DiCarlo: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme

"…e ardhmja e përbashkët si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë, dhe për të gjithë kombet e Ballkanit Perëndimor, është në anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Europian…"
Ambasadorja e SHBA-ve pranë KB-ve në Nju Jork, Rosemary DiCarlo, ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe se tashmë Kosova është në rrugëtim drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe strukturat e tjera euroatlantike, ndërsa tërhoqi vërejtjen se strukturat paralele serbe në veri vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin e Kosovës.
Në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të premten mbrëma, diplomatja amerikane ka përsëritur mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, të njohur nga 65 vende të botës, ndërsa ka përshëndetur progresin e arritur në terren dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit.
“Ne e mbështesim Kosovën në fuqizimin e ligjit dhe demokracisë së saj, dhe mbështesim aspiratat e të gjithëve për t’u integruar në Europë dhe në të gjitha strukturat euroatlantike”, ka thënë DiCarlo, duke përgëzuar popullin e Kosovës për vazhdimin e implementimin e planit të Ahtisaarit.
DiCarlo gjithashtu ka përshëndetur edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, si dhe formimin e tri komunave të reja serbe, ndërsa ka shprehur bindjen se së shpejti do të mbahen zgjedhjet edhe në dy komunat e reja me shumicë serbe, të cilat parashihen të formohen sipas planit të Ahtisaarit.
Ajo tërhoqi vërejtjen se strukturat paralele serbe në veri vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin e Kosovës.
“Autoritetet e paligjshme të themeluara në veri edhe në vitin 1999, ato vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin e Kosovës”, ka thënë DiCarlo, ndërsa ka përmendur edhe ndërhyrjen e kompanisë elektroenergjetike të Serbisë në veri të Kosovës, duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhet.
Duke përkujtuar se Kosova ka shënuar progres në raportet e saja me vendet fqinje, DiCarlo tha se Prishtina zyrtare ka vendosur raporte diplomatike me Malin e Zi dhe ka përfunduar demarkacioni me Maqedoninë, ndërkohë që Kosova ka dhënë ndihmë edhe në zonat e përmbytura në veri të Shqipërisë.
Hyseni: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE
Shefi i diplomacisë së Kosovës Skënder Hyseni, ka akuzuar Serbinë se po vazhdon mbështetjen për strukturat paralele serbe, ndërsa emërimin e të ashtuquajturve gjykatës dhe prokurorë për gjykatat në Kosovë nga Beogradi zyrtar e ka quajtur një sulm tjetër të rëndë në sistemin e drejtësisë.
Ai këto komente i bëri të premten mbrëma në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është debatuar për raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate Ban Ki-Mun për gjendjen në Kosovë.
Ministri Hyseni ka vlerësuar se viti që lamë pas ka qenë i suksesshëm për Kosovën në shumë rrafshe, duke rikujtuar anëtarësimin në instancat e rëndësishme ndërkombëtare financiare, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.
Një tjetër sukses, ai ka përmendur edhe vazhdimin e njohjeve të Kosovës nga vendet e botës.
“Sa u përket marrëdhënieve me shtetet e tjera, 65 shtete nga e mbarë bota tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Njohjet më të fundit kanë ardhur nga Zelanda e Re, Republika e Malawit dhe Republika Islamike e Mauritanisë, ndërsa Kosova ka hyrë në marrëdhënie diplomatike me mbi 25 shtete nga e mbarë bota”, ka thënë ai.
Për më tepër, kryediplomati kosovar ka potencuar se Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e suksesshme në adresimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve nga fusha e ekonomisë, drejtësisë dhe sigurisë në të gjithë Kosovën, ndërsa mirëqenia e komuniteteve pakicë, si dhe kthimi i refugjatëve në shtëpitë dhe pronat e tyre ka qenë prioritet, dhe përparimi i arritur gjatë vitit 2009 është i dukshëm.
“Përmirësimi i kushteve në rajonet e komuniteteve pakicë, veçanërisht në komunat me shumicë serbe mbetet një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe gjatë këtij viti. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të veçanta për të intensifikuar tutje kthimin e refugjatëve serbë të Kosovës dhe për mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore”, ka thënë ministri Hyseni.
Ai theksoi se Kosova dhe Serbia mund të zhvillojnë dialog për çështje të interesit të përbashkët dhe vetëm në nivel të barabartë, si midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Ministri Hyseni ka hedhur poshtë mundësinë e negociatave për statusin, duke përkujtuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale.
