E Diel, 1 Nëntor 2026

E pamundur

Banka Botërore zhbën politikat e qeverisë për barazimin e pensioneve fshat-qytet: "Pasoja të rënda në kurriz të pjesës tjetër të ekonomisë. Shkaktohet rrënim i politikave financiare"

Duket se ekspertët e Bankës Botërore janë mjaft skeptikë në politikat e qeverisë për barazimin e pensionit të fshatit me atë të qytetit. Sipas Bankës Botërore, rruga që po ndjek qeveria jo vetëm që është e gabuar, por nuk është me vend të barazohen nivelet e pensioneve mes fshatit dhe qytetit. Raporti i Bankës Botërore argumenton fillimisht, se pensionistët ruralë dhe urbanë mund të kenë nevoja të ndryshme dhe dhënia e pensioneve shumë më të larta në krahasim me pagat për të cilat ata kanë kontribuar dhe kanë paguar vetëm 15 për qind të kontributeve, sjell mbikompensim për pensionistët e fshatit. Por e gjitha kjo do të jetë në kurriz të të gjithë pjesës tjetër të ekonomisë. Banka Botërore argumenton se shkaku i rritjeve të larta të pensionit mbetet realizimi i prioritetit të qeverisë për barazimin e masës së pensionit minimal të fshatit me atë minimal të qytetit deri në vitin 2012. Sipas Bankës Botërore, edhe pse gjatë këtyre dy viteve edhe pensionet e fshatit kanë pasur rritjen më të lartë në shifrat 15 për qind në vit, një rritje kjo shumë herë më e lartë se ajo e pensioneve të qytetit, por edhe inflacionit, ky model sjell përfitime të njëjta. Pra, edhe pse qeveria ka rritur më shumë pensionet e fshatit, përfitimi mbetet i njëjtë. Ndërkaq, ekspertët e Bankës Botërore pohojnë  se edhe pse kjo politikë mund të jetë e qëndrueshme nga ana fiskale, ajo ka rënie të përfitimeve dhe është e papërballueshme. Për përmirësimin e kësaj situate rekomandohet që përfitimet duhet të ishin shumë herë më të mira në rast se do të kryhej indeksimi për pagën. Kjo do të sjellë që përfitimet e pensionistëve të qytetit të mbeten tek afërsisht 40 për qind e nivelit të pagës mesatare. Nga ana tjetër, përfitimet për pensionistët e fshatit do të ishin shumë herë më të larta, sërish bazuar me prioritetin e qeverisë për barazimin e pensionit të fshatit me të qytetit. Skema aktuale, rënie të përfitimit të pensioneve Banka Botërore ka kritikuar sistemin aktual të sigurimeve shoqërore, duke i përmbledhur këto probleme me një mbulesë të pamjaftueshme të të moshuarve, si dhe me rënie të përfitimeve. Banka Botërore ngre alarmin, se politika aktuale e pensioneve nuk është efikase, ku pensionistët sërish do të mbeten të varfër. Studimi i Bankës Botërore përmbledh si probleme të sistemit aktual të sigurimeve, ashtu edhe mbulesën e pamjaftueshme të të moshuarve, ku me këtë skemë në të ardhmen 40 për qind e të moshuarve nuk përfitojnë nga sistemi. Po ashtu, nga lidhja që i bëhet pensionit maksimal me inflacionin do të ketë rënie të përfitimeve. Pra, sipas Bankës Botërore, politika që po ndjek qeveria për indeksimin e pensioneve rezulton me rënie të ndjeshme të përfitimeve. Po ashtu, kjo skemë mund të kthehet politikisht e papërballueshme. Kjo argumentohet me faktin, që përfitimet për pensionistët e qytetit vazhdojnë të bien, me përjashtim të dy viteve të para, viti 2005-2006, ku pensionet u ritën shumë herë më lart se inflacioni. Sipas Bankës Botërore, rritja e pensioneve në lidhje me inflacionin është një praktikë e cila zbatohet edhe në vende të tjera, por tek ne kjo shoqërohet me rënie të ndjeshme të përfitimeve. Kjo vjen si rezultat, pasi sipas legjislacionit shqiptar jo vetëm pensionet që paguhen aktualisht, por edhe pensioni minimal rritet me inflacionin. Duke e lidhur pensionin maksimal me pensionin minimal, përfundon duke rritur edhe pensionin maksimal me inflacionin. Pra, në këtë mënyrë, me rritjen e pagave në ekonomi, në përgjithësi pensionet edhe për ata pensionistë që sapo kanë dalë në pension edhe tek ata që kanë dalë në pension 20 vjet më parë, kufizohen në terma të njëjtë, duke çuar kështu në nivele të ulëta të përfitimeve mesatare. Pra, sipas Bankës Botërore, kjo politikë që po ndiqet nga qeveria nuk është aspak e qëndrueshme, pasi nuk zbusin varfërinë dhe nuk shërbejnë si mekanizëm për zbutjen e shpenzimeve nga rritja e çmimeve. “Mbajtja e këtij niveli konstant edhe me rritjen e pagave do të eliminojë varfërinë absolute midis të moshuarve, ndonëse pensionistët sërish do të mbeten të varfër në krahasim me personat që punojnë”, thuhet shprehimisht në raportin e Bankës Botërore, duke shtuar se zbutja e varfërisë nuk mund të arrihet në një kuadër të tillë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›