E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkupi nuk tërhiqet

Zyrtaret maqedonas nuk heqin dore nga e tyrja. Asnje leshim pavaresisht ofertave te ndermjetesuesit nderkombetar

Përfundoi dje pa asnjë rezultat konkret takimi mes përfaqësuesve maqedonas dhe ndërmjetësit të OKB-së lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë. Pas takimit në kryeqytetin maqedonas, i dërguari i posaçëm i OKB-së, Metju Nimic, theksoi se nuk ka ndryshim të pozicioneve mes Athinës dhe Shkupit për mosmarrëveshjen lidhur me emrin. “Nuk kam sjellë asnjë propozim apo rekomandim të ri për çështjen e emrit. Athina dhe Shkupi kanë vërejtje serioze rreth propozimit tim të 19 shkurtit. Mendoj se ka hapësirë për të gjetur zgjidhje, por nuk mund të them se sa do të zgjasë kjo”, theksoi Nimic pas takimit dyorësh me krerët shtetërorë të Maqedonisë. Ai tha se inkurajon të dyja palët që të kontribuojnë për zgjidhje të përbashkët. “Nuk ka ndryshim të pozicioneve nga të dyja palët. Unë gjithashtu do t’i mbështes qëllimet e tyre për realizimin e hapave të duhur nga të dyja anët për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme”, vazhdoi Nimic. Diplomati amerikan menjëherë udhëtoi për në Selanik, për të realizuar takimin e radhës me kryenegociatorin grek, Adamandios Vasilakis. Në takimin me Nimic morën pjesë presidenti Branko Cërvenkovski, kryeministri Nikolla Gruevski, shefi i diplomacisë, Antonio Milloshovski dhe kryenegociatori i palës maqedonase, Nikola Dimitrov. Nisma e re e Nimicit vjen pas raundit të fundit të pasuksesshëm të negociatave maqedono-greke në Nju Jork fundjavën e kaluar, ndërsa para takimit të  nesërm të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilën duhet të definohet nëse Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në Samitin e prillit të Aleancës në Bukuresht. Athina kërcënon hapur se do ta bllokojë pranimin e Maqedonisë në NATO, nëse deri në samit nuk gjendet zgjidhje reciproke e pranueshme. Shkupi zyrtar, megjithatë, konsideron se Maqedonia i ka plotësuar të gjithë kriteret për hyrje në NATO dhe për këtë shkak pret ftesë për inkuadrim, ndërsa kontesti për emrin është çështje bilaterale dhe vendosja e saj si kusht për anëtarësim do të ishte precedent që do ta dëmtonte jo vetëm Maqedoninë, por edhe rajonin dhe vetë aleancën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›