Ministri Hyseni ka folur edhe për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të parat këto në Kosovën e pavarur, të cilat kanë kaluar të qeta, derisa pjesëmarrja e komuniteteve jo-shumicë, përfshirë edhe serbët ishte e konsiderueshme, gjë që është dëshmi se përkundër presionit të Qeverisë së Serbisë, serbët e Kosovës gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë.
Ai ka folur edhe për procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, seancat dëgjimore të së cilës janë mbajtur në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, ku 14 vende kanë depozituar deklaratat në favor të Kosovës dhe 12 në favor të Serbisë.
“Pasi të gjitha deklaratat drejtuar Gjykatës tashmë janë në dispozicion të publikut, më lejoni që të theksojë se, Republika e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata, që në rast se e sheh të përshtatshme që të përgjigjet në kërkesën për një mendim këshilldhënës, sipas rezolutës 63/3 të Asamblesë së Përgjithshme, të gjejë se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk ka qenë në kundërshtim me asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare. Ne kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Hyseni.
Për më tepër ministri Hyseni ka deklaruar se pavarësisht krimeve dhe terrorit që ka ushtruar Serbia ndaj shqiptarëve, Kosova është e përkushtuar për të shikuar nga e ardhmja, duke përkujtuar se e ardhmja e përbashkët si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë, dhe për të gjithë kombet e Ballkanit Perëndimor, është në anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Europian.
“Ne po ashtu shikojmë kah dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si anëtar i Kombeve të Bashkuara. Zotimet e shprehura në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tonë, demonstrojnë vullnetin tonë për të marrë përgjegjësitë e këtij anëtarësimi. Në vijë me këtë, Qeveria ime së fundi u pajtua për një projektligj që i mundëson Kosovës të zbatojë sanksionet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, është shprehur Hyseni.
Duke vlerësuar gjendjen e sigurisë në Kosovë të qetë dhe stabile, ministri Hyseni ka potencuar se gjendja në veri mbetet çështje shqetësuese, për çka ka fajësuar Serbinë.
“Ndërhyrja skajshmërisht përçarëse e Qeverisë së Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe mbështetja për strukturat paralele ka vazhduar. I ashtuquajturi nominim i gjykatësve dhe prokurorëve për gjykatat në Kosovë i kohëve të fundit nga autoritetet e Serbisë ishte një sulm tjetër i rëndë në sistemin e gjykatave të Kosovës, siç duket me qëllimin e qartë të minimit të procesit në vazhdim të decentralizimit dhe themelimit të komunave me shumicë serbe. Ky është po ashtu një tentim për të bllokuar dhe minuar përpjekjet e përbashkëta të EULEX-it dhe Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë Kosovën përmes ndërtimit të institucioneve shumetnike. Ndërhyrja e vazhdueshme destabilizuese e Serbisë në vendin tim është e papranueshme dhe ajo duhet të marrë fund”, ka thënë Hyseni.
Tadiq: Plani për veriun, “provokim i rrezikshëm”
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka dënuar ashpër planin e zgjidhjes përfundimtare për pjesën veriore të Kosovës, duke vlerësuar atë si të “panevojshëm dhe provokim të rrezikshëm”, e cila sipas tij rrezikon stabilitetin e brishtë në Kosovë.
Ai këto komente i bëri të premten në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet mbi raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Mun për gjendjen në Kosovë, në tre muajt e fundit.
Tadiq ka vlerësuar se plani për integrimin e veriut, të propozuar nga Zyra Ndërkombëtare Civile në Kosovë parasheh shumë politika të koordinuara dhe aksione, qëllimi i të cilave është që komuniteti serb në veri të pranojë pavarësinë e Kosovës, me çka, sipas presidentit serb, “shkelet në mënyrë flagrante” Rezoluta 1244 e KS të Kombeve të Bashkuara.
Për më tepër Tadiq tha se Serbia dënon ashpër “provokimet e panevojshme dhe të rrezikshme” të Prishtinës, duke vlerësuar se kjo nuk është mënyra për përballjen me sfidat, duke pasur parasysh përpjekjet e mëdha të Serbisë dhe traktorëve të tjerë përgjegjës në ruajtjen e stabilitetit të brishtë.
“Zgjidhja përfundimtare e Prishtinës për veriun nuk do të sjellë asgjë të mirë për ata që jetojnë atje”, ka thënë ai.
Tadiq vlerësoi se retorika e ashpër e Prishtinës ndaj strukturave paralele serbe në veri nuk i kontribuon stabilitetit në atë pjesë të Kosovës.
“Duke folur për to si për institucione paralele, përfaqësuesit e EULEX-it nuk respektojnë statusin eksplicit të mandatit të tyre neutral dhe shkelin Rezolutën 1244”, tha Tadiq.
