E Diel, 1 Nëntor 2026

Di Karlo: Korrupsioni në Shqipëri mbetet ende shqetësues

“Shqipëria ka shanse shumë të mëdha të bëhet anëtare e NATO-s, edhe pse sundimi i ligjit dhe korrupsioni mbeten shqetësues”
Pak muaj para Samitit të Bukureshtit, nga i cili Shqipëria pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë sinjale pozitive. Ndihmës-sekretarja amerikane për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike, Rozmari Di Karlo është shprehur dje optimiste për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut. Megjithatë, ndonëse ka deklaruar se Shqipëria ka shanse shumë të mëdha për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmës-sekretarja amerikane Di Karlo ka vënë në dukje faktin se, në vendin tonë mbetet mjaft shqetësues sundimi i ligjit dhe korrupsionit. “Shqipëria ka shanse shumë të mëdha të bëhet anëtare e NATO-s, edhe pse sundimi i ligjit dhe korrupsioni, përkundër progresit të dukshëm, mbeten shqetësues”,- është shprehur Rozmari di Karlo. Në këtë mënyrë, një prej zyrtareve të shtetit amerikan i rikujton vendit tonë dhe autoriteteve shqiptare që të punojnë më shumë në këtë drejtim, duke bërë të mundur që të rikuperojnë qoftë edhe sadopak deri në muajin prill, kur do të zhvillohet dhe Samiti i Bukureshtit. Deklaratë e Di Karlos, është bërë gjatë një takimi që ajo ka zhvilluar me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Nju-Jork, ku përveç diskutimit të çështjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin e vendit tonë në NATO, ka folur edhe për çështjen statusit përfundimtar të Kosovës. Mbi këtë, ajo ka deklaruar se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj nga institucionet kosovare.
Integrimi në NATO
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Samiti i Bukureshtit, është kthyer tashmë në një çështje të ditës të qeverisë dhe politikës shqiptare. Ndonëse nga partnerët ndërkombëtarë janë dhënë mesazhe pozitive për marrjen e ftesës për anëtarësim, sërishreformat mbeten një pikë kyçe dhe mosrealizimi i tyre mund të vërë në pikëpyetje marrjen e ftesës. Vetëm pak ditë më parë, pesë ambasadorë të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut kanë vizituar vendin tonë dhe kanë zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit. Në të gjitha takimet, ata kanë inkurajuar vazhdimin e reformave të ndërmarra, të cilat do të bëjnë të mundur marrjen e ftesës së anëtarësimit, në një kohë që nga qeveria shqiptare është shprehur vendosmëria për një gjë të tillë. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u vërtetuar pasi një nga reformat më të domosdoshme, e cila duhet të marrë pjesërisht një zgjidhje deri në prill, është ajo në drejtësi. Forcat politike kanë nisur të diskutojnë për të në komisionet parlamentare të Kuvendit dhe rezultati i këtyre diskutimeve do të vërtetojë se sa e gatshme është politika shqiptare për të lënë mënjanë interesat e ngushta politike dhe të përkushtohet në ato të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›