E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika u shtrëngon "rripat" të kuqve

 Përgatitjet ulqinake të "demave të kuq" janë në rrugën e duhur, i gjithë grupi gëzon një formë të mirë
Pas akomodimit në hotelin "Olimpik" të Ulqinit, armata e kuqe menjëherë ka vijuar përgatitjet e fazës së ndërmjetme përgatitore. E premtja ka qenë dita e tretë stërvitore në Mal të Zi për Partizanin, por trajneri Hasan Lika nuk e ka të plotë grupin, pasi dihet se gjashtë futbollistë, Muzaka, Bakaj, Abilaliaj, Dhëmbi, Shkëmbi, Osmani, janë në "zborin" e kuqezinjve, që mbahet në Antalia të Turqisë. Megjithatë, stafi trajnues i të kuqve nuk është dekurajuar nga cungimi i grupit, pasi përgatitjet e skuadrës kanë vijuar ditë pas dite, madje duhet thënë me një intensitet dhe ngarkesë më të lartë. Edhe gjatë ditës së djeshme futbollistët kanë kryer dy seanca stërvitore. Paradite të kuqtë kanë marrë ngarkesë në sallën e forcës, ndërsa pasdite janë paraktikuar në terren. Megjithëse janë ditët e para që Partizani përgatitet në Ulqin, përsëri trajneri Lika së bashku me ndihmësin Dash Gëzdari dhe drejtorin teknik, Bejkush Birçe, kanë përdorur një plan të fortë stërvitor. Me sa duket, drejtuesit nuk duan të humbasin kohë, pasi kërkojnë që ta shfrytëzojnë në maksimum këtë minifazë përgatitore. Pra, trajneri Lika ua ka shtrënguar "rripat" të kuqve, pasi nuk kanë asnjë arsye që të shpërqendrohen, duke ditur që nga e hëna lojtarët i kanë marrë edhe rrogat e prapambetura. Shtimi i ngarkesës stërvitore nuk ka krijuar ndonjë shqetësim te lojtarët, pasi momentalisht gëzojnë një formë të mirë. "Me spostimin e përgatitjeve nga Tirana për në Ulqin, ka ndryshuar edhe regjimi stërvitor i skuadrës. Futbollistët janë të detyruar që të marrin ngarkesë më të madhe, por deri sot (dje) asnjëri prej tyre nuk ka pasur ndonjë shqetësim. Stafi mjekësor po i monitoron lojtarët në mënyrë që gjithkush të marrë ngarkesën që ishte planifikuar para se të niste kjo minifazë përgatitore. Gjithashtu, edhe lojtarët që erdhën me probleme të vogla shëndetësore, si Babamusta dhe Dashi, janë në rrugën e duhur dhe rifillimi i kampionatit do t'i gjejë gati. Shpresoj se kjo situatë e mirë shëndetësore e lojtarëve të na shoqërojë edhe në ditët në vijim, në mënyrë që të gjithë të marrin ngarkesën e duhur," - është shprehur për "Sportin shqiptar" mjeku fizioterapist i të kuqve, Perli Rusi. Kushtet e mira stërvitore që kanë gjetur të kuqtë në Ulqin po ndikojnë pozitivisht dhe shpresohet se pas përfundimit të kësaj minifaze, Partizani të jetë gati për pjesën e dytë të sezonit, që nis më 2 shkurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›