Dialogu Kosovë-Serbi, Cooper këtë javë në Prishtinë

Pas anullimit të vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar për shkak të bllokimit të rrugëve nga dëbora e dendur, Robert Cooper do të mbërrijë në Prishtinë këtë javë.
Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper, është ftuar nga kryenegociatorja, Edita Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri insiston që Cooper t`i bëjë presion Serbisë, ndërkohë që do të kërkojë që Serbia të heqë dorë nga kërkesa për përfaqësimin e Kosovës në rajon nën Rezolutën 1244.
Ndërmjetësi Robert Cooper udhëtoi pak ditë më parë drejt Beogradit ku u takua me udhëheqësin e delegacionit serb në bisedimet teknike Borisllav Stefanoviç.
Stefanoviç dhe Cooper biseduan rreth çështjes së përfaqësimit rajonal të Kosovës dhe rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun Beograd-Prishtinë.
Sipas një deklaratë zyrtare kryenegociatori serb Stefanoviçit mësohet se i ka propozuar ndërmjetësit evropian disa propozime për përfaqësimin rajonal të Kosovës, që, sipas tij, janë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.
Diplomatët evropianë kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut dhe zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Kosovës janë çështje të rëndësishme për integrimin në BE të Serbisë.