E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon në janar

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, dialogu mund të vazhdojë në pjesën e parë të janarit të vitit 2012, njoftojnë burime qeveritare për “Zërin. Kjo nuk është konfirmuar nga zyrtarët e BE-së, të cilët kanë thënë se data për vazhdimin e dialogut ende po diskutohet.

Deri atëherë, megjithatë palët në dialog dhe Brukseli kanë halle të tjera më të mëdha që nisin nga arritja e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, ku duket se po harxhohet energjia më e madhe e deri të implementimi i marrëveshjeve tashmë të arritura.

Kësaj i shtohet edhe pritja e rezultatit të takimit të 9 dhjetorit në Bruksel të shefave të shteteve anëtare, kur do të publikoet edhe vendimi nëse Serbia do të marrë statusin e kandidatit dhe nëse Kosovës i hapet drita jeshile për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale dhe për tregtinë e lirë me BE-në.
Në fakt, një nga shqetësimet kryesore të shefes së delegacionit kosovar në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, është mosimplementimi i shumicës së marrëveshjeve që tashmë janë arritur me shtetin fqinj. “Kam frikën se vetëm po prodhojmë letra dhe asgjë nuk po zbatohet”, është dëgjuar t`i thotë në raundin e fundit Tahiri homologut të saj nga Beogradi, Borko Stefanoviç.

Tahiri i ka thënë “Zërit” të mërkurën se ajo ka kërkuar që dhënia e statusit të kandidatit Serbisë t`i kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjeve. Mirëpo të paktën në njërën prej marrëveshjeve, Bashkimi Evropian ka besimin se nga 26 dhjetori do të nisë zbatimi i qarkullimit të lirë për të dyja palët.
Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Baroneshës Catherinë Ashton e kontaktuar nga “Zëri” e ka konfirmuar atë që është thënë ditë më parë nga Brukseli se “pritjet janë që implementimi i plotë i marrëveshjes për liri të lëvizjes të arrihet nga 26 dhjetori, diçka që do rezultonte më mundësi të lirë qarkullimi për të gjithë”.
Brukseli tashmë e ka bërë të ditur se palët, në pajtim edhe me marrëveshjen për regjistrin civil, kanë filluar kopjimin e dokumenteve nga pesë dhjetori. Brukseli duket se nuk ka hequr dorë që para datës 9 dhjetor, Prishtina e Beogradi të merren vesh patjetër edhe për pjesën e dështuar të raundit të tetë të dialogut që përfundoi javën e kaluar, “bashkëpunimi rajonal”.

Ndonëse delegacionet janë kthyer në vendet e tyre, dialogu ka vazhduar ndarazi përmes lidhjeve direkte mes Brukselit e dy kryeqyteteve, Prishtinë e Beograd, duke u përpjekur që palët të pajtohen edhe për mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës në takime rajonale.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, i ka thënë “Zërit” se dje ka pasur një bisedë me z. Cooper, ku është diskutuar vazhdimi i përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje apo marrëveshje për bashkëpunimet rajonale. “Ne kemi paraqitur pozicionin tonë, se Kosova duhet të përfaqësohet në mënyrë të barabartë, me të gjitha mekanizmat e shtetit të saj dhe kemi kundërshtuar pozicionin e Serbisë, e cila po insiston që Rezoluta 1244 të përmendet kur Kosova merr pjesë në takimet rajonale” ka theksuar Tahiri.

Komunikimin me Cooper për këtë temë e ka konfirmuar edhe Borko Stefanoviç, i cili sipas mediave serbe ka thënë që pala serbe do të bëjë çdo që është e mundshme për të arritur marrëveshje për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet ndërkombëtare.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›