E Diel, 1 Nëntor 2026

Liderët botërorë urojnë Presidentin, Barack Obama. Mesazh urimi edhe nga Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Sali Berisha

07-11-2012 / Gazeta 55

Personalitete të shumtë botërorë kanë uruar presidentin e rizgjedhur të SHBA-ve, Barack Obama. Menjëherë pas konfirmimit të lajmit për një fitore të dytë të Obamës kanë nisur mesazhet e urimit për presidentin. Pjesë e këtyre urimeve kanë qenë dhe mesazhet e ardhura nga krerët e lartë të shtetit shqiptar. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Nishani kanë përshëndetur rizgjedhjen e Obamës, ndërsa i kanë cilësuar zgjedhjet në SHBA si leksion për demokracinë.

Nishani: Zgjedhjet leksion për demokracinë
Presidenti, Bujar Nishani ka vlerësuar maksimalisht si zhvillimin e zgjedhjeve në SHBA, ashtu dhe rizgjedhjen e Obamës. Sipas tij, zgjedhjet në SHBA janë një leksion demokracie për të gjithë shtetet e botës dhe padyshim edhe për Shqipërinë,  e cila pret që të ketë zgjedhjet vitin tjetër.
“Mesazhi më i madh është ajo që dhanë dy kandidatët të cilët e ngritën fushatën e tyre mbi bazën e projekteve dhe platformave dhe i konsiderojnë ato në interes të popullit amerikan. Ky është mesazhi më mirë që vjen për Shqipërinë”, vuri në dukje Nishani. Njëkohësisht, Presidenti Nishani vlerësoi dhe traditën e urimit nga ana e atij që ka humbur garën për kandidatin fitues.
“Filozofia e garës së demokracisë ka për qëllim implementin e projekteve në interes të zhvillimit të vendit dhe politikave”- deklaroi kreu i shtetit. 

Berisha: Obama u votua për vizionin që ofron në mandatin e ri
“Qytetarët e Shteteve të Bashkuara nuk e votuan presidentin e tyre për ato që ka bërë gjatë katër viteve. Zgjedhësit nuk të votojnë për ato që ke bërë, por të votojnë për vizionin që ofron në mandatin e ri”. Kështu u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Qeverisë, duke vlerësuar rizgjedhjen e Barack Obamës President të SHBA-ve. “Kryefjala e mbledhjes së qeverisë është urimi më i përzemërt për Presidentin Barack Obama, me rastin e rizgjedhjes së tij në postim më të rëndësishëm të rruzullit tokësor, postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte një rizgjedhje plotësisht e merituar. Presidenti Barack Obama udhëhoqi Shtetet e Bashkuara dhe botën në kohën më të vështirë të tyre, pas Luftës së Dytë Botërore. Nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara përballuan me sukses krizën më të thellë në histori, pas viteve ’30 të shekullit të kaluar dhe u shndërrua në një faktor udhëheqës e shprese në kapërcimin me sukses të kësaj krize në botë. Nën udhëheqjen e mençur e të vendosur të Presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, në mënyrë të padiskutueshme, paqja e stabiliteti botëror njohu dimensione të reja. Iraku, sot, është një vend tjetër nga ai që ishte katër vjet më parë. Po kështu, Afganistani ka një perspektivë të qartë. Pranvera Arabe, edhe ajo është një sukses i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, në promovimin  paqes, demokracisë e stabilitetit. Bota është më e sigurt pa kryeterroristin Bin Laden. E vërteta është se katër vitet e para të Presidentit Obama kanë qenë vitet e dialogut më intensiv ndërkombëtar, dialog që i ka shërbyer trajtimit të problemeve madhore të kohës, në interesin më të mirë të qytetarëve të planetit. Natyrisht, qytetarët e Shteteve të Bashkuara nuk e votuan presidentin e tyre për ato që ka bërë gjatë katër viteve. Zgjedhësit nuk të votojnë për ato që ke bërë, por të votojnë për vizionin që ofron në mandatin e ri. Por ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Midis ndryshimit të premtuar në letër dhe ndryshimit operativ, të gjatë, në çdo vend e skaj të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe në botë, qytetarët zgjodhën vazhdimin e ndryshimit me Presidentin Obama, si ndryshimi më i prekshëm, më i besueshëm dhe më i sigurt. Në zgjedhjen e tij, nuk mund të mohohet se një ndikim ka pasur edhe elektorati botëror, i cili në të gjitha sondazhet dilte se votonte për Presidentin Obama. Kjo botë është e lidhur me mijëra e miliona fije. Nuk duhet harruar se edhe këto sondazhe kanë pasur ndikimin pozitiv tek zgjedhësi amerikanë, pasi ata kishin një president të admiruar e të respektuar nga mbarë popujt e botës në tërësi dhe në veçanti, nga shqiptarët, të cilët i janë shumë mirënjohës për mbështetjen e ndjenjat e tij thellësisht miqësore, që u dëshmuan së fundi edhe me vizitën historike të Sekretares së Shtetit Clinton. Një ngjarje kjo, kulmore në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje të cilën shqiptarët e përjetuan me gëzim dhe mirënjohje të madhe. Unë shfrytëzoj rastin edhe një herë që në emër të qeverisë t’i përcjell Presidenti Obama urimet më të përzemërta, si dhe vendosmërinë e qeverisë sime për një bashkëpunim të ngushët e të gjithanshëm me aleatin e mikun më të madh e më strategjik të shqiptarëve. T’i shpreh gjithashtu, mirënjohjen, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend mik e Presidenti Obama i kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve dhe t’i garantoj se në çdo rrethanë, ne do të përpiqemi që në proporcion e në modesti të japim kontributin tonë, përkrah vendit e kombit të madh amerikan”- tha kryeministri Berisha.

