Majko: Raportet me Ramën dhe Nanon
Intervista/ Ish-kryeministri Pandeli Majko komenton zhvillimet politike në vend dhe rajon
“Dialogu me Shqipërinë” është lëvizja e duhur politike që do ta çojë Partinë Socialiste drejt një fitore të sigurt në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ky është vlerësimi që i bënë ish-kryeministri Pandeli Majko turit të kryesocialistit, Edi Rama, duke konsideruar si mjaft pozitiv angazhimin e socialistëve për të ndryshuar raportet e politikës me shoqërinë. Në një intervistë për gazetën, ish-numri dy PS-së i bën një pasqyrim të hollësishëm të gjitha zhvillimeve politike në vend dhe në rajon, ku evidenton çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO apo edhe marrëdhëniet e acaruara të Shqipërisë me Maqedoninë. Majko i bën një analizë edhe marrëdhënieve të PS-së me grupin e të pakënaqurve, siç i konsideron ai mbështetësit e ish-kryeministrit Fatos Nano. Gjithashtu ai tregon dhe për marrëdhëniet e tija me liderin aktual të PS-së, Edi Rama, si dhe me paraardhësin e tij, Fatos Nano.
Z. Majko jemi pothuajse dy muaj para mbajtjes së Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë dhe ftesën për t’u anëtarësuar në NATO. Pas një rrugëtimi kaq të gjatë mendoni se Shqipëria ka arritur standardet e kërkuara, për të qenë anëtare e kësaj organizate mjaft të rëndësishme?
Ajo që mua më ka pëlqyer më tepër të përsëris si bashkëkryetar i Komisionit parlamentar për NATO-n, në takim edhe me përfaqësues të interesuar ndërkombëtarë, lidhur me ecurinë që ka pasur Shqipëria në këtë proces, është përsëritja që i kam bërë idesë se me Samitin e Bukureshtit nuk mbyllet kapitulli i reformave në Shqipëri. Pra, me këtë dua të them se Samiti i Bukureshtit është thjesht një stacion në një rrugë të gjatë, e cila në parim nuk ka për të mbaruar ndonjëherë, pasi shoqëria do të kërkojë në vazhdim reforma. Nëse do flasim për momentin aktual, do të thosha se ia vlen që integrimi në NATO të shihet jo thjesht si një aksion i qeverisë dhe të diskutohen të metat apo të mirat që ajo ka realizuar me qeverisjen e saj, si një matës për këtë integrim, por gjithë procesi duhet parë si një aksion kombëtar nga i cili, në qoftë se do të humbasim, do të jemi të humbur të gjithë dhe nëse do të fitojmë, do të jemi të fituar të gjithë. Kështu që, në këtë pikëpamje, mendoj se edhe rezoluta e propozuar nga opozita vlen të shikohet në këtë këndvështrim. Procesi i integrimit në NATO nuk ka opozitë.
Sa optimist jeni se Shqipëria do ta marrë këtë ftesë në këtë Samit?
Jam optimist, por gjithsesi mendoj se vendimet e natyrave të tilla, përsa i përket eksperiencës që unë kam, merren ndonjëherë edhe në momentet e fundit. Kështu që impenjimi i gjithë klasës politike shqiptare duhet të jetë maksimal. Gjithsesi doja të nënvizoja impenjimin e qeverisë, pasi disa aksione të rëndësishme priten nga ajo dhe vetëm ajo. Këtu nuk shtrohet fjala thjesht për të dhënë vetëm sinjale, por sidomos nga ajo që është nënvizuar dhe nga vëzhgues të ftohtë ndërkombëtarë, është procesi i marrëdhënieve në vendimmarrjen e përbashkët të mazhorancës dhe opozitës përsa i përket procesit të reformave.
Në rast se Shqipëria e humbet këtë mundësi dhe nuk e merr ftesën për t’u bërë anëtare e NATO-s, e kujt do të jetë përgjegjësia dhe ju si ish-ministër i Mbrojtjes, do të merrnit përgjegjësinë tuaj?
As që dua ta mendoj këtë si një variant.
