Dhuratat e përvjetorit
Republika e Ugandës ka ngritur në 88 numrin e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës pikërisht në ditën kur kosovarët kanë festuar përvjetorin e katërt të krijimit të shtetit të tyre.
Ky shtet afrikanolindor ka kumtuar njohjen përmes një letre që Presidenti ugandez, Yoweri Kaguta Museweni, ia ka dërguar Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.
Letra e dërguar nga Kampala, kryeqytet i Ugandës, mban datën 5 dhjetor të vitit të kaluar, por ajo është publikuar pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Bashkëpunëtorët e Pacollit kanë thënë se letra ka ardhur në Zyrën e Zëvendëskryeministrit e jo të Ministrisë së Jashtme apo te Presidentja e Kosovës.
“Meqenëse zotëri Pacolli ka zhvilluar një aktivitet diplomatik dhe ka qenë një kanal me kontinentin e Afrikës, një ndërlidhës i Qeverisë së Kosovës. Fundja, kjo është pak e rëndësishme”, ka thënë këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj në një konferencë për media.
Por, MPJ menjëherë e ka publikuar njohjen nga Uganda si njohjen më të re.
E në letrën që ka dërguar shefi i shtetit ugandez thuhet se qeveria e këtij vendi e kupton plotësisht vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Ne jemi bashkë me shtetet tjera që e kanë njohur Republikën e Kosovës”, thuhet në letër.
Aty po ashtu shprehet gatishmëria për marrëdhënie të shtuara diplomatike, ekonomike e kulturore mes dy qeverive.
Çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës është ngritur edhe në gazetën e njohur izraelite Haaretz.
Kjo e përditshme izraelite, ka botuar një opinion ku thuhet se tani është koha më e duhur që të Izraeli ta njoh Kosovën për arsye historike dhe morale.
Aty thuhet se shteti i ri nuk ka krijuar kurrfarë pasoja tjera negative nëpër botë dhe si rezultat as mundësinë që Palestina ta shfrytëzoj këtë rrugë kosovare, pasi vendi është njohur nga fuqitë më të mëdha botërore.
"Katër vite më parë, më 17 Shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Kjo lëvizje erdhi pasi ndërkombëtarët nuk arritën të gjejnë një zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës, por pavarësia u njoh menjëherë nga vendet më të fuqishme botërore, përfshirë: SHBA, Kanadaja, Gjermania, Britani e Franca. Katër vite më pas, Izraeli ka dështuar ta njohë shtetin ballkanik. Ky dështim nuk është vetëm një ngecje diplomatike, por edhe dështim historik e moral", shkruan në artikull.
Po ashtu në Haaretz është përmendur roli i shqiptarëve në Ballkan gjatë Holokaustit, kur hebrenjtë janë mbrojtur dhe strehuar vullnetarisht nga shqiptarët duke e konsideruar një përgjegjësi morale e historike për ta njohur Kosovën."Në festimin e katër vjetorit të pavarësisë, Izraeli ka një mundësi të përmirësojë gabimin duke e njohur Kosovën. Ky akt nuk do t’i drejtohej vetëm Kosovës, por edhe popullit hebraik", ka shkruar gazeta.
E për njohjen e pavarësisë së Kosovës në përvjetorin e katërt është folur edhe në Spanjë, njëri nga pesë vendet e BE’së që nuk e ka njohur shtetin e ri Europë.
Agjencia spanjolle e lajmeve “EFE” ka mësuar nga burimet e saj në qeverinë spanjolle se ajo mban qëndrimin e njëjtë me ish-Qeverinë socialiste se "autoritetet kosovare e kanë shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë". Ministri i Jashtëm, José Manuel García-Margallo, nuk është shprehur ende publikisht për Kosovën që prej marrjes së detyrës se re. EFE kujton se Kosovën e kanë njohur gati 90 shtete, por gjithashtu thotë se Spanja nuk do të ndalë perspektivën europiane të Kosovës.