E Diel, 1 Nëntor 2026

Diabeti, zbulohet një pajisje e re në ndihmë të pacientëve



Zbulohet një pajisje e re në ndihmë të pacientëve me diabet. Bëhet fjalë për aparatin e quajtur pankreas artificial, i cili ka potencialin të ndihmojë këdo që vuan nga diabeti i tipit 1, apo i tipit 2, si dhe këdo që ka nevojë për insulinë. Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se mbi 180 milionë vetë në botë vuajnë nga diabeti dhe se kjo shifër mund të dyfishohet brenda 20 vjetësh. Shumë diabetikë duhet të ndërpresin aktivitetin e përditshëm për të kontrolluar nivelin e gjakut disa herë në ditë dhe për të injektuar insulinë, kur nivelet në gjak janë anormale. Por pjesa më e madhe e tyre do të preferonin një metodë tjetër dhe tani një pajisje e re u ka ofruar shpresë.
Rasti
14-vjeçarja Sara Carlow është me diabet. Ky është një fakt i pranishëm thuajse në çdo moment të jetës. “Kontrolloj nivelin e gjakut mesatarisht 10 apo më shumë herë në ditë. Para se të ha mëngjes, drekë apo darkë. Kontrolloj nivelin para se të bëj sport. Më duhet të kontrolloj edhe nivelin e karbohidrateve”,- tregon Sara. Duke kontrolluar këtë nivel në të gjithë ushqimet dhe pijet që konsumon, Sara arrin të llogarisë sasinë e insulinës që duhet të injektojë. Por kohët e fundit kjo adoleshente u pajis me një pankreas artificial që e përmbush këtë funksion. “Të çlirohesh nga nevoja e përditshme, madje e çdo minute për të kontrolluar nivelin e gjakut... Nëse vërtetë kjo realizohet do të kem një jetë si përpara; do të ishte mrekulli”,- shprehet pacientja 14-vjeçare. Sara ishte një ndër 17 adoleshentët me diabet të tipit 1, të cilët u pajisën me pankreasin artificial në Spitalin Pediatrik Yale-New Haven.
Pajisja
Pajisja përdor një ndjesor për të kontrolluar nivelin e glukozës dhe një pompë që injekton nivelin e nevojshëm të insulinës. Dr.Stuart Weinzimer i Spitalit Pediatrik Yale-New Haven thotë se pankreasi artificial mund të përdoret në të ardhmen edhe nga diabetikë të tjerë. Studiuesit thonë se insulina jepej vetëm me recetë nga mjeku. Por pankreasi artificial rezultoi shumë i saktë në ruajtjen e nivelit të insulinës deri në 16 orë. Kjo pajisje vazhdoi të pomponte insulinë në trup gjatë ushtrimeve fizike, ngrënies dhe në gjumë. Shkencëtarët planifikojnë të zhvillojnë prova në kushte më normale me pacientë jashtë spitalit.

Lidhja që ekziston midis pankreasit dhe insulinës
Pankreasi është një gjëndër në bark që lëshon një lëng tretës (lëngun pankreasor) në zorrën dymbëdhjetëgishtore përmes një ose më shumë tubëzave. Pankreasi prodhon edhe disa hormone të rëndësishme, duke përfshirë edhe insulinën. Pankreasi është një organ në formë pyke me gjatësi rreth 14-20 cm, gjerësi 4 cm, shpesh 1,5 - 2 cm dhe 65 - 80 g i rëndë (tek gratë peshon pak më lehtë) dhe ka ngjyre të kuqërreme ose të përhirtë kur është në fazën e veprimtarisë së dendur prodhuese. Ai gjendet pas shtyllës kurrizore. Për shkak të vendosjes së thellë, pankreasi nuk është lehtë i kapshëm nga vëzhgimet mjekësore dhe sëmundjet e tij janë në përgjithësi të rënda dhe të vështira. Sëmundjet më të shpeshta janë: ndezje (pankreatit i thjeshtë, necrotik ose hemorragjik) tumoret, cistet, diabeti dhe gurët në veshka, tëmth etj. Insulina është një hormon që prodhohet nga gjëndra e pankreasit. Ajo luan rol kyç në përpunimin e sheqerit nga organizmi ynë, duke bërë të mundur futjen e tij në qelizat indore. Në të njëjtën kohë, insulina njihet prej të gjithëve si preparat medikamentoz, që përdoret për mjekimin e sëmundjes së diabetit të sheqerit. Në këto raste duhet treguar kujdes i veçantë, pasi kjo neglizhencë nga ana e të sëmurit mund të shkaktojë dëme të mëdha deri në infektim të gjakut. Me përparimin e sëmundjes mund të bëhet e domosdoshme kryerja e një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas studimeve të kryera kohët e fundit, një në tre të sëmurë të prekur nga sëmundja e pankreasit janë të detyruar t i nënshtrohen operacionit.