Ndërkohë një çështje tjetër ku ju keni luajtur gjithmonë një rol aktiv, është dhe çështja e Kosovës. Si një njohës i mirë i kësaj çështjeje, si i parashikoni zhvillimet e mëtejshme atje dhe, a duhet Kosova ta shpallë pavarësinë edhe pa u dhënë pëlqimi nga institucionet ndërkombëtare?
Këtu nuk mund të flitet me logjikën e imagjinatës. Tashmë çdo gjë po ecën brenda një realiteti pothuajse të deklaruar nga institucionet e Kosovës, por edhe nga partnerët ndërkombëtar. Pozicioni që pavarësia do të shpallet, as që vihet në dyshim. Gjithë historia e diskutimeve lidhet tani me një çështje procedurale dhe në këtë moment, mendoj që kjo do të jetë një cilësi e re e marrëdhënieve rajonale dhe jo thjesht se do të kemi një akt juridikë ndërkombëtar të njohjes së pavarësisë së Kosovës, por do të jetë një zhvillim i ri në marrëdhëniet ndërfqinjësore të vendeve të Ballkanit. Kjo sidomos parë në kontekstin e integrimit të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, këtu ka një dramë dhe ajo qëndron me palën serbe por gjithsesi i takon asaj ta zgjidhë këtë çështje.
Gjithashtu, ditët e fundit është vënë re një tensionim i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, pas vendimit të kësaj të fundit për të vendosur regjimin e vizave. Në cilësinë edhe të ish-Kryeministrit, si do ta vlerësoni këtë vendim?
I takon qeverisë shqiptare të mbajë një qëndrim sa diplomatik, aq edhe të fortë në këtë çështje. Mendoj se këtu ka një kthim prapa. Unë nuk dua të avancoj shumë në këtë drejtim por do të thosha se përfaqësuesi i BE-së në Shkup, foli shumë qartë lidhur me këtë çështje, pra që çështja e vendosjes së vizave apo procesi i nisur, nuk ka të bëj fare me çështjen e integrimit evropian apo të respektimit të një standardi të BE-së nga ana e Maqedonisë. Mendoj se ka kohë që nga Shkupi po fryjnë erëra të ftohta në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. E kam riktheksuar edhe më parë se nga këto erëra të ftohta, askush të mos mendoj se nëse dikush teshtin në Tiranë, do të ndihet i sigurt apo me shëndet të mirë në Shkup.
Çfarë impakti do të ketë një vendim i tillë, në zhvillimet jo vetëm politike mes dy vendeve?
Mendoj se këtu diskutohen disa gjera që dëmtohen. Së pari, diskutohen në mënyrë shumë të rëndësishme marrëdhëniet mes dy vendeve dhe diskutohen në një moment shumë delikat të integrimit të grupit të A3, ku Shqipëria dhe Maqedonia bëjnë pjesë. Pra është jo normale që në momentin që në Samitin e Bukureshtit pritet një hap integrues i këtyre dy vendeve, nga ana e kryeqytetit të një vendi lëshohen deklarime të natyrave të tilla. Askush nuk e kupton një pikëpamje naive se ku do të dali Shkupi me një politikë të tillë. Por duket se politikat e rastësishme gjithmonë e më tepër po zënë vend në kryeqytetin e Maqedonisë. Më vjen keq që e them këtë, por politikanët e rastësishëm po prodhojnë politika të rastësishme.
Z.Majko, përsa i përket zhvillimeve politike në vend, si do ta vlerësonit rolin e opozitës, sidomos pas zgjedhjes së Presidentit, ku u duk se ajo pësoi një humbje të rëndë?
