E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialog i komplikuar

Nga Shpend Limoni më 16 qershor 2011 në ora 08:29


Fernando Gentilini thotë se dialogu Kosovë-Serbi është i komplikuar. Ai pohon se ndarja dhe Veriu aktualisht nuk janë në tryezën e bisedimeve. Por, nuk përjashton asgjë në mënyrë kategorike. Në një intervistë për Express, Përfaqësuesi Special i BE’së në Kosovë, thotë se kosovarët duhet të bëhen europianë në shtëpi, nëse e duan të ardhmen europiane.

Express: I patëm më shumë se dy muaj dialog, u tha se pala kosovare dhe ajo serbe po kalojnë mirë dhe se po bisedojnë në frymë konstruktive. Çka ndodhi, pse u shtynë takimet pikërisht në kohën kur u formuluan draftëmarrëveshjet e para. Edita Tahiri akuzoi palën serbe për këtë...
Gentilini: Së pari më lejoni t’ju them se me çka ka të bëjë dialogu. Dialogu ka të bëjë me përmirësimin e bashkëpunimit, përmirësimin e jetës së njerëzve, largimin e pengesave në rrugën drejt BE’së, për të dyja palët. Është e vërtetë se është bërë një punë shumë e mirë, është arritur mjaft progres në identifikimin e problemeve, në zgjidhjet e mundshme të cilat janë europiane. Çështje tani është marrja e vendimit. Siç e kam thënë edhe më parë, këto biseda janë si një garë. Nganjëherë metrat e fundit janë më të vështirat. Është vendosur që të shtyhet dialogu deri në fund të muajit për t’u dhënë më shumë kohë të dy palëve dhe ekspertëve të të dyja palëve me ndihmën e BE’së për t’u përgatitur më mirë për takimet e ardhshme, sepse ne të gjithë, dy palët dhe BE’ja si lehtësuese, do të donim që takimi i ardhshëm të prodhojë rezultate konkrete. Kështu që kjo është arsyeja pse takimi i caktuar për këtë javë është shtyrë, për t’u dhënë dy palëve më shumë kohë që të definojnë çështje të caktuara, teknikalitete të caktuara dhe që ekspertët të punojnë më shumë.

Express: Pra, Edita Tahiri bëri zhurmë të panevojshme, apo ju nuk po doni ta akuzoni Borko Stefanovicin për shtyrje?
Gentilini: Shikoni, ne punojmë shumë mirë me Edita Tahirin dhe ekipin e saj. Kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe mendoj se, kjo është eksperienca ime sepse unë jam duke e përcjellë dialogun që nga fillimi, se të dyja palët janë duke punuar shumë mirë mes veti dhe gjithmonë në një frymë konstruktive. Unë nuk dua të komentoj se çka ka thënë Edita Tahiri. Nuk kam për të thënë diçka rreth kësaj. Vetëm dua të them se ne kemi vendosur që ta shtyjmë, sepse ne të gjithë menduam se është shumë më mirë që të kemi një takim më vonë që të kompletojmë përgatitjet që në shumë fusha bëhet fjalë për përgatitje teknike.

Express: Po i bie që negociatorët nganjëherë janë joseriozë?
Gentilini: Jo, siç e thashë. Kjo nuk është diçka e lehtë. Këto bisedime nuk janë të lehta, sepse çështjet janë të komplikuara, të vështira dhe kërkojnë mjaft angazhim. Mendoj se të dyja palët janë duke punuar mirë dhe unë kam respekt për të dyja palët për punën që janë duke e bërë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›