E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Ponte kerkon hetime por jo nga shqiptaret

Ish-prokurorja “Hetimet duhet të kryhen nga EULEX-i”

Pas deklaratave për tregti organesh, ish-prokurorja e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, kërkoi hapa juridikë. Hetimet për këto çështje penale megjithatë nuk duhet të kryhen nga autoritetet e Kosovës, ose të Shqipërisë, u shpreh Del Ponte. “Ata që tani thanë se të gjithë janë të pafajshëm”, tha ambasadorja e sotme e Zvicrës në Argjentinë, të enjten, në bisedë me agjencinë gjermane të lajmeve DPA. “Në diskutim për këtë mund të vijë vetëm misioni i BE-së Eulex, në Kosovë, por i cili duhet të pajiset për këtë punë”, shtoi Del Ponte.

Ajo tha se “hetimet duhet të tregojnë, nëse ka vërtet dëshmi për këto pohime”. Ajo konfirmoi njëkohësisht se pas përfundimit të punës së saj si Kryeprokurore, kishte mësuar "e tronditur" se në Tribunal ishin zhdukur dëshmi për heqjen eventuale të organeve. "Kanë qenë prova të gjakut, shami, fotografi dhe gjëra të tilla të ngjashme nga Shtëpia e Verdhë në Rribe në Shqipërinë e Veriut", kujton Del Ponte. “Për ne ishte atëherë e qartë se në shtëpi kishte ndodhur diçka mjekësore”. Hetimet fillestare të Tribunalit atëherë patën ngecur në vend, sepse Shqipëria e kishte ndërprerë bashkëpunimin. Veç kësaj, dëshmitarët nuk kishin pranuar të dëshmonin. Ata "kishin frikë, sepse qenë vrarë disa nga dëshmitarët tanë".

Dyshimet e saj Del Ponte i pati publikuar për herë të parë në një libër të botuar në vitin 2008. Si qeveria e Shqipërisë, ashtu edhe pala kosovare i patën kritikuar ashpër, si të pabaza dyshimet dhe akuzat e Karla del Pontes, të shprehura në libër. Prej pohimeve të Del Pontes u distancua në atë kohë edhe Tribunali i Hagës për Krime Lufte.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›