Mendoj se ka një reflektim lidhur me çfarë ka ndodhur në dy vjet opozitë dhe në këtë kontekst duhen parë dhe lëvizjet e fundit të opozitës. Mendoj se historisë që opozita është e fortë vetëm atëherë kur bën debat apo një politikë të fortë verbale në Parlament, i ka ikur koha. Kjo, për disa arsye. Së pari, sepse tek opozita, në bazë të reflektimit që thashë më sipë,r ka një impenjim të thellë lidhur me menaxhimin e situatës së krizës qeverisëse që ekziston në vend dhe sidomos kriza ekonomike, dhe ky reflektim ka të bëjë dhe me faktin se po shikojmë me detaje, hapat që do të hidhen në prag të përgatitjes së fushatës elektorale të vitit 2009. Fushata e ardhshme elektorale do të jetë një fushatë goxha e komplikuar, jo vetëm lidhur me ndonjë pasojë që mund të kemi në strukturimin e sistemit elektoral në vendimmarrjen e reformës zgjedhore që ka filluar, por lidhur kjo edhe me elementë të ndryshëm elektoralë që u identifikuan me mjaft seriozitet edhe në zgjedhjet lokale. Unë mendoj se komunikimi direkt që po bëhet tani me njerëzit, megjithëse në fillim u prit, pse mos e themi dhe me një lloj ironie, ka filluar të japi moment pozitiviteti tek njerëzit, pasi duhet të pranojmë që ishte krijuar një vakuum në marrëdhëniet mes politikës dhe njerëzve. Dhe kjo e nxori deri diku “kokën” në kuptimin pozitiv edhe në mos pjesëmarrjen e një shtrese të caktuar njerëzisht në zgjedhjet lokale. Kjo u identifikua nga opozita dhe mendoj se në këtë pikëpamje gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Jo thjesht për të thënë vetëm këtë, por e parë edhe në disa drejtime, duket sikur ka një moment antipolitik apo një lloj filozofie antipolitike, në këtë mënyrë të krijimit të marrëdhënieve direkt midis njerëzve dhe politikanëve, por mendoj se kjo në thelb është një ftesë për njerëzit, të cilët realisht politika iu ka dhënë goxha pakënaqësi në rezultatet e saj në këto 17 vjet. Kështu që, unë për vete e shikoj me mjaft optimizëm këtë histori të marrëdhënieve direkte, e cila në fund të fundit më shumë sesa komunikim po sjell stabilizim në marrëdhëniet e politikë së opozitës me shoqërinë shqiptare.
Mendoni se një vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare vetë koalicioni i majtë ka nevojë për një riformatim të tijin, pasi kemi parë shpeshherë aleatë të pakënaqur dhe jo një funksionim si duhet të tij?
Për momentin, opozita po funksionon si frymë politike më shumë sesa një mekanizëm kontraktual. Kështu që edhe qëndrimet e ndryshme janë deri diku të kuptueshme, pasi edhe faza e zgjedhjeve është deri diku larg dhe për momentin çdo parti e opozitës është duke kolauduar vetveten lidhur me strukturat e veta, çështjet organizative dhe me elektoratin e vet. Kështu që këto devijacione nuk besoj se krijojnë problematikë për opozitën, pasi e përsëris që opozita tani bashkëpunimin e ka më shumë në frymën politike që po përçon në publik sesa në elementë të skemave teknike. Mendoj se në një fazë më të dytë kjo do të jetë më evidente, sidomos në prag të zgjedhjeve të vitit 2009.
Një nga çështjet që mbetet ende e pazbardhur plotësisht është pikërisht ajo e zgjedhjes së Presidentit dhe rolit që luajti një pjesë e opozitës në të. Nga analiza juaj personale, si do ta përkufizonit këtë moment dhe cili ishte roli i vërtetë që luajtën disa elementë brenda PS, për të nxjerrë mazhorancën nga kriza presidenciale?
Kam përshtypjen se kudo që kemi shkuar është një çështje që tek njerëzit është mëse e qartë. D.m.th pakënaqësia lidhur me këtë humbje në thelb të opozitës. në momentin kur pritej një element i ri pozitiviteti i bërjes politikë i opozitës. pas identifikimit të fitores në zgjedhjet lokale, është mëse i qartë. Por tani çdo koment i tepërt rreth kësaj situate nuk do të sillte asgjë të re. Njerëzit janë të qartë, kështu që politikanët nuk kanë se çfarë të sqarojnë më shumë për atë që ndodhi në Parlament. Pastaj, jeta është e gjatë, këtu do jemi, do shohim se si do ecin gjërat.
Megjithatë, me këtë moment duket se kulmoi dhe një ndarje midis dy rrymave në PS, të cilat dhe sot e kësaj dite janë në pozicione antagoniste.
