E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nervozohet Lushta

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta është nervozuar të premten, kur gazetarët e kanë pyetur rreth abstenimeve të saj të vazhdueshme.

“Lidhur me abstenimin tim, unë po kërkoj nga të gjithë të mos më pyetni më”, iu është drejtuar ajo gazetarëve, pas mbledhjes së KQZ’së.

“Unë e kam të drejtën e votës, sikurse secili anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor. Unë jam gjyqtare, jam institucion i pavarur. Ju lutem, mos bëni spekulime në këtë drejtim”, ka shtuar ajo.

Megjithëse Lushta kërkoi që mos të pyetet më rreth kësaj çështjeje, abstenimi i saj i fundit që rezultoi me mosmiratimin e rezultateve të procesit të rinumërimit të votave të Gjilanit, e ka futur KQZ’në në qorrsokak.

Dhe, nga ky qorrsokak, KQZ’ja s’ka mundur të dalë as të premten.

Madje, për Gjilanin, ky institucion as që ka diskutuar fare. “Sa i përket çështjes së Gjilanit, kjo çështje nuk ka qenë sot në rendin e ditës dhe nuk kam me ju thënë asnjë risi. Në momentin kur KQZ’ja merr ndonjë vendim, do të jeni të informuar”, ka deklaruar Kryetarja e KQZ’së.

Ajo tha se në këtë takim është diskutuar rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve në Prizren dhe Lipjan më datën 31 janar.

“Ne konsiderojmë se përgatitjet për rivotim në Komunën e Prizrenit dhe Komunën e Lipjanit janë duke shkuar ashtu siç e kërkon ligji. Sipas raporteve që jemi duke i marrë nga Sekretariati dhe Zyra për Regjistrimin Partive Politike, nuk kemi ndonjë ngecje apo ndonjë vështirësi në përgatitje, qoftë të akreditimit të vëzhguesve ose të punëve të tjera që po bëhen lidhur me këto dy komuna”, shtoi ajo.

Lushta ka folur edhe rreth rekomandimeve të Komisionit Europian për thjeshtëzimin e zgjedhjeve në Kosovë. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rekomandimin e KE’së e përkrah në mënyrë të plotë, për arsye se ligji kërkon reforma shumë themelore, ashtu që ne jemi pajtuar me këtë rekomandim për ndryshime në procesin zgjedhor”.

Kryetarja e KQZ’së komentoi edhe deklaratat e fundit të Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se “KQZ’ja ka marrë vendime politike dhe të pabazuara në ligj”.
“Nuk është mirë që një gjë e tillë të thuhet”, tha Lushta, duke shtuar se gjithmonë vendimet e KQZ’së kanë qenë të bazuara në ligj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›