PS-LSI, replika në distancë për Libofshën
Vizita e fundit e kryesocialistit Edi Rama në Libofshë të Fierit ka sjellë edhe një herë në në vëmendje të opinionit publik debatin e hershëm midis PS-së dhe LSI-së, për mbizotërim politik në këtë zonë. Dy kryetarët e partive zonale të komunës së Libofshës, ai i Partisë Socialiste, Naun Doko dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Koli Zaka, kanë replikuar dje në distancë me njëri-tjetrin në lidhje me çështjet e diskutuara nga socialistët gjatë takimit që kreu i selisë rozë zhvilloj në këtë zonë vetëm dy ditë më parë, në kuadër të “Dialogut me Shqipërinë”. Ka qenë kërkesa e socialistëve të kësaj komune drejtuar kryesocialistit Edi Rama që gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, PS duhet të kandidojë me një kandidat të vetin dhe të mos ia lërë aleatëve, ajo që ka hapur debatin midisi dy partive aleate. Lidhur me këtë kryetari i LSI-së në Libofshë, Koli Zaka ka reaguar duke u shprehur se në takim, përveç problemeve sociale ishte diskutuar edhe për problemet politike, të cilat janë përplasjet që ka pasur PS me LSI-në në këtë zonë. “Duke iu referuar kësaj fjale që unë e kam dëgjuar ne media, mund të them se ballafaqimi jonë, i cili është bërë vitin e shkuar, tregoi se LSI është forcë e parë, duke mundur të gjitha formacionet e tjera politike së bashku, ku LSI konkretisht ka fituar mbi 52 për qind. Pra këtu nuk bëhet më fjalë per PS. Por mendoj që këtu duhet të dalë një e majtë e bashkuar”,- u shpreh kreu i LSI-së së zonës, Koli Zaka. Ndërsa kryetari zonal i Partisë Socialiste Libofshë, Naun Doko lidhur me diskutimin e hapur është treguar i kujdesshëm, duke vënë në pah nevojën që ka opozita për bashkim.
“Debatet e hapura në gjirin e opozitës nuk i shërbejnë bashkimit të së majtës, megjithëse janë shprehje e lirisë së shprehjes”,- u shpreh kreu socialist i zonës, Naun Doko.