Sipas tij, institucionet “e vetme paralele” në Kosovë janë ato që “janë krijuar në bazë të shpalljes së njëanshme të pavarësisë dhe se ekzistimi i tyre paraqet shkelje të Rezolutës 1244”.
Tadiq ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se Serbia nuk do të njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka falënderuar të gjitha ato vende që ende nuk kanë njohur Kosovën.
Duke folur rreth procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, presidenti Tadiq shprehu bindjen se këtë vit do të mund “të zgjidhet çështja e statusit në mënyrën e cila do të kontribuojë në avancimin e prioriteteve rajonale, sikur ajo e anëtarësimit në Bashkimit Europian”.
Për sa i përket planit gjashtëpikësh, Tadiq tha se ende nuk janë ndërmarrë hapa konkretë politikë në zbatimin e pjesëve të këtij plani, të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe doganat.
Tadiq ka shprehur keqardhje që në raportin e Ban Ki-mun nuk përmendet se zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë ishin “ilegale”, pasi ato nuk janë shpallur nga shefi i UNMIK-ut dhe nuk janë vëzhguar nga OSBE-ja.
Gjithashtu, ai ka theksuar se në raportin e Ki-Mun nuk përmendet as lehtësimi i hyrjes dhe transporti i zyrtarëve serbë në Kosovë, duke përkujtuar se kohë më parë se ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviq është ndaluar të vizitojë komunën e Shtërpcës.
Zanier: Kosova veriore vazhdon të mbetet një pikë e dobët
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, ka thënë se emërimi i gjykatësve në veri të Kosovës nga ana e Serbisë pengon shpërbërjen e strukturave paralele serbe, ndërsa pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet pikë e dobët, pavarësisht asaj se gjendja e sigurisë në gjithë territorin e Kosovës është stabile.
Në fjalën e tij para vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, Zanier ka prezantuar raportin e punës tremujore të UNMIK-ut, në të cilin ka shpjeguar zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në këtë raport përfshihen mbajtja e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit të organizuara nga Prishtina zyrtare, ku pjesëmarrja e serbëve, me përjashtim të veriut, ka qenë më e lartë krahasuar me veriun ku serbët kanë bojkotuar zgjedhjet.
Zanier ka potencuar të rëndësishëm faktin se pas zgjedhjeve lokale janë formuar tri komuna me shumicë serbe.
Për sa i përket zhvillimeve në veri të Kosovës, Zanier tha se tensionet vazhdojnë të mbeten në raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, gjë që është dëshmuar edhe me rastin e rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve, të cilat janë penguar nga serbët lokal.
“Ka vazhduar rindërtimi i shtëpive të shqiptare në veri, ndonëse ato janë penguar nga serbët”, ka thënë Zanier, i cili një shqetësim tjetër ka ndarë edhe atë të furnizimit me energji elektrike në veri, pasi prej fundit të vitit të kaluar në këtë pjesë furnizimin me rrymë ka nisur ta bëjë Elektroekonomia e Serbisë.
Shefi i UNMIK-ut një problem tjetër shqetësuese që ka ngritur është vazhdimi i mos funksionimit të gjykatave multietnike në veri, duke përmendur faktin se emërimi i gjykatësve nga Serbia po pengon shpërbërjen e strukturave paralele serbe.
Zanier ka thënë se kthimi i të zhvendosurve nuk është në nivel të kënaqshëm dhe se ende nevojitet punë për të bërë në këtë drejtim, sikurse edhe në çështjen e personave të pagjetur, ku janë kthyer vetëm 33 mbetje mortore te familjet e tyre.
Një avancim pozitiv sipas Zanier është shënuar në fushën e trashëgimisë kulturore, duke shprehur gatishmërinë e UNMIK-ut që të bashkëpunojë me një emisar të Bashkimit Europian, i cili pritet të emërohet, në lidhje me këtë çështje.
Pjesëmarrja e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar dhe rajonal, ka shtuar Zanier, janë me interes të bashkëpunimit rajonal dhe të vetë Kosovës, andaj i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar që në këto raste të mos e pengojë pjesëmarrjen e Kosovës dhe të lë çështjen e statusit anash.
Zanier ka thënë se OSBE-ja dhe EULEX-i janë duke vazhduar punën e tyre në ato fusha që më parë i ka kryer UNMIK-u në pajtim me mandatin e Rezolutës 1244, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e UNMIK-ut që të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in për konsolidimin e paqes në Kosovë. /Kosovapress/