Nuk besoj. Historia e rrymave apo e kundërshtive në PS ka pas të bëjë me faza të caktuara të vendimmarrjeve të caktuara. Ndërsa për ta kristalizuar pastaj si një fenomen politik, nuk dua ta quaj ideologjik, kjo kërkon në thelb jo vetëm elementë të një kulture të veçantë politike, por gjithsesi kërkon një mënyrë permanente të të bërit politikë në një drejtim të caktuar, gjë që nuk mund të thuash se kjo ka qenë evidente qoftë në PS apo në parti të tjera. Për momentin, nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një rrymë të konsoliduar brenda PS-së. Si zakonisht, kemi të bëjmë me njerëz që janë të kënaqur apo të pakënaqur lidhur me një veprim të caktuar të një lidershipi të caktuar në PS. Kjo ka qenë dhe është evidente. Pra, nuk është se po konstatohen për herë të parë elementë të një fakti të ri politik brenda PS-së. PS është një familje e madhe, ku edhe zhurma është mëse normale. Por mbase ne, ndryshe nga PD zhurmën e kemi me zë të lartë, ndërsa tek PD-ja e kanë vetëm me shenja dhe pa zë.
Pavarësisht kësaj, kemi dy ture në bazë, pra ai i “Dialogut me Shqipërinë” që zhvillon PS në mënyrë zyrtare dhe atë “Për politikë institucionale” që drejtohet nga ish-kryetari, Fatos Nano.
Jo, mendoj se nuk ka një tur të dytë. Mendoj se ka vetëm një tur që është turi zyrtar i PS-së. Të cilin më shumë se tur do ta konsideroja një mënyrë e të bërit politikë që po kalon PS në marrëdhënie qoftë me veten, qoftë me elektoratin. Një mënyrë që në ballafaqim me njerëzit evidenton problemet, të metat dhe, në fund të fundit, dhe ri-korigjon ato që nuk shkojnë. Është një moment i cili në thelbin e vet rikërkon komunikimin me njerëzit. Ne të gjithë e kemi ndjerë, qoftë ata që mund të konsiderohen të kënaqur apo edhe ata që mund të konsiderohet të pakënaqur, që komunikimi me njerëzit, që edhe si pasoj, deri diku normale do ta konsideroja të qëndrimit tetë vjet në pushtet dhe mbylljes në zyra, tashmë ky është një fakt që ka të bëj me kërkesën për ekzistencë të PS, si forcë e parë politike në vend. Nuk mendoj se një muaj apo dy muaj para fushatës do të ishin të mjaftueshëm për komunikimin e munguar më parë dhe nuk besoj se për një muaj apo dy muaj, ne do të ishim në gjendje përpara fushatës elektorale të 2009 të krijonim një program elektoral. Ajo që kemi nisur tani mund të konsiderohet një pararendje lidhur me këtë situatë dhe besoj se nuk do t’u dukemi si UFO njerëzve në 2009, kur t’u kërkojmë votën për qeverisjen e vendit.
Po kjo linjë të pakënaqurish thuajse është institucionalizuar, pasi kemi një kërkesë zyrtare të tyre, me anë të një promemorieje për rishikimin e statutit dhe thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm. Në tërësinë e vet, a e rrezikon kjo linjë PS-në nga një çarje e re?
Pa dashur asnjë rast të jem cinik, dua të theksoj se mënyra se si u procedua ishte mëse normale edhe nga ata që e paraqitën, pasi i gjithë formulimi i mendimit ndryshe u paraqit në një forum kryesor siç është Asambleja. U diskutua, u votua dhe u mor vendimi dhe besoj se që atëherë gjerat kanë rrjedhur shumë më qetë se më parë.
Megjithatë, kemi një kërcënim prej këtij grupimi, për krijimin e një Partie të re Socialiste. Sa të realizueshëm e shihni këtë mundësi?
Nuk besoj.
Z.Majko njiheni si një politikan me luhatje të mëdha politike, ngritje të mëdha dhe më pas zbritje si në parti, ashtu dhe në qeverisje. Vlen të përmenden zhvillimet gjatë vitit të fundit. Aktualisht si i keni marrëdhëniet me kryetarin e PS-së, Edi Rama?
