E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX, ua mësyn serbëve

EULEX po heton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Ish-ministrat serbë që e kanë udhëhequr atë, nuk pranojnë se janë të përfshirë në keqpërdorime. Derisa Sasha Rasic shfajësohet se nuk ka qenë në post, në periudhën për të cilën dyshohet se janë bërë dallaveret, Branislav Grbic thotë se ka qenë staf politik, jo civil. Nga Jeton Musliu & Nexhmije Ahmeti më 16 qershor 2011 në ora 08:33

Tre ish-ministra të komunitetit serb, të cilët kanë drejtuar Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, nga e marta në mesditë kanë arsye të brengosen.

Hetuesit e EULEX-it ia kanë mësyrë këtij dikasteri, ngjashëm sikur para një viti Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.

Bastisja në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është bërë nën dyshimin se aty janë kryer vepra të ndryshme penale, që kanë të bëjnë me shpërdorim detyre zyrtare.

Edhe në këtë rast, zyrtarët e EULEX-it, sikurse në rastin e ish-Ministrisë së Transportit, nuk tregojnë se ndaj kujt në të vërtetë janë drejtuar hetimet.
Krejt çfarë ata thonë, është se bastisja është kryer nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, përvetësim, si dhe marrje e dhënie e ryshfetit.

“Bastisjet u kryen në kontekst të një hetimi për korrupsion lidhur me disa tenderë ndërmjet vitit 2007 dhe 2009”, thuhet në njoftimin zyrtar të EULEX-it.

Potencialisht nën hetime mund të jetë ish-ministri Branislav Grbic, i cili në krye të këtij dikasteri ka qenë në vitin 2007.

Por, ai nuk pranon të flasë shumë në lidhje me këtë çështje, sepse emri, sipas tij, nuk i është përmendur.

“Unë isha ministër para dy vjetësh dhe nga ajo kohë askush nuk më ka pyetur asgjë, as EULEX-i, as Agjencia Kundër Korrupsionit, askush”, thotë Grbic për Express.

“Tekefundit, unë isha staf politik dhe nuk kam lidhje se çfarë ka mundur të bëjë stafi civil”, thekson ai.

Pas Grbicit, ministër ishte emëruar Boban Stankovic, i cili disa muaj më vonë, në vitin 2008, kishte dhënë dorëheqje.

I fundit që ka drejtuar Ministrinë, në periudhën për të cilën EULEX’i dyshon se janë kryer keqpërdorime, është Sasha Rasic, i cili në këtë post ka qëndruar nga nëntori 2008 deri në shkurt të këtij viti.

Por Rasic, i cili aktualisht është zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka reaguar menjëherë të martën nëpërmjet Zyrës për Media të kësaj ministrie.

Sipas dy fjalive të shkruara në komunikatën shpërndarë mediave, Rasic thotë se ai nuk ka të bëjë asgjë me hetimet që janë duke u kryer nga EULEX’i.
“Periudha kur z. Rasic ka qenë ministër në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete është nga nëntori i vitit 2008 deri në shkurt të vitit 2011”, thuhet në këtë deklaratë.

Duket që Rasicit i është përzier periudha që përfshin hetimi, sepse EULEX’i ka sqaruar se bastisjet janë bërë nën dyshimin e kryerjes së keqpërdorimeve nga viti 2007deri më 2009.

Keqpërdorimet në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim duket të kenë qenë jo të vogla. Madje, vetë Sasha Rasic, në një intervistë për Express, në kohën kur e kishte marrë postin e ministrit, e kishte pranuar një fakt të tillë.

Ai kishte deklaruar se nuk ishte fare i kënaqur me punën e ish-ministrave që kishin udhëhequr këtë dikaster, megjithatë nuk kishte pranuar të thotë diç më specifike.

I pyetur në atë kohë nga Expressi se çfarë mendon për tre ish-ministrat që kanë drejtuar Ministrinë, Rasic ishte shprehur shkurt: “Sinqerisht, nuk kam qenë i kënaqur me gjendjen të cilën e kam gjetur në Ministri, mirëpo nuk do ta komentoj. Ua lë organeve të tjera këtë punë”.

Tash, “organet e tjera” vërtet e kanë marrë në dorë këtë punë. Sipas EULEX’it, një ekip i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe i Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit, përveç Ministrisë, ka kryer bastisje edhe në një kompani të quajtur ‘Fimex’ në Prishtinë, si dhe në dy adresa private.

Por, në këtë kompani e cila ndodhet afër Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Expressi të martën nuk gjeti askënd. Dera ishte e mbyllur me dry.

Burime të gazetës thonë se ekziston dyshimi se keqpërdorimet e tenderëve janë bërë pikërisht nga kjo kompani, e cila është marrë me punë nga më të ndryshmet - prej ilaçeve, e deri te rrugët e asfalti.

“Gjatë bastisjes, janë konfiskuar materiale. Akuzat në këtë rast kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës- përvetësim, marrje dhe dhënie të mitos”, thuhet në njoftimin zyrtar të EULEX-it.

Bastisjet e autorizuara nga një gjykatës i EULEX-it i procedurës paraprake, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, janë ndjekur nga afër prej një prokurori special të këtij misioni, i pranishëm në vendngjarje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›