E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shanse për marrëveshje

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen të martën në Bruksel për ta diskutuar edhe njëherë bashkëpunimin rajonal. Zyrtarë të BE’së thonë se është bërë progres rreth kësaj çështjeje, por ende shprehen skeptikë për marrëveshjen.

Prishtina dhe Beogradi do të përpiqen edhe një herë të arrijnë një marrëveshje për bashkëpunimin rajonal, në një takim që do të fillojë të martën e ardhshme në Bruksel.

Përfaqësuesi i BE’së në këto bisedime, Robert Cooper, nuk ka pranuar të japë detaje rreth formulave që po diskutohen për këtë çështje, por Express ka raportuar se pala kosovare është shprehur e gatshme të prezantohet në forumet rajonale përmes një marrëveshjeje e cila merr parasysh Rezolutën 1244, opinionin e GJND’së dhe Deklaratën e Pavarësisë.

Sipas zyrtarëve të BE’së, Cooper ka eksploruar ide të ndryshme me përfaqësuesit e Prishtinës gjatë javës në Prishtinë dhe me ata të Beogradit gjatë javës së kaluar në Vjenë.

“Është bërë progres, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje. Kontaktet do të vazhdojnë me dy palët në ditët e ardhshme”, ka thënë një zyrtar europian për gazetën.

E në takimin e 21 shkurtit, që është konfirmuar edhe zyrtarisht, sipas BE’së, përveç bashkëpunimit rajonal, do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur më herët.

“Ne shpresojmë se do të arrijmë një marrëveshje, por kjo ende nuk është e sigurt”, ka thënë një zyrtar i BE’së.

Ndryshe, lehtësuesi i BE’së, Robert Cooper ka deklaruar të mërkurën për Express se shpreson që Prishtina dhe Beogradi të pajtohen për bashkëpunimin rajonal para samiti të BE’së, që mbahet në fillim të muajit mars, kur edhe pritet të vendoset rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE.

Shefi i ekipit serb në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Borislav Stefanovic, ndërkaq ka deklaruar se data e vazhdimit të bisedimeve nuk është caktuar ende, edhe pse zëdhënësja e kryediplomates europiane ka deklaruar të enjten se raundi i ri do të mbahet më 21 shkurt.

Megjithatë, Stefanovic ka thënë se pala serbe është e gatshme për dialog në çdo kohë.

“Në dialog do të vendoset për përfaqësimin rajonal të Prishtinës dhe kjo duhet të jetë temë kryesore e këtij raundi. Do të bisedojmë edhe për marrëveshjet e arritura deri më tash. Ne jemi të gatshëm dhe kemi dhënë disa vendime konkrete, që të gjitha janë kreative dhe në përputhje me Rezolutën 12 44”, ka thënë Stefanovic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›