Thirrje për destabilitet

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi mbrëmë për raportin tremujor të sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki-Moon, lidhur me gjendjen në Kosovë. Raportin, i cili përfshin periudhën 16 shtator - 15 dhjetor 2009, e prezantoi shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier.
Ai e vlerësoi situatën e përgjithshme të sigurisë si të qetë, por të ndjeshme. Ndërkohë që veriu i Kosovës, sipas tij, vazhdon të mbetet pikë e dobët. Në këtë pjesë, tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve janë dëshmuar edhe me rastin e rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, që u penguan nga serbët lokalë.
Problem tjetër shqetësues është furnizimi me energji elektrike në veri, pasi prej fundit të vitit të kaluar, në këtë pjesë furnizimin me rrymë ka nisur ta bëjë Elektroekonomia e Serbisë. Zannier ka thënë se kjo çështje mund të nxisë tensionet dhe bëri thirrje për marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Zannier shprehu brengën edhe për vazhdimin e mosfunksionimit të gjykatave multietnike në veri. Ai theksoi se emërimi i gjykatësve nga Serbia po pengon shpërbërjen e strukturave paralele serbe.
Nga ana tjetër, lajm i mirë është vlerësuar mbajtja e zgjedhjeve komunale të 15 nëntorit, të organizuara për herë të parë nga kosovarët. Zannier e quajti inkurajuese pjesëmarrjen e serbëve, e cila ka qenë më e lartë, me përjashtim të veriut, se në zgjedhjet e kaluara.
Zannier i bëri thirrje Beogradit që të mos e pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë dhe rajonalë dhe të lërë çështjen e statusit anash.
Në këtë mbledhje, Kosovën e përfaqësoi shefi i diplomacisë, Skënder Hyseni. Ai foli për të arritura dhe përparim të qëndrueshëm në Kosovë, të bërë prej mbledhjes së fundit të Këshillit më 15 tetor të vjetëm.
“Mirëqenia e komuniteteve pakicë, si dhe kthimi i refugjatëve të Kosovës në shtëpitë dhe pronat e tyre ka qenë prioritet, dhe përparimi i arritur gjatë vitit 2009 është i dukshëm... Ne do të intensifikojmë tutje kthimin e refugjatëve serbë të Kosovës dhe mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore”.
Hyseni ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij që të përmirësojë marrëdhëniet edhe me Serbinë. Por ka theksuar se dialogu mund të zhvillohet për çështje të interesit të përbashkët, vetëm në nivel të barabartë.
“Ne refuzojmë çfarëdo thirrje për rifillim të negociatave për statusin. Për më tepër, ne vlerësojmë se thirrjet për ripërtëritje të negociatave për statusin e Kosovës vijnë nga njerëz që janë, qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin. Negociatat e reja do të ishin tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojnë konflikt të ri në rajon”.
Duke folur për mbajtjen e zgjedhjeve të organizuara nga Prishtina, Hyseni theksoi se ato ishin shumë të rregullta dhe paqësore.
“Pjesëmarrja e komuniteteve joshumicë në këto zgjedhje ishte e konsiderueshme. Prej 74 entiteteve të certifikuara për të garuar në këto zgjedhje, 40 sosh përfaqësojnë komunitete të ndryshme pakicë. 22 ishin entitete politike të serbëve të Kosovës. Kjo është dëshmi e qartë se, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë për bojkot, serbët gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë”, ka thënë Hyseni.
Hyseni akuzoi Beogradin për ndërhyrje përçarëse dhe mbështetje të strukturave paralele.
“I ashtuquajturi nominim i gjykatësve dhe prokurorëve për gjykatat në Kosovë nga autoritetet e Serbisë ishte një sulm tjetër i rëndë në sistemin e gjykatave të Kosovës, siç duket me qëllimin e qartë të minimit të procesit në vazhdim të decentralizimit dhe themelimit të komunave me shumicë serbe. Ky është po ashtu një tentim për të bllokuar dhe minuar përpjekjet e përbashkëta të EULEX-it dhe Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë Kosovën përmes ndërtimit të institucioneve shumetnike. Ndërhyrja e vazhdueshme destabilizuese e Serbisë në vendin tim është e papranueshme dhe ajo duhet të marrë fund”.
Para Hysenit, ka folur presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Ai ka dënuar ashpër planin e zgjidhjes përfundimtare për pjesën veriore të Kosovës, duke vlerësuar atë si të “panevojshëm dhe provokim të rrezikshëm”. Tadiç ka vlerësuar se ky plan synon që të detyrojë komunitetit serb në veri të pranojë pavarësinë e Kosovës, të cilën ai e quajti krahinë serbe. Serbia i dënon ashpër “këto provokime të panevojshme dhe të rrezikshme” të Prishtinës.
“Institucionet e vetme paralele në Kosovë janë ato që janë krijuar në bazë të shpalljes së njëanshme të pavarësisë dhe se ekzistimi i tyre paraqet shkelje të Rezolutës 1244”.
Tadiçi përsëriti edhe një herë qëndrimin se Serbia nuk do të njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës.
Tadiçi konsideron se çështja e Kosovës është ende e hapur dhe se duhet të zgjidhet me negociata. Në këtë kontekst, ai tha se Serbia po pret vendimin e GJND-së lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. “Është hera e parë që kjo gjykatë do të marrë vendim nëse një komunitet minoritar mund të shpallë një vendim të tillë”.
Presidenti serb ka shprehur keqardhje që në raportin e sekretarit Ban nuk përmendet se zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë ishin “ilegale”, pasi ato nuk janë shpallur nga shefi i UNMIK-ut dhe nuk janë vëzhguar nga OSBE-ja.
Në paraqitjen para KS-së, Tadiçi akuzoi Prishtinën se po ua ndalon lëvizjen e lirë zyrtarëve të saj. Ai përmendi rastin e ministrit Bogdanoviç, i cili nëpër përcjelljen e Policisë së Kosovë s’është lejuar të vizitojë Shtërpcën.
“Bogdanoviç ka pyetur pse po e përzënë, por s’ka marrë përgjigje. I është thënë që prezenca e tij rrezikon situatën e sigurisë...Absurd në Europën e shekullit 21”.
Tjetër “ankesë” e kreut të shtetit serb ka qenë mosfurnizimi me rrymë i banorëve të pjesës veriore, të cilët nuk kanë paguar që prej paslufte.
Ndryshe nga disa vende që s’e kanë njohur ende Kosovën, të cilët i janë drejtuar përfaqësuesit të Kosovës me “zotëri Hyseni” përfaqësuesi francez, ai britanik, amerikan etj. e kanë theksuar funksionin e tij të plotë si ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe tha se çështja e energjisë në veri, nuk ka nevojë të politizohet, por qytetarët duhet të paguajnë. Për përfaqësuesin e Rusisë, situata në Kosovë mbetet e pandryshueshme dhe rezoluta 1244 mbetet në fuqi. Edhe Kina ka folur për “gjetjen e një zgjidhjeve nëpër negociatave”. Nga ana e saj, përfaqësuesja amerikane, Rosemary DiCarlo, përgëzoi Kosovën për mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve, themelimin e komunave të reja dhe pjesëmarrjen e komunitetit serb. “Presim themelimin e dy komunave të mbetura serbe dhe mbajtjen e zgjedhjeve atje”.