Dy tipat e diabetit dhe pankreasi
Diabeti është sëmundje ku trupi (pankreasi) nuk prodhon në mënyrë efektive insulinë, një hormon i nevojshëm për kthimin e glukozës dhe ushqimeve të tjera në energji. Kur insulina nuk prodhohet aq sa duhet nga pankreasi, kemi grumbullim të sheqerit në gjak. Nëse lihet i patrajtuar, diabeti mund të çojë në disa probleme mjekësore serioze, përfshirë këtu sëmundje zemre apo goditje në tru.

Tipi 1
Pankreasi prodhon pak ose aspak hormonin insulinë
Tipi 2
Pankreasi nuk prodhon aq sa duhet insulinë dhe/ose nuk është kaq efecientë sa duhet të prodhojë. Kjo quhet “insulinë-rezistencë”. Diabeti i tipit 2 është tipi që preken më shumë të rriturit

Këshilla ushqimi për diabetikët
Diabetikët duhet ta marrin ushqimin ditor gjashtë herë në ditë
Konkretisht në mëngjes, në orën 10:00, në drekë, në orën 16:00, në darkë dhe në orën 22:00 para gjumit
Ushqimi i marrë në orën 10:00, 16:00 dhe 22:00 si rregull është i pakët dhe quhet vakt i vogël
Buka duhet të përdoret në të tria vaktet kryesore, mëngjes, drekë dhe darkë
Ushqime të tjera rekomandohen janë si më poshtë:
Në mëngjes: djathë, qumësht, gjizë, vezë, sallame, salsiçe etj.
Në drekë: mishi dhe produktet e tij, peshku, sallame të ndryshme, gjellë me zarzavate jeshile, frutat etj.
Në darkë: djathë, gjizë, kos, qumësht, salsiçe, sallame, gjellë me zarzavate etj.

Studimi
Kakao përmirëson funksionin e enëve të gjakut te diabetikët
Një filxhan kakao e pasuruar me sasi shtesë të antioksidantëve mund ta përmirësojë funksionimin e enëve të gjakut te personat me diabet, kanë njoftuar shkencëtarët gjermanë. Studimi i realizuar në Klinikën Universitare të Aachenit, ka treguar se konsumimi ditor i tre filxhanëve me lloje të kakaos të cilat përmbajnë sasi më të madhe të antioksidantit flavanol, mund ta kthejë funksionin normal të enëve të gjakut për vetëm një muaj. Sipas revistës, Journal of the American College of Cardiology, niveli i lartë i sheqerit te personat me diabet mund ta dëmtojë murin e enëve të gjakut dhe në këtë mënyrë ta zvogëlojë fleksibilitetin e tyre, rrit shtypjen e gjakut dhe rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru. Flavanolet, janë antioksidantë të pranishëm në disa pemë dhe perime, çajin e gjelbër dhe verë, ndërsa shkencëtarët besojnë se ndikimi i tyre në sistemit vaskular bazohet në lidhjen e tyre me oksidin e azotit, lidhje kimike e cila është e rëndësishme për zgjerimin dhe ngushtimin e enëve të gjakut. Studiuesit në studim kanë përdorur një lloj të kakaos e cila tani për tani nuk është në shitje.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›