Berisha sulmon përfaqësuesit e pronarëve: Janë një grup grabitqarësh
Kryeministri sulmon ashpër përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” në lidhje me kontradiktat për ligjin “Për privatizimit e trojeve të fshatrave turistikë”. Në miratimin në parim të këtij projektligji në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Berisha sulmoi ashpër zërat kundër kësaj nisme, të cilat kanë ardhur nga shtresa e ish-pronarëve. Sipas tij, do të realizohet një shitje e pronave mbi bazën e çmimeve të tregut real të trojeve. E gjithë kjo veprimtari është veprimtari e taksueshme qartësisht. Sipas Berishës: “Këta zotërinj, borgjezë të rinj do të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj shtetit qindarkë për qindarkë. Këto para do t’i kalojnë fondit të kompensimit të pronarëve”. “Këtu është fjala për pronarët e vërtetë, e jo për ata që u kanë marrë edhe vëllezërve të tyre me dokumente të falsifikuara edhe pjesën e fundit që u takonte. Ata nuk janë pronarë, por janë një grup i përçudnuar, të cilët do të kundërshtojnë çdo nismë që merret dhe çdo përpjekje të kësaj qeverie për t’u afruar zgjidhjes së problemit të madh dhe e bëjnë këtë vetëm për t’i shpëtuar sherrit familjar dhe për t’u thënë se fajin e ka Qeveria dhe jo ata që kanë grabitur tokën”, deklaroi Berisha. Ai shtoi se kjo shtresë në vend që të përshëndesë nisma të tilla, pasi këtu do të krijohet një fond, por e sulmojnë atë. “Nuk mund të them se sa do të jetë, të dalin ish-pronarët më ekstremistë se të gjithë të tjerët, 5 apo 6 persona, të stisur dhe të nxitur sikur gjoja përfaqësojnë pronarët, por ata përfaqësojnë grabitqarët e trojeve familjare dhe këta nuk do t’i dëgjojmë ndonjëherë”, theksoi Berisha. Për kreun e qeverisë e tërë kjo veprimtari e shitblerjeje së vilave në fshatrat turistike është kryer në kundërshtim flagrant me kontratën që ata kanë me shtetin. “Atëherë u mendua që t’i jepet zgjidhje këtij problemi dhe zgjidhja është që borgjezia e re të paguajë truallin me çmim tregu, të paguajë dhe mjedisin tjetër të përbashkët, në mënyrë që ato të shndërrohen në fshatra të atyre që banojnë aty me të gjitha rregullat që duhet të përcaktojnë, se përndryshe zhvilluesit do të mund të keqshfrytëzonin çdo pëllëmbë tokë të tyre. Por zhvilluesit kanë krijuar një evazion të madh fiskal, nuk kanë paguar, nuk janë përgjigjur për të gjitha këto transaksione që ka bërë autoriteti tatimor”, tha Kryeministri. Ndërsa përfaqësuesit e “Pronësi me Drejtësi” e kanë cilësuar një nismë të tillë si në konflikt interesi, pasi pjesën më të madhe të këtyre vilave në fshatrat turistikë i kanë pushtetarët e sotëm dhe të djeshëm.