Dialogu Kosovë-Serbi, sot pritet të rinisin bisedimet

Pavarësisht se ende nuk ka një zgjidhje për pikat kufitare në veri të Kosovës, sot pritet që në Bruksel të rinisin bisedimet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë.Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendës/kryeministrja Edita Tahiri të dielën ka udhëtuar drejt Brukselit për të marrë pjesë në raundin e shtatë të dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit.
Në këtë raund të dialogut, do të bisedohet për problemin e mos zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë si dhe për çështjet për të cilat prej kohësh po diskutohet, siç janë çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimi rajonal. Gjithashtu pritet të shtrohet çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes dy vendeve.
Sipas zyrtarve të qeverisë së Prishtinës kjo e fundit tashmë ka krijuar epërsi në dialog në raport me palën e Serbisë për faktin se Komisioni Evropian zyrtarisht ka vlerësuar rolin konstruktiv të Kosovës në dialog, përderisa ka kritikuar Serbinë për mos zbatimin e marrëveshjeve si dhe ka kërkuar nga ajo përmbushjen e obligimeve nga dialogu dhe arritjen e marrëveshjeve të reja me Kosovën.
Gjithashtu sipas mediave serbe sot pritet të diskutohet edhe përn johjen e diplomave të fakultetit dhe paraqitja e Prishtinës zyrtare në konferencat dhe mbledhjet rajonale.
Sipas tyre, shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanoviç, ka deklaruar më herët se pala serbe do të jetë e gatshme të bisedojë për kalimet kufitare, por çdo zgjidhje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 1244 dhe me 6 pikat e paraqitura nga sekretari i përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon.
"Prishtina insiston që ky të jetë kufi shtetëror, të vendosë flamurin, që të mos lejojë të lëvizin automjetet me targa serbe, dhe këto për ne janë të papranueshme”, ka thënë Stefanoviç, duke komentuar deklaratën e Hashim Thaçit se administrimi i integruar i kufijve do të thotë se Beogradi njeh kufijtë dhe institucionet e Kosovës.
Stefanoviç ka thënë se Beogradi do të insistojë që pikat e kalimit kufitar t`i shohë si linja administrative, të cilat nuk mund të kenë elemente shtetërore.