Qeveria e re, shtyhen negociatat PD-LSI
Shtyhen negociatat zyrtare mes dy krerëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Të paralajmëruara për t’u zhvilluar në ditën e sotme, negociatat zyrtare mund të zhvillohen në mes jave, ose të hënën e ardhshme. Edhe pse dy liderët Berisha dhe Meta kanë përfunduar pushimet dhe janë kthyer në Tiranë, takimi ndërmjet tyre është shtyrë. Gjatë kësaj periudhe është përfolur për disa ndarje të posteve ndërmjet LSI-së dhe PD-së, por ende nuk ka ndonjë gjë konkrete. Përflitet që LSI do të marrë tre ministri në kabinetin e ri qeveritar, të cilat mund të përfshijnë disa prej dikastereve si Drejtësia, Arsimi, Shëndetësia, Bujqësia ose Ekonomia. Ndërsa një gjë e tillë pritet të vendoset konkretisht në takimin zyrtar mes Berishës dhe Metës. Kreu i PD-së pritet të marrë përsipër edhe drejtimin e Qeverisë për herë të dytë. Pritet të ketë negociata të tjera me Partinë Republikane dhe Partinë për Drejtësi dhe Integrim. Këto dy parti kanë përfaqësues të tyre në Kuvend. Nga ana e saj PR-ja synon që të marrë një post të rëndësishëm ministror, duke dhënë sinjale për mos marrjen në konsideratë të një portofoli të nivelit të dytë siç është edhe Ministria e Mjedisit. Republikanët synojnë Ministrinë e Shëndetësisë, ose të Ekonomisë. Por nuk përjashtohet mundësia që dikasteri i Bujqësisë t’i kalojë republikanëve, partisë që mbron interesat e pronarëve. Ndërsa PDI-ja ish partia tjetër që ka bërë kërkesë publike për marrjen e një posti ministror. Për këtë parti përflitet Ministria e Punës, dikaster që historikisht ka qenë në duart e PBDNJ-së kur ky subjekt ishte si në qeverisjen e majtë, ashtu dhe në të djathtën.