E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Presidentin e ri do ta zgjedhim me PD, kemi shumë emra

Z. Meta, jemi në mesin e mandatit e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike. Në një marrëdhënie të tillë, çfarë note do t’i vinit kësaj marrëveshjeje ?

Ky koalicion ka funksionuar shumë më mirë sesa pritej. Pra, ka qenë shumë më i qëndrueshëm dhe funksional sesa kanë qenë parashikimet kur u thye një tabu dhe u vendos të ndërtohet ky koalicion. Unë mendoj se ky koalicion ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuara për të qenë shumë më efikas dhe shumë rezultativ. Shumë efikas në drejtim të qeverisjes dhe shumë rezultativ edhe në drejtim të rezultateve elektorale. Zgjedhjet e 8 majit ishin një provë shumë e rëndësishme dhe ato treguan në mënyrë të qartë se ky koalicion përfaqëson në mënyrë bindëse mazhorancën e qytetarëve shqiptarë. Zgjedhjet e 8 majit njëkohësisht treguan, pavarësisht parashikimeve apo pretendimeve se Lëvizja Socialiste për Integrim do të humbiste votat e saj duke bërë koalicion me Partinë Demokratike, por Lëvizja Socialiste për Integrim tregoi një rritje shumë të konsiderueshme në njësinë e kohës. Pra, mori gati 50 për qind më shumë të votave se sa mbërriti në vitin 2009 dhe ky është një trend që vazhdon edhe sot.

Kalojmë në një argument që ka qenë zhvillimi i ditës këtë fundviti, që është çështja e presidentit. Zoti Topi, në një pritje me gazetarët në Presidencë lajmëroi zyrtarisht që nuk do të kërkojë një mandat të dytë si President i Republikës. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë çështje?

Është një e drejtë e kujtdo që të kandidojë apo të mos kandidojë dhe ne duhet të respektojmë mendimin, në këtë rast të zotit Topi. Ndërsa së dyti, që është më e rëndësishme, që sjellja e tij të jetë plotësisht kushtetuese, pra në frymën e Kushtetutës, deri në ditën e dorëzimit të detyrës. Pra, kjo është e rëndësishme jo vetëm për Presidentin si institucion, por për çdo drejtues institucioni që duhet të jetë i pavarur.

Kryeministri Berisha tha se zoti Topi e ka shkatërruar Presidencën duke e kthyer në një partiçkë. Komenti juaj?

Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e këtij debati. E ritheksoj se është e rëndësishme që çdo institucion të respektojë Kushtetutën dhe frymën e Kushtetutës, sepse kjo është në të mirë të vendit për funksionimin e institucioneve dhe besueshmërisë së tyre.

Jo më larg se dje zoti Meta, ju keni deklaruar se jeni jashtë lojës për Presidentin. Kanë filluar pra pak para kohe diskutimet për çështjen e emrave për Presidentin e ri. Pse mendoni se duhet të qëndroni larg kësaj loje me emra, me diskutime apo me skenarët që do të zgjidhet presidenti?

Kuptohet që është bërë e zakonshme që ne t’i nisim këto fushata përpara kohe. Ndoshta kjo tregon një varfëri lajmesh apo zhvillimesh ngaqë është dhe fundviti, aq më tepër që kemi dhe një lloj “detante”, në qoftë se mund ta themi midis forcave kryesore politike, kështu që duhen krijuar sa më shumë lajme të tjera dhe ajo që unë kam dashur që të bëj të qartë për çështjen e presidentit, ka të bëjë me vlerësimin tonë si LSI, pasi kjo është një çështje tepër e parakohshme për t’u diskutuar. Pra, kjo është një çështje që duhet diskutuar në fund të muajit qershor. Së dyti, ne nuk duam të bëhemi pjesë e si të thuash e “spekulimeve”, dhe së treti, që është më e rëndësishmja, ne do të jemi pjesë e zgjedhjes kur kjo çështje të vendoset për t’u diskutuar.

Nëse do të zgjidhej presidenti, sikurse tha dhe kryeministri Berisha, pra nga maxhoranca, a mund të kishte ndonjë emër nga Lëvizja Socialiste për Integrim?

Mendoj se është një çështje tepër e parakohshme për të diskutuar dhe unë mendoj se si nga maxhoranca, pa përjashtuar asnjë forcë politike, absolutisht ka shumë emra që mund ta kryenin shumë mirë këtë detyrë, ndërkohë që kjo është një garë e hapur, sepse ka disa rregulla, ka disa procedura. Cilido që arrin të ketë mbështetjen e 20 deputetëve, në mos gaboj, ka të drejtën të paraqesë kandidaturën e tij, por ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike që për këtë çështje të kemi një angazhim për ta zgjidhur së bashku.

Mund të jetë ndër këta emra dhe Fatos Nano, duke pasur parasysh se ka pasur në media një lloj diskutimi se mund të jetë një kandidaturë që mbështetet nga LSI?

