Dhurata e Ramës për deputetët e PS; “Fjalori politik i Oksfordit”
Sezoni i ri politik që nis nga fundi i janarit do ta gjejë grupin parlamentar të opozitës më të përgatitur politikisht. Kjo pasi gjatë ditëve të festave por edhe pushimeve 1-mujore deri në startimin e sesionit të ri parlamentar (të hënën e tretë të janarit), deputetët socialistë do të kenë mundësi të përvetësojnë shprehi të reja politike, për të kompletuar kështu bagazhin e tyre politik. Kjo falë përdorimit të fjalorit politik që kryetari i tyre Edi Rama u ka dhuruar me rastin e festave të fundvitit. Kështu, kreu socialist ka gjetur një dhuratë sa simbolike aq edhe të nevojshme për çdo politikan, ‘Fjalorin politik të Oksfordit’, të cilin me anë të një zarfi të nënshkruar personalisht, ia ka nisur çdo deputeti socialist.
Fjalori
Ndryshe nga vitet e tjera, kësaj here kreu socialist ka preferuar që përveç kartolinës tradicionale të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të bëjë dhe një dhuratë simbolike, por që në rastin e politikanëve shqiptarë duket se është e nevojshme. Ai ka shpërndarë nga një zarf të posaçëm për secilin deputet, brenda të cilit ndodhej libri “Fjalori politik i Oksfordit”. Burime nga selia rozë kanë bërë të ditur se Rama është kujdesur personalisht për këtë dhuratë, pasi përveç përzgjedhjes së saj ka bërë në kopertinën e brendshme të këtij fjalori nga një shënim urimi për secilin prej tyre. Fjalori Politik i Oksfordit ka për autor Iain McLean dhe është përkthyer në shqip nga Zef Simoni. Ai ka 672 faqe dhe konsiderohet se është fjalori i politikës më me autoritet që mund të gjendet dhe më i përditësuari, i hartuar prej një ekipi specialistësh, studiues të politikës të Universiteti Warwik. Fjalori u drejtohet në veçanti studentëve dhe nxënësve që nga shkolla e deri në universitet, por u vlen edhe të gjithëve si një libër referimi i përgjithshëm dhe i paçmueshëm. Sipas shtëpisë botuese që e ka nxjerrë librin, ai kushton 14 euro.
Dhuratat
Kreu socialist nuk është kujdesur vetëm për deputetët, por edhe për administratën e partisë. Kështu, burime nga selia rozë kanë bërë të ditur se Rama këtë vit ka preferuar që t’u japë atyre si dhuratë vetëm nga një çokollatë dhe një kartolinë. Sipas të njëjtave burime mësohet se çokollata ka qenë me shije të ndryshme për çdo punonjës të administratës.
Edi Rama, foto nudo si
kartolinë për Vitin e Ri
TIRANË Ndryshe nga një vit më parë, ku si kartolinë urimi kryetari i opozitës Edi Rama përcolli tek shqiptarët një ndër protestat më të mëdha të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kësaj here këndvështrimi i liderit socialist për këtë vit të ri është krejt tjetër. Në faqen e tij zyrtare edirama.al, kryetari i opozitës ka uruar Vitin e Ri me një kartolinë, ku pasqyrohet një fotografi e një femre nudo, vepër artistike e amerikanit Man Ray. Në faqen e tij zyrtare, Rama ka shprehur urimin “Gëzuar” për shqiptarët, duke vendosur në qendër të një sfondi me dëborë dekorative, foton e amerikanit, një grua e zhveshur deri në fundshpinë. Fotografia është realizuar në vitin 1924 dhe mban emrin “Le violon d'Ingres” (Violina e Ingresit). Fotografia bën fjalë për një modele, pjesa e pasme e së cilës është transformuar në një instrument muzikor, në një violinçel. Violina e Ingresit është një fotografi komplekse, që tregon një kohë të gjatë admirimin e fotografit Man Ray për Ingresin, si dhe dëshirën e tij për t’u tallur me traditën. Kartolina e Ramës duket se i drejtohet pikërisht femrës dhe gjendjes së saj sociale, së cilës duket se i është referuar edhe vetë autori i kësaj fotografie shumë kohë më parë, që e lidhte natyrën revolucionare të shtrembërimeve të trupit të Igresit me shtrembërimet sociale të asaj kohe. Pak muaj më parë, kjo vepër e Man Ray u ekspozua në Muzeun e Artit në Milano të Italisë nga Fondacioni ‘Marconi’.