Urimet e liderëve botërorë
Kryeministri britanik, David Cameron ka qenë ndër udhëheqësit e parë ndërkombëtarë që ka mirëpritur rizgjedhjen e Presidentit amerikan Barack Obama për një mandat të dytë katërvjeçar. Ai e përshkroi Obamën në “Twitter”, si një “mik” dhe tha se ai mezi pret që të “vazhdojnë të punojnë së bashku”. Në Bruksel, Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, tha nëpërmjet ‘Twitter’ se ai është “shumë i lumtur” për rizgjedhjen e Obamës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka shprehur  “urime të ngrohta”, duke përgëzuar atë që ai e quajti  “udhëheqje të shquar” të Obamës në ruajtjen e marrëdhënieve euroatlantike.
Në Moskë, ligjvënësit në Dumën Shtetërore të Rusisë gjithashtu përshëndetën fitoren e Obamës ndaj sfiduesit republikanë Mitt Romney, duke e quajtur rezultatin si “alternativë më të mirë” për Rusinë. Ligjvënësit thonë se shpresojnë që udhëheqësi amerikan do të vazhdojë “rivendosjen” e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit.
Presidenti rus Vladimir Putin ka mirëpritur rizgjedhjen e Barack Obamës si president i SHBA-së duke e cilësuar si një “hap shumë pozitiv”. “Shpresojmë se bashkëpunimi biletaral si dhe puna në rrafshin ndërkombëtar do të vazhdojë dhe do t’i kontribuojë paqes”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Kryeministri Dmitry Medvedev e ka lavdëruar Obamën si një partner “të kuptueshëm dhe të besueshëm”.
Presidenti izraelit Shimon Peres uroi presidentin Obama për rizgjedhjen duke thënë se Obama do të mbaje premtimet për të kontrolluar programin bërthamor te Iranit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka uruar presidentin, duke nënvizuar bashkepunimin SHBA-Gjermani. Ajo ka ftuar Obamën për një vizitë në Gjermani.
“Me Obamën, një Amerikë e hapur dhe solide”, me këtë mënyrë e ka vlerësuar presidenti francez, Fransua Hollande, Obamën, duke iu përcjellë atij urimet më të mira.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›