Unë po e ritheksoj dhe njëherë, që nuk dua të bëhemi pjesë e këtij debati tepër të parakohshëm. Edhe më parë e theksova që ne kemi një detyrim për shkak të marrëveshjes që kemi, që do ta diskutojmë me Partinë Demokratike dhe me forcat e tjera të këtij koalicioni dhe në momentin e fundit, Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë të ditur qëndrimet e kësaj force politike.

A ju duket kjo iniciativë e Nanos paksa e parakohshme?

Kjo është një e drejtë e tij dhe, duke qenë se ai është një politikan me shumë përvojë, ai i di mirë arsyet se pse ka zgjedhur këtë moment për të afishuar kandidimin e tij për këtë pozicion dhe është një e drejtë e tij.

Do të vijoni t’i jepni më shumë jetëgjatësi bashkëpunimit me Partinë Demokratike?

Së pari, ka ende kohë për të përmbyllur këtë mandat 4- vjeçar. Ne nga ana jonë i kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë në mënyrë tepër korrekte kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi.

Normalisht është tepër e parakohshme që të flasim për një bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste, pavarësisht qëndrimeve shpeshherë përjashtuese që kanë ardhur prej selisë rozë...

Për interesat e integrimit të vendit, ne bashkëpunojmë, kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë me çdo forcë politike. Pastaj për çështjen e koalicionit, kjo është çështje tjetër.

Z. Meta, e ka një vend në Lëvizjen Socialiste për Integrim z. Islami? E keni menduar një mundësi të tillë?

Kjo nuk është një pyetje për mua. Aderimi në Lëvizjen Socialiste për Integrim bëhet me dëshirë, bëhet me vullnet. Se cila është e ardhmja e z. Islami, kjo është një çështje që i mbetet atij për të vendosur. Unë personalisht mendoj se ai e ka një të ardhme në jetën politike, për arsye se ka një të kaluar solide dhe çdo politikan që e ka një të kaluar të tillë, që ka kontribute të qenësishme, ka dhe një perspektivë, aq më tepër që ai është superenergjik dhe një politikan tepër aktiv. Çështja kryesore është vullneti i z. Islami. Pavarësisht se cila do të jetë zgjedhje e tij për të ardhmen, ai gjithnjë mbetet një figurë tepër e vlerësuar nga unë personalisht.

Po për sa i përket çështjes së reformës zgjedhore...? Ju keni pasur gjithmonë idetë e qarta në këtë drejtim. Mendoni se po bëhet mirë me procesin e reformës zgjedhore?

Së pari, zgjedhjet e fundit lokale ishin perfekte. I vetmi pretendim që u ngrit dhe që është për të ardhur keq, se ishte tërësisht në kundërshtim me frymën e kryetarit të PS-së për 2 vite, i cili kërkonte hapjen e kutive dhe rinumërimin e tyre. I vetmi tension artificial që u krijua ishte pikërisht ai, nëse duhet të merreshin në konsideratë apo jo votat në kutitë e gabuara. Mendoj se Komisioni i Venecias u shpreh në mënyrë eksplicite kur deklaroi se marrja në konsideratë e këtyre votave ishte një vendim i drejtë dhe tha se kjo duhet vendosur edhe më mirë në ligj, në mënyrë që të mos ketë më debate për këtë çështje. Mesazhi i dytë që erdhi nga Komisioni i Venecias ishte fakti se përcaktuese për sa i takon cilësisë së zgjedhjeve, pavarësisht nga elementët e tjerë, mbetet sjellja e partive. Pra partitë duhen më të përgjegjshme, të pranojnë edhe fitoren, por edhe humbjen. Demokracia i ka të dyja. Ndaj për të ardhmen mbetet tepër e rëndësishme një përgjegjshmëri më e madhe politike për sa i takon zgjedhjeve. Një emancipim i madh i të gjithë aktorëve politikë që të pranojnë rezultatin. Ne natyrisht që mendojmë se ka nevojë për ndryshime të rëndësishme, jo thjesht teknike apo kozmetike, por ndryshime që kanë të bëjnë me elementë të rëndësishëm kushtetues, siç është barazia e votës. Ky kod nuk e garanton barazinë e votës. Ne mendojmë se ekzistojnë të gjitha hapësirat, pa ndryshuar Kushtetutën, të bëhen përmirësime apo korrektime, të cilat zgjidhin këtë problem, zgjidhin edhe çështje të tjera sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Megjithatë është ende herët. Mendoj se puna e vërtetë për reformën zgjedhore do të fillojë ndoshta nga fundi i muajit të ardhshëm.

Këtu përfshihet edhe ideja e ndryshimit të sistemit apo vetëm korrektimi?

Të kërkosh një sistem të ri është një sfidë e madhe, pasi ndërrimi i sistemeve është e vështirë të ndodhë në një kohë kaq të shkurtër. Por pa bërë ndryshime në Kushtetutë dhe pa cenuar thelbin e sistemit, mund të bëhen korrektime të cilat zgjidhin këto momente shqetësuese që janë ngritur nga disa forca politike.

Intervistoi Patrik Sadikaj/”OraNews”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›