E Shtunë, 31 Tetor 2026

Di Karlo i mohon sërish Bogdanit ndeshjen e 300-të

Seria A

I mungon vetëm një aktivizim në Serinë A, që Erjon Bogdani të plotësojë numrin 300 të ndeshjeve zyrtare që kur ka mbërritur në Itali në vitin 2000. Njeriu që nuk e lejon arritjen e kësaj shifre nga sulmuesi shqiptar i Kievos, është trajneri i ekipit veronez, Mimo Di Karlo. Ai nuk e ka aktivizuar për asnjë minutë Bogdanin në takimin e djeshëm, të luajtur në San Siro kundër Interit kryesues, i cili përfundoi me fitoren 4-3 të zikaltërve. Edhe pse skuadrës së Kievos nuk është se i interesonte rezultati, pasi tashmë e ka siguruar qëndrimin në Serinë A për sezonin e ardhshëm, tekniku nuk ka menduar t’i japë një shans shqiptarit. Bogdani nuk aktivizohet prej disa ndeshjesh radhazi, edhe pse nuk i mungon forma e mirë, por marrëdhënia jo e mirë me trajnerin, e detyron atë të qëndrojë në stolin e rezervave. Kjo situatë vazhdon që nga momenti, kur sulmuesi shtatlartë iu nënshtrua një operacioni në mollëzat e fytyrës pas një dëmtimi të pësuar në një ndeshje te Kievos në fazën e dytë. Gjithsesi e ka edhe një shans të fundit, në javën e 38 të Serisë A, ku Kievo do të luajë në Olimpiko ndaj Romës.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›