Blinte marijuanë në Lazarat, zbulohet shpërndarësi i Gjirokastrës
Gjirokastër – Dozat e vogla të marijuanës ishin synimi i një trafikanti droge nga Fieri, i cili jeton prej kohësh në Gjirokastër. Policia konstatoi se ai e tregtonte drogën te të rinjtë e qytetit jugor. Për të dyshuarin si tregtar nuk ishte e vështirë sigurimi i mallit, pasi lënda e parë sigurohej fare afër, nga Lazarati, ku 38-vjeçari Vasil Rizvo u zbulua se blinte marijuanën, që më pas e përgatiste në sasi të vogla dhe i shiste “te tregu i pakicës së qytetit”. Duke marrë të dhëna nga specialistët e Antikrimit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër kreu mëngjesin e djeshëm një aksion në lagjen “Zinxhira” të qytetit për të kapur dhe arrestuar në flagrancë Vasil Rizvon. “Nga ana e specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar ishte marrë një informacion në rrugë operative se në banesën e Vasil Rizvos ndodhej një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit marijuanë, ndaj vendosëm të ndërhyjmë”, - thanë për gazetën burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Nga ana e specialistëve të Antidrogës është ushtruar një kontroll i imtësishëm në banesën e Rizvos, i cili, në fakt, i kishte marrë masat duke e fshehur drogën e sapoblerë në Lazarat. Pasi u krye kontrolli i imtësishëm rezultoi se në korridorin e banesës, poshtë një tavoline, gjendeshin katër qese plastmasi me ngjyrë blu në brendësi të së cilave kishte secila nga gjysmë kilogrami lëndë narkotike, ku pesha e përgjithshme rezultoi 2 kilogramë marijuanë. Policia tha se “është bërë shoqërimi i Vasil Rizvos në ambientet e Drejtorisë së Policisë, ku u kryen veprimet e para hetimore, nga të cilat rezultoi se sasinë e lëndës narkotike e ka blerë në fshatin Lazarat, për ta shitur më pas në doza të vogla, përdoruesve të ndryshëm të lëndëve narkotike në Gjirokastër”.
20 Gusht 2009