E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK në Prizren, braktiset nga AKR

Aleanca për Kosovën e Re nuk do ta mbështesë në zgjedhjet e 31 janarit kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prizrenit, Hanefi Muharremin.
Kështu është vendosur të premten mbrëma, pas një mbledhje të Kryesisë së Degës së AKR’së në Prizren, e ku kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

“Kryesia e Degës së Aleancës Kosova e Re në Prizren, me kërkesë të Qendrës, ka marrë vendim për të ndërpre koalicionin parazgjedhor me LDK’në në këtë komunë. AKR në Prizren, nuk do të mbështes LDK’në në balotazh për zgjedhjet lokale”, thuhet në një komunikatë të AKR’së.

AKR kishte mbështetur kandidatin e LDK’së në raundin e dytë të garës për Kryetar të Komunës. Marrëveshja mes dy partive është menduar se do të vlejë edhe me 31 janar, kur prizrenasit do t’iu drejtohen kutive të votimit për herë të tretë për të zgjedhur Kryetarin e Komunës.

Burime të Express thonë se AKR ka vendosur që ta prish koalicionin me LDK’në në shenjë hakmarrje që kjo parti nuk e mbështeti kandidatin e saj për Kryetar të Mitrovicës, Nexhmedin Spahiun me 13 dhjetor.

“Ne e kemi mbështetur LDK’në në Prizren dhe kemi pritur që edhe ajo do të na mbështesë ne në Mitrovicë. Por kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë për gazetën një anëtar i Kryesisë së AKR’së, në kusht anonimiteti.

Gara për kreun e ri të Komunës së Prizrenit është jashtëzakonisht e ngushtë. Dallimi në raundin e dytë të zgjedhjeve mes kandidatit të PDK’së, Ramadan Mujës dhe atij të LDK’së, Hanefi Muharremit ka qenë jashtëzakonisht e ngushtë.

Në këtë kontekst, lëvizjet e fundit të AKR’së mund t’i kushtojnë LDK’së.

Por kështu nuk mendon Hanefi Muharremi.

“Jo nuk besoj se do të ndikojë kjo”, ka deklaruar ai për Express, të premten mbrëma.

Muharremi është shprehur se nuk është i informuar që AKR ka vendosur që mos ta mbështesë me 31 janar.

“Ne nuk kemi dëgjuar asgjë për këtë punë. Këtu disa na lajmëruan për këtë, por detajet nuk i di. Nesër ndoshta i marrim vesh. Me mua nuk ka biseduar askush për këtë punë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, burime të Express brenda AKR’së, kanë konfirmuar se kjo parti qysh të shtunën (sot) do të fillojë negociatat me Partinë Demokratike të Kosovës për ta ndihmuar kandidatin e saj Ramadan Mujën në zgjedhjet e 31 janarit.

Nijazi Kryeziu, anëtar i Kryesisë së PDK’së në Prizren, tha se AKR është e mirëpritur në koalicion me PDK’në.

“Ne e kemi pritur që do të ndodhë kjo. Ne mendojmë se AKR e ka vendin në koalicionin tonë që e kemi me subjektet tjera politike. AKR ka qenë partnere në qeverisjen tonë për dy vitet e kaluara dhe i ka dhënë shumë procesit. Ne do të bëjmë ofertë serioze për AKR’në dhe do të vazhdojmë së bashku të qeverisim aty ku e kemi lënë”, tha Kryeziu, për Express.

Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, AKR në Prizren ka fituar rreth 13 për qind të votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›