E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Tirana: S’provokuam, bashkimi i shqiptarëve në kuadër të integrimit

 

Tirana zyrtare i ka kthyer menjëherë përgjigje akuzave serbe, se deklarata e kryeministrit Berisha për unifikim kombëtar ishte provokim, duke e mohuar këtë. Ministria e Jashtme shqiptare i ka kthyer përgjigje palës serbe, ku iu bë e qartë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë provokimi ndaj Serbisë. “Deklarata vë në dukje se bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës bazohet në respektin e ndërsjellë, i cili vjen natyrshëm dhe ka për yll polar, integrimin evropian. Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë janë të vendosur që të ecin përpara me liberalizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave dhe uljen e barrierave”, thuhet në notën pasuese të MPJ shqiptare. Më tej përgjigjja vazhdon se, “politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë, ndjek në politikën e saj të jashtme, në mënyrë konsekuente objektivat e përbashkëta për integrimin euroatlantik të vendit dhe Republikës së Kosovës”. Reagimi iu ka mbërritur autoriteteve në Beograd. Në notën e Tiranës sqarohet se Republika e Shqipërisë beson dhe mbështetet fort në idenë se bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit dhe se Republika e Shqipërisë është e hapur për çdo nismë që synon integrimin rajonal. Në këtë kuptim, ajo ka aplikuar heqje të njëanshme të regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Serbisë, përgjatë sezonit turistik”. Në fund të notës zyrtare të MPJ nuk harrohet të ftohet edhe Republika e Serbisë, si vend fqinjë, që të bashkëpunohet në drejtimin e liberalizimit të lëvizjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›