kohës” si një barrë e re që duhet të përballojë biznesi nga kostot e personelit drejtues që duhet të ndjekë dhe shpenzojë kohë e energji për të mësuar ndryshimet ligjore. Për fat të keq, në Shqipëri taksa e kohës është më e larta në rajon.
Të ardhurat Tatimore
Prej disa vitesh Sali Berisha deklaron e rideklaron se nën qeverisjen e tij ka një boom në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe se kjo i dedikohet më së pari luftës së korrupsionit që qeveria e tij ka zhvilluar. Duhet pranuar se, përgjithësisht, ky deklarim i tij ka zënë vend. Ka zënë vend sepse, së pari, Berisha ka një gjakftohtësi gënjeshtare të pashoqe, por edhe sepse askush nuk ka marrë mundimin të lexojë shifrat e vërteta dhe më pas të bëjë konkluzionin.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave na mësojnë se të ardhurat tatimore në vitin 2001 janë 114,3 miliardë lekë, në vitin 2005 janë 183,8 miliardë lekë, për të arritur në vitin 2009 në 270,8 miliardë lekë. Pra është e qartë se, 2005 kundrejt 2001 ka rritje me 58 % që është krahasimisht më e madhe se rritja prej 50 % që është konstatuar në 2009 kundrejt 2005.
TVSH e arkëtuar në doganë
Ka në fakt një taksë që është dy fishuar në periudhën e qeverisjes së PD. Është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i arkëtuar në doganë. Këtë fakt Sali Berisha e paraqet si luftë ndaj korrupsionit, ndërsa Ridvan Bode si tregues të rritjes ekonomike. Përsëri le t’i kthehemi të dhënave zyrtare që vijnë nga Doganat Shqiptare. Të dhënat tregojnë se sasia në tonë e mallrave të importuara është pothuajse e pandryshuar në periudhën 2005 – 2010. Madje në vitin 2010 janë importuar 3 % më pak mallra se në vitin 2005.
Çfarë ka ndryshuar është, së pari, shtrenjtimi në euro me 70 % i çmimit të importit të mallrave, së dyti, nënçmimi i lekut me rreth 20%, së treti, rritja e akcizave.
Kjo ka sjellë që për një ton mall të importuar TVSH e arkëtuar të dyfishohet nga 9,064 lekë në 18,075 lekë. Ja si ilustrohet grafikisht:
(grafiku 1)
Pra, kemi vetëm shtrenjtim të çmimit të blerjes, nënçmim të lekut dhe rritje të barrës fiskale nëpërmjet akcizës.
Taksat e Konsumit
Me akcizën është luajtur shumë në këto vite. Qeveria e ka përdorur si instrument për të mbushur arkën e shtetit edhe pse akciza është një taksë, fund e krye, regresive. Është regresive sepse duke u aplikuar kryesisht për njësi konsumi, i kushton njësoj edhe të varfërve edhe të pasurve. Edhe pse kryeministri apo ministri i financave kanë të ardhura mujore 10 herë më të larta se një punëtor krahu njësoj paguajnë akcizë për paketën e cigareve që tymosin. Pse ministri i financave merr 10 herë më shumë nuk është e vërtetë se konsumon 10 paketa cigare në ditë. E njëjta gjë vlen edhe për kafene që pijmë në ditë apo për litrat e karburantit që harxhojmë për 100 km rrugë të përshkuar.
Akciza dhe TVSH janë taksat kryesore të konsumit në Shqipëri. Taksa që janë pjesë e çmimit më pakicë për mallrat që blejmë cdo ditë. Të dyja së bashku bëjnë një shkallë tatimore rreth 27 %. Pra për çdo 100 lekë mallra që blejmë, 21 lekë janë taksa.
Së fundmi, është vendosur TVSH në shkjallën tatimore 10 % për të barnat dhe shërbimet mjekësore. Taksa, që u propagandua nga qeveria se do të ulte çmimin e barnave, por, në të vërtetë, u provua se çmimi i barnave u rrit ekzaktësisht me 10 %.
