Dialogu Kosovë-Serbi, Hoxhaj: Do shërbejë për njohjet

Ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj konsideron se dialogu politik i nisur në Bruksel do ta shtyjë Spanjën, Greqinë, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë që të njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, nuk ka arsye që kjo të mos ndodhë, kur të normalizohen raportet Prishtinë-Beograd, që është dhe synim i dialogut të nisur.
Qeveria në Prishtinë po pret që dialogu politik i nisur me Serbinë dhe normalizimi i raporteve me palën serbe të ndikojë në ndryshimin e qëndrimit të pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por, analistë nuk presin që Sllovakia, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Spanja të lëvizin drejt njohjes së shtetit të Kosovës, për aq kohë sa Serbia vazhdon ta mohojë ekzistencën e shtetit kosovar. Megjithëkëtë, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka thënë se dialogu përveç qëllimit që ka për normalizimin e raporteve me Serbinë, do të ndikojë edhe të vendet e BE-së që ta njohin Kosovën. Ai thotë se pesë vendet e BE-së e shohin me pozitivitet përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi.