E Diel, 1 Nëntor 2026

A ka fëmija im zhvillim normal?

1
Doktor, kam nipin 3 vjeç, ka myk në gojë. Nuk mund të hajë dhe as të pijë normalisht. Mjekët ku e kemi çuar thonë që ka myk. Ju çfarë sugjeroni?
E dashur nëna apo gjyshi!
Mbase kur të lexoni përgjigjen që ju kerkoni, puna e kolegëve të mi do të ketë dhënë rezultatin e saj dhe nipi juaj do të jetë shëruar. Sidoqoftë, besoj se ajo që do të shkruaj më poshtë do t'ju shërbejë sado pak edhe juve por edhe prindërve të tjerë.
Moniloza, soor-i apo myku i gojës, është një sëmundje mjaft e shpeshtë e foshnjeve të porsalindura madje edhe përtej kësaj moshe. Arsyet: Higjena e dobët e mjedisit të jashtëm është burimi i marrjes së infeksionit, pasi në të gëlojnë sporet (kapsulat) e mykut. Këto spore transportohen nga pluhuri (kjo taksi speciale e tërë mikroorganizmave të dëmshme e me shumicë tek ne) kudo, edhe në skutat më të thella të trupit e të banesës. Lëpirja e çarçafëve apo batanjijeve edhe pse mund ti kemi pasur të lara, dezinfektuara, e të hekurosura, lodrat e ndryshme etj, janë mjete nga nga të cilat fëmija mund të përcjellë në gojën e tij sporet e mykut të cilat shkaktojnë infeksionin.Vetë gjiri i nënës mund të jetë një burim i rëndësishëm për infektimin e fëmijës, për shkak të të çarave që mund të ketë por edhe, për shkak të futjes në kanalin e kokëzës së gjirit të sporeve të mykut. Shkak tjetër i mykut mund të jetë edhe përdorimi i shpeshtë, pa kriter dhe i zgjatur i antibiotikëve.
Përgjithësisht e pavarësisht nga mosha dhe shkaku, myku shfaqet në mukozat e gojës (gjuhë, faqe, mishrat e dhëmbëve) në formë cipash të bardha, të vogla (duken tamam sikur në gojë të kenë mbetur copëza qumështi apo kosi). Këto cipa të vogla mund të hiqen me anë të lugës pa shkaktuar dhimbje. Sipërfaqja poshtë tyre mund të dëmtohet lehtë pas heqjes ose mund të gjakoset fare pak. Në raste të lehta cipat e mykut janë të pakta por, në raste të rënduara ato mund të zenë sipërfaqe të konsiderueshme të mukozës së gojës e madje mund të përhapen edhe në rrugët e sipërme të frymëmarrjes apo edhe në organet e tretjes. Veç pamjes së cipave mund të vërehet edhe ngrënia e pirja me vështirësi e ndonjëherë edhe rritje e temperaturës. Diagnoza është e lehtë për t'u vendosur edhe nëpërmjet shikimit me sy por edhe nëpërmjet mbjelljes së materialit të marrë nga goja.
Ç'duhet bërë? Mbajtja e një higjene të lartë të mjedisit të brëndëshëm të shtëpisë, përdorimi i shpeshtë i detergjentëve dizinfektues. Higjenë e lartë vetiake e nënës por edhe e çdo pjestari tjetër të familjes. Kur bëhet fjalë për mykun e foshnjes në gji, larja e gjirit me ujë të ngrohtë e me sapun çdo herë para se fëmija të vihet në gji. Kujdes! Gjiri nuk duhet të fërkohet fortë! Para se ti jepet fëmijës bëhet gjithashtu edhe shtrydhja e tij dhe dy tre pikat e para derdhen jashtë. Pasi të mbarojë ushqyerja e fëmijës, gjiri përsëri shtrydhet dhe me pikat që dalin lyhet kokëza e tij si dhe njolla e errët përreth saj. Lihet gjiri të thahet e pastaj vendoset në korsenë e tij. Ky veprim që e mban të butë dhe e mbron gjirin, është i detyrueshëm për t'u bërë sa herë që ushqehet fëmija. Mos përdorni, pa rekomandimin e mjekut asnjë lloj antibiotiku! Mjekimi i mykut me barna, është detyrë e mjekut dhe jepet në bazë të asaj që ai shikon dhe në bazë të gjykimit të tij.
Përshëndetje
Dr. Çimi
2
Doktor fëmija im flet shumë pak, është i dhënë vetëm pas muzikës dhe TV. Dhe është vetëm 3 vjeç. Ka problem? Flutura
Zonja Flutura!
Vetëm me këto pak të dhëna që ju më jepni, do të ishte e vështirë që t'ju jepja një përgjigje të plotë lidhur me: Nëse ka problem fëmija juaj. Kështu, sa pak flet fëmija juaj apo më saktë, ç'farë mase përdorni ju në përcaktimin e të folurit të tij (pak, shumë, mesatarisht). Si është: Zhvillimi i tij fizik (pesha, gjatësia); zhvillimi motor (ecja, përdorimi i enëve për të ngrënë e pirë vetë etj); zhvillimi i tij shoqëror (pjesëmarrja e tij në bashkëpunimin me ju p.sh. t'ju ndihmojë në "punët e shtëpisë", t'ju përgjigjet për kërkesat që i bëni apo si sillet me moshatarët e tjerë, me më të mëdhënjtë) Vlerësimi i të gjitha këtyre kërkesave do të bënte të mundur edhe një përgjigje të saktë, të plotë dhe do të bënte të mundur ta flemë mëndjen (kjo do të ishte kënaqësia më e madhe për ju por edhe për mua), në të kundërtën të merrnim masat e domosdoshme (në se do të duheshin), jemi akoma në kohë. Ma sillni ta shoh!
Përshëndetje
Dr.Çimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›