Në periudhën 2005 – 2010 kemi parë një rritje graduale të peshës së taksave të konsumit ndaj totalit të të ardhurave tatimore. Aktualisht taksat e konsumit zënë rreth 53 % të totalit të të ardhurave. Zhvendosja e barrës fiskale tek konsumi ka patur efekte të drejtpërdrejta në tkurrjen e konsumit familjar për shtresat e mesme dhe të varfëra. Ja sesi ilustrohet grafikisht:
(grafiku 2)
Taksat direkte
Përveç taksave të konsumit, paguhen edhe taksa direkte. Thamë më lart se në 100 lekë konsum, 21 lekë janë taksa konsumi. Por mallret blihen me të ardhurat që ke në xhep, të cilat vetë janë ato që mbeten pasi nga paga bruto zbriten tatimi mbi të ardhurat dhe kontributet e detyrueshme. Për çdo 100 lekë pagë bruto, janë 21.2 lekë taksa direkte ndaj pagës. Dhe në se aplikojmë edhe taksat e konsumit për 78,8 lekët e pagës neto, si përfundim 38 lekë janë taksat që paguhen për çdo 100 lekë pagë bruto.
Tatimi mbi të ardhurat që prej vitit 2007 zbatohet i sheshtë. Rritja efektive e tatimit mbi të ardhurat e individëve dhe ulja e tatimit mbi fitimin e korparatave ka sjellë që sot paguhen më shumë taksa nga individët sesa nga korporatat. Madje kanë ndryshuar rolet siç ilustrohet edhe grafikisht:
(grafiku 3)
Taksa televizorit
Që prej janarit 2011 është rritur edhe taksa e aparatit të televizorit. Madje është dyfishuar nga 600 lekë në 1,200 lekë në vit. Vendimi është marrë nga ministri i Financave, sespe, çuditërisht, ligji ia ka lënë ministrit kompetencë të vendosë për këtë taksë. Por në procesin praktik të arkëtimit të kësaj takse vazhdon çudia shqiptare. Këtë taksë e paguan çdo kush që ka një kontratë furnizimi energjie elektrike. Taksë aparati televizori paguan edhe një garazh, një farmaci, një lavazh, një furrë buke, madje edhe një xhami.
Taksa e makinave
Që prej më shumë se 1 viti është në fuqi një taksë e re e zbatueshme në çdo rast që shitet e blihet një autoveturë. Që nga koha e vendosjes, praktikisht ka rënë ndjeshëm tregëtia formale e automjeteve në Shqipëri. Shqiptarët po këmbejnë makina, por formalisht përdoruesit e rinj lëvizin me kontrata noteriale përdorimi. Edhe kjo taksë është tjetër dështim i politikës fiskale të qeverisë Berisha.
Taksa vendore
Është folur shumë në këto vite për taksat vendore dhe për sa shumë taksa iu paguakan Bashkisë së Tiranës. Edhe këtu, askush nuk mori mundimin të ulet e të bëjw llogaritjet, me qëllim që çdokush të dijë të vërtetën e ftohtë të shifrave.
Aktualisht, çdo familje paguan në Tiranë rreth 550 lekë në muaj (rreth 18 lekë në ditë) taksa dhe tarifa për Bashkinë e Tiranës (taksën e ndërtesës, tarifën e pastrimit dhe taksën e gjelbërimit). Taksa e përkohshme tre – vjeçare e gjelbërimit ka pushuar që në vitin 2010.
Nëse një familje në Tiranë, sipas INSTAT, ka të ardhura mujore bruto rreth 90 mijë lekë, taksat që i paguan Bashkisë në muaj janë rreth 0.6 % e të ardhurave mujore.
Më lart treguam se taksat direkte dhe të konsumit janë 38 % dhe bashkë me taksat lokale taksat në total shkojnë 38,6 %.
Pra, për çdo 100 lekë taksa që paguhen çdo muaj nga një familje, vetëm 1,6 lekë i takojnë Bashkisë së Tiranës, ndërsa 98,4 lekë i shkojnë qeverisë.
Revolucion fiskal
Më sipër, treguam se sa pak, fare, fare pak, taksa lokale paguhen në Tiranë. Treguam se si është zhvendosur barra fiskale nga korporatat tek individët dhe, më tej, brenda individëve, sesi të varfërit paguajnë më shumë taksa se të pasurit.
I gjithë sistemi fiskal në Shqipëri, përfshirë edhe administrimin fiskal, është i padrejtë. Shqipërisë i lypet një revolucion fiskal. Partia Socialiste e ka një plan për një sistem fiskal më të drejtë për shqiptarët.