Për arsye të marrëdhënieve të politikës mendoj se nuk bëj përjashtim nga politikanët e tjerë. Luhatjet shpeshherë vlerësohen me pozicionet që kam pasur. Por unë nuk jam kujdesur për pozicionin por për opinionet e mija. Sepse në politikë kam hyrë me opinionet e mia dhe nëse do dal një ditë, do dal përsëri me opinionet e mija. Kështu që këto luhatjet e natyrave të tjera i konsideroj jo në kuptimin e rëndësishëm të fjalës. Mendoj se ato janë gjeja më normale në politikë, nuk mund të jesh i përjetshëm në një post dhe i fiksuar pas një karrige. Në politikë ajo që të bënë të identifikueshëm është opinioni dhe unë atyre i jam përkushtuar më shumë.
Po përsa i përket marrëdhënieve me Ramën?
Me Ramën? Normale. Nuk mund të diskutohet këtu një histori marrëdhëniesh, kur kemi të bëjmë me vendimmarrje të përbashkëta. Jemi duket punuar për një qëllim të përbashkët dhe nuk besoj në këtë pikëpamje se mund të diskutohen histori debatesh.
Po me ish-kryetarin Nano?
Unë mund të t’ju flas për marrëdhëniet e mia me shumë shokë e miq, por nuk besoj se ndokush është i interesuar nëse unë pi kafe apo spi kafe, ha drekë apo nuk ha drekë me Nanon apo se cila është menyja e drekës. Mendoj se këto gjera janë pjesë e teprisë së një kurioziteti që nuk prodhon asgjë. E përsërisë, se PS është një familje e madhe dhe secili ka vendin e vet, ka prodhuar historinë e vet dhe do t’i respektohet ajo pjesë që është pjesë e të gjithëve.
Përsa i përket çështjes së “Dialogut me Shqipërinë” ekziston një debat në distancë lidhur me hartimin e programit qeverisës, ku natyrisht temë e diskutimit është nëse ai duhet të hartohet në bazë apo në qendër. Komenti juaj?
Unë e thashë dhe më lart se procesi në pamje të parë duket pak si i panatyrshëm. Por kjo duhet parë si rezultat i një situate jo normale të politikës me njerëzit. Zhvillimet sociale në Shqipëri kanë qenë kaq të ethshme dhe të shpejta, çka ka bërë, që ka sjellë një moment vakuumi në marrëdhëniet e politikës me votuesit. Dalja nga kjo gjysëm kllapi nuk mund të vijë me metoda normale teorike. Ajo që dua të theksoj, është se përballja në këtë situatë, me një mënyrë që shpesh zbret apo troket në kufijtë e antipolitikës që kritikon gjithë politikën, duket në fakt sikur bën dëm por që në fakt ka gjetur një lloj trajtimi të problemit, i cili në thelb kërkon të kthejë besimin e njerëzve tek politika. Ky rikthim nuk bëhet me metoda apo konferenca shtypi apo me elemente që ne i kemi njohur, por me një zhvillim i cili në radhë të parë duhet të jetë i qartë dhe intrigues. Pra, ne nuk është se po bëjmë një kontakt të thjeshtë me njerëzit, por është një proces që ka të bëjë me komunikimin, me ndërtimin e një programi, me njohjen e njerëzve me përfundimet etje. Pra në dy muajt e fundit para fushatës ne nuk do të shkojmë tek njerëzit për të sqaruar se kush jemi dhe çdo bëjmë, por do të diskutojmë përfundimet e këtij dialogu, në një proces ku ata vetë kanë qenë prezent me ta. Dhe kjo mendoj se do të jetë një nxitje për cilindo qoftë, edhe me mentalitet të djathtë, për ta bërë atë që të përfshihet në një proces të cilin unë me shumë kënaqësi e vë re jo vetëm te ajo që artikulon Rama, por edhe drejtues të tjerë në PS, për të shmangur ato kufizimet e vjetra midis të majtës dhe të djathtës. Këtu është një mënyrë e re e trajtimit të politikës me njerëzit, e cila në thelb do të shmang handikapin e dikurshëm të ndarjes së militantëve në të majtë dhe të djathtë, pa njohur programet e tyre.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve dhe pas 2 vjet e gjysëm opozitë, si do ta vlerësonit drejtimin e PS-së nga Edi Rama?
