Flet deputeti i Partisë Demokratike, Selami Xhepa

“Marrja e statusit kandidat për Shqipërinë do të rrisë nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe cilësinë e prodhimeve shqiptare”
Marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë do të rriste përfitimet ekonomike të vendit tonë. Gama e sektorëve që do të financohen me fondet e BE-së do të zgjerohet, por Shqipëria duhet të plotësojë më parë standardet e BE-së në të gjithë fushat. Selami Xhepa deputet i PD-së në prononcim për shtyp theksoi rëndësinë që ka marrja e statusit dhe përfitimet ekonomike që lindin prej tij. “Mendoj që marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja zyrtarisht e negociatave të Shqipërisë është një ngjarje me shumë rëndësi në jetën politike, ekonomike e sociale të vendit dhe në këtë rrugë që për Shqipërinë është relativisht e vështirë, sigurisht që do të ketë një asistim nga BE, qoftë me financime, qoftë duke e kualifikuar Shqipërinë për të aplikuar në projekte komunitare”, theksoi Xhepa. Marrja e statusit të vendit Kandidat për Shqipërinë, pritet të rrisë nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe njëherësh edhe cilësisë së prodhimeve shqiptare.
Ndërsa plotësimi i standardeve që kërkohet në gjithë sektorët e ekonomisë, në tregun e mallrave, në tregun e produkteve, në atë të shërbimeve financiare dhe jo vetëm deputeti i PD Xhepa nënvizon se përfitimi themelor është një përfitim strategjik dhe përfitimi themelor qëndron në detyrimin dhe angazhimin që merr Shqipëria për të ndërtuar BE-në brenda territorit të saj. “Nqs deri tani me instrumentin e para aderimit Shqipëria kualifikohej për pjesëmarrje në tri projekte, tani do të jetë e kualifikuar për të gjitha projektet e BE-së, që do të thotë se përveç përfitimeve që kemi patur deri tani, Shqipëria do të aplikojë dhe përfitojë fonde për zhvillimin rural, pra për bujqësinë, për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe njëkohësisht edhe nga fondet e kohezionit social. Përfitimi themelor, për mendimin tim është një përfitim strategjik dhe përfitimi themelor qëndron në detyrimin dhe angazhimin që merr Shqipëria për të ndërtuar BE-në brenda territorit të saj, pra, për të vendosur të njëjtat standarde me të cilat rregullohet jeta politike, ekonomike e sociale në BE”, theksoi ai.
Sipas tij, plotësim i standardeve do të thotë, krijimi i “BE” brenda territorit shqiptar.
“Ne jemi të detyruar që të respektojmë standardet e BE-së edhe për tregtimin e brendshëm, pra të njëjtat standarde që kemi për eksportin e produkteve tona apo edhe shërbimeve të BE, tani do të jemi të detyruar t’i respektojmë edhe për tregun tonë të brendshëm”, u shpreh deputeti i PD-së.
Shqipëria aktualisht realizohen rreth 63 për qind të tregtisë së jashtme me vendet e BE-së. Marrja e statusit të vendit Kandidat për Shqipërinë, pritet të rrisë nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe njëherësh edhe cilësisë së prodhimeve shqiptare.