E Shtunë, 31 Tetor 2026

Di Lellio Thaci te kerkoje hetim

Ish-konsulentja e OKB-së në Kosovë komenton akuzat e Dik Martit për UÇK-në

Anna Di Lellio është një emër i njohur në Kosovë. Ajo është një sociologjiste dhe gazetare, e cila ka shërbyer në Prishtinë si konsulente e Kombeve të Bashkuara, duke kryer një sërë detyrash. Që prej vitin 1999, Di Lellio është një observuese dhe njëkohësisht raportuese e ngjarjeve të atjeshme, duke i publikuar ato nëpër gazetat më me emër në Europë dhe Amerikë.  Aktualisht ajo është profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin “New School” të Nju Jorkut.

Cili është mendimi juaj rreth akuzave tejet të rënda në raportin e Dik Martit?

Nuk mund të komentoj me saktësi rreth këtyre akuzave, pasi nuk e kam lexuar raportin. Ato janë thjesht akuza bazuar në thënie të ndryshme, të cilat meritojnë një hetim të plotë, në mënyrë që cilido më pas të komentojë rreth tyre.

Gjatë kohës që keni punuar në Kosovë, a keni dëgjuar rreth të tilla krimeve monstruoze që të kenë ndodhur gjatë luftës, siç përshkruhen në raport?

Jo. Kurrë nuk kam dëgjuar të tilla gjëra. Unë kam mbërritur në Kosovë në vitin 1999, ekzaktësisht në përfundim të luftës. Përpara se të mbërrija atje, isha në kampet e refugjatëve në Shqipëri. Kurrë nuk kisha dëgjuar të tilla gjëra, por e para herë që kam dëgjuar ishte në vitin 2004, kur akuza të tilla u bënë publike nga Karla Del Ponte, e cila hetoi këto akuza, por pa sukses. Është disi e çuditshme që po të njëjtat akuza ringrihen përsëri.

A besoni se raporti në vetvete ka prova të mjaftueshme ku t’i mbështesë akuzat?

Jo. Raporti nuk paraqet ndonjë provë. Është thjesht i bazuar në gojëdhëna të ndryshme. Mendoj se do të jetë në interes të zotit Thaçi si ish-udhëheqës i UÇK-së, të kërkojë një hetim të plotë. Unë nuk dua të them që jam 100% e sigurt, por jam shumë e sigurt se asgjë nuk ka për t’u vërtetuar apo gjetur në këto akuza të përmendura në raport.

Pas publikimit të këtij raporti, mendoni se komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka arsye të forta për të nisur një hetim kriminal?

Po,  besoj se janë arsye të forta për një hetim të tillë nga Këshilli i Europës. Është në interes të personave të përmendur në raport të nisë një hetim që do të provojë pafajësinë e tyre. Nuk e kuptoj pse njerëzit janë të mërzitur nga e gjithë kjo histori. Këto akuza janë të ngjashme me ato të ngritura në “Librin e Bardhë”, që flet për terrorizmin shqiptar, të publikuar në anglisht nga ministrja e Jashtme serbe disa vite më parë. Ky ishte një libër që tentonte të kriminalizonte UÇK-në, gjithë luftën e tyre, pa pasur asnjë provë.

Pa dyshim që ky raport ka dëmtuar figurën e zotit Thaçi, njëkohësisht imazhin e Kosovës. Zoti Thaçi i ka mohuar të tilla akuza. Cila do të jetë rruga më e mirë që ai ta pastrojë emrin e tij nga këto akuza?

Mendoj se ai duhet të kërkojë një hetim. Nuk duhet t’i frikësohet asnjë hetimi. Nëse ai e bën një gjë të tillë, atëherë përveçse do të pastrojë emrin e tij, njëkohësisht kjo do të vlejë për të gjithë. Të tilla akuza u ngritën disa vite më parë, por kurrë nuk u materializuan në prova. Janë shfaqur përsëri. Vetëm një investigim i plotë do t’i qetësojë ata që përmenden në të.

Si pasojë e zhvillimeve më të fundit, besoni se tani zoti Thaçi do ta ketë akoma më të vështirë të ulet në tavolinën e dialogut me Beogradin, ashtu siç edhe ka kërkuar komuniteti ndërkombëtar?

A mendoni se kjo do të ishte një gjë e lehtë, për t’u ulur në të njëjtën tavolinë dhe për të negociuar me Serbinë? Nuk e besoj një gjë të tillë. Njëkohësisht, nuk besoj se këto zhvillime përbëjnë ndonjë ndryshim të madh. Çështjet që shtrohen për t’u biseduar kanë të bëjnë me çështje të tjera, dhe jo me këto akuza. Zoti Thaçi në ato bisedime do të përfaqësojë vendin e tij, jo UÇK-në apo veten.

Si e shpjegoni interesin e madh të mediave britanike rreth këtij lajmi dhe veçanërisht të gazetës “The Guardian”, në të cilën ju shkruani shpesh?

Lajmi mbetet lajm. Një lajm i keq është gjithmonë një lajm i mirë. Ju jeni gazetar dhe e dini këtë. Mendoj se ky nuk është një lajm i ri. Për shembull, “BBC” ka raportuar një lajm për “Shtëpinë e Verdhë”, e cila është në qendër të historisë së tregtisë së organeve. Është një histori interesante, e cila ka ngjallur interes për t’u ndjekur. Do të jetë një zhvillim interesant për këto gazeta dhe televizione serioze të arrijnë të zbulojnë që këto akuza kanë baza, të cilat në fund të fundit janë gazetari investigative.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›