Në këtë histori politike që po zhvillohet në PS rezultati i 2009 është deciziv dhe puna për këtë është sa e padukshme, aq e dhe e dukshme për publikun. Mendoj se angazhimi në vazhdim po vjen në intensitet në rritje. Për mua kjo që ka nisur është shumë më tepër sesa bërja politikë në sallën e Parlamentit. Tendenca për ta nxjerrë parlamentin në plan të dytë, nuk ka të bëjë thjesht me faktin se PS nuk do të bëj opozitë në Parlament. Por pas zgjedhjeve lokale PS kërkon të bëjë të qartë pikërisht, faktin se partia kryesore në Shqipëri është PS-ja.
Dua t’i rikthehem edhe një herë çështjes së Presidentit. Pas më shumë se gjashtë muaj nga zgjedhja e tij, a mund të konsiderohet ai një President mbi palët?
Për fat të keq, kemi një President i cili e ka filluar me një start jo shumë të qartë moral. Nuk po diskutoj legjitimitetin apo kushtetutshmërinë e procesit. Ai është simbol i kombit dhe pa diskutim secili, dhe në çdo rast, kur flet për Presidentin e vendit të vet, është i rezervuar për të shprehur dhe pakënaqësinë më minimale. Unë nuk mund të fsheh në bindjen time se Bamir Topi po shfaqet si një president ende gri, një president që shpeshherë shihet si pjesë e balancave brenda PD-së duke i kushtuar më shumë vëmendje drekave dhe darkave që ai shtron me kolegët e vet të grupit parlament të PD-së, sesa lëvizje të mirëfillta të një Presidenti i cili do të kishte të bënte me vendosjen e balancave sa më pozitive për reformat midis pozitës dhe opozitës.
Kjo më shumë për shkak të mënyrës se si u zgjodh apo të veprimit të mëparshëm të tij?
Të dyja proceset kanë ushqyer njëra-tjetrën. Unë shpresoj që kjo të ndryshojë, se të zgjidhesh President, kjo nuk do të thotë që je President. Çdo ditë bëhesh nga pak më tepër president sesa një ditë më parë. Ky është një proces ku kritika duhet parë si një element për të ndryshuar.
Partitë politike janë përfshirë në një proces reformash si ajo zgjedhore dhe ajo në sistemin e drejtësisë. Përsa i përket reformës zgjedhore ju personalisht kë sistem dhe prag elektoral mbështesni?
Jemi duke diskutuar dhe në kryesinë e PS-së e kemi diskutuar me goxha shqetësim këtë çështje. Çdo sistem ka të mirat dhe të këqijat e veta sepse çdo sistem që diskutojmë sot është mbartës të funksionimit të demokracisë në shoqëritë e Perëndimit. Ajo që është shqetësuese është se ne marrim një sistem nga një vend perëndimor dhe më pas i shtojmë ato momentet e interesave partiake duke bërë që shpesh sistemi të pikoj probleme. Për momentin mund të them se për sistemin është gjetur një gjuhë e përbashkët dhe më shumë tani po shihen element anësor, që në fund të fundit kanë të bëjnë me shmangien e elementit të “Dushkut”. Ajo që mbetet për t’u zgjidhur dhe që mund të konsiderohet “Thembra e Akilit” është zgjidhja e problemit të Kartave të Identitetit dhe listat e votuesve.
Z.Majko, si do ta vlerësonit qeverisjen e djathtë? Opozita nisi disa protesta në muajin dhjetor, prej të cilave duket se shumë shpejt hoqi dorë. Ka të bëjë kjo me një ndryshim të klimës qeverisëse apo me një përmirësim të qeverisjes?
Nuk besoj se historia e qeverisjes së PD-së ka të bëj për momentin me ndonjë element të ndonjë evolucioni pozitiv në qeverisje. Përkundrazi, një gënjeshtër që përsëritet nuk ka se si të bëhet kurë e vërtetë. Aktualisht Shqipëria qeveriset nga një grup kryetarësh partish që për fat të keq, nga ana menaxheriale lënë shumë për të dëshiruar. Nuk dua të themi se kemi të bëjmë në çdo rast me një situatë mizerabël të qeverisjes, por në disa fusha situata është vajtuese. Dhe kjo ka të bëjë thjesht me vendimmarrjen, cilësitë e njeriut që përfaqëson një post të caktuar në qeverisje. Siç duket balancat apo ekuilibrat që ekzistojnë, qoftë edhe brenda koalicionit apo qoftë brenda PD-së, e bëjnë situatën edhe më të marzhinalizuar.
Çdo ditë e më shumë po flitet për ndryshime në qeveri...
Ajo që më shqetëson mua, është niveli i ulët i diskutimit të konceptit të ndryshimit. Më shumë po diskutohen emrat sesa përmirësim të qeverisjes. Më tepër po diskutohet vendosja e balancave të reja midis grupeve të caktuara politike brenda së djathtës sesa po diskutohen elementë të efikasitetit të qeverisjes në Shqipëri. Kjo është një krizë që ka filluar tani brenda së djathtës, por ka filluar të rritet sepse doktor Berisha po përgatitet për një pension normal.
Gjithashtu, flitet dhe për një luftë klanesh brenda PD-së. Mendoni se po përsëritet e njëjta histori që ka ndodhur më parë edhe në PS?
Lufta e klaneve nuk vjen si një revoltë karshi Berishës, por vjen si një diskutim brenda hapësirave të interesave ndonjëherë edhe ekonomike brenda PD-së. Kjo në thelb ka bllokuar edhe procesin e qeverisjes. Kjo përplasje klanesh, më tepër sesa me një diskutim normal të përmirësimit të qeverisjes, ka të bëjë më tepër me bllokimin e qeverisjes. Ndryshe nga PS, aty historia është pa zhurmë.
Për Kosovën
“Tashmë çdo gjë po ecën brenda një realiteti pothuajse të deklaruar nga institucionet e Kosovës, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Pozicioni që pavarësia do të shpallet as që vihet në dyshim. Gjithë historia e diskutimeve lidhet tani me një çështje procedurale dhe në këtë moment, mendoj që kjo do të jetë një cilësi e re e marrëdhënieve rajonale”.
Për Maqedoninë
“Mendoj se ka kohë që nga Shkupi po fryjnë erëra të ftohta në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. E kam riktheksuar edhe më parë se nga këto erëra të ftohta, askush të mos mendojë se nëse dikush teshtin në Tiranë, do të ndihet i sigurt apo me shëndet të mirë në Shkup”.
Për Opozitën
“Për momentin opozita po funksionon si frymë politike më shumë sesa një mekanizëm kontraktual. Kështu që edhe qëndrimet e ndryshme janë deri diku të kuptueshme pasi edhe faza e zgjedhjeve është deri diku larg dhe për momentin, çdo parti e opozitës është duke kolauduar vetveten lidhur me strukturat e veta, çështjet organizative dhe me elektoratin e vet”.
Për rrymat në PS
“Historia e rrymave apo e kundërshtive në PS, ka pas të bëjë me faza të caktuara të vendimmarrjeve të caktuara. Për momentin, nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një rrymë të konsoliduar brenda PS-së. Si zakonisht, kemi të bëjmë me njerëz që janë të kënaqur apo të pakënaqur lidhur me një veprim të caktuar të një lidershipi të caktuar në PS. Kjo ka qenë dhe është evidente”.
Për Ramën
“Me Ramën? Normale. Nuk mund të diskutohet këtu një histori marrëdhëniesh, kur kemi të bëjmë me vendimmarrje të përbashkëta. Jemi duket punuar për një qëllim të përbashkët dhe nuk besoj në këtë pikëpamje se mund të diskutohen histori debatesh”.
Për Presidentin
“Unë nuk mund të fsheh në bindjen time se Bamir Topi po shfaqet si një President ende gri, një President që shpeshherë, më shumë shihet si pjesë e balancave brenda PD-së duke i kushtuar më shumë vëmendje drekave dhe darkave që ai shtron me kolegët e vet të grupit parlament të PD-së, sesa lëvizje të mirëfillta të një presidenti i cili do të kishte të bënte me vendosjen e balancave sa më pozitive për reformat midis pozitës dhe opozitës”.