E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga, Serbisë: Hiqni dorë nga pretendimet territoriale

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në adresimin e saj para deputetëve të Kuvendit i bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë që të heqin dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, dhe po ashtu të heqin dorë nga përkrahja e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Në fjalimin vjetor para deputetëve të Kosovës, Jahjaga ia bëri të qartë Serbisë se periudhat e hegjemonisë në Ballkan kanë përfunduar, ndërsa shteti i Kosovës është i vendosur për ligj në veri të Kosovës. Sipas saj, zbatimi i planit të Ahtisaarit nuk ka alternativ tjetër dhe ai nuk mund të modifikohet.

Duke përshëndetur fillimin e heqjes së barrikadave, presidentja Jahjaga iu drejtua qytetarëve serb të Kosovës, duke thënë se kanë të drejta të barabarta, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se Kosova është atdhe i të gjithëve.

Ajo paralajmëroi se në javët në vijim do të vizitojë vendbanimet në Kosovë dhe komunat e krijuar me decentralizim.

Presidentja e Kosovës, më tej vlerësoi se vendi ndodhet në një moment të tillë që kërkon angazhim të të gjithëve, veprim, pasi nuk ka më kohë për të humbur.

Ajo theksoi se qartësimi i rrugës evropiane është i domosdoshëm, është interes jo vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit dhe BE-së. “Ne nuk shohim rrugë tjetër, përveç asaj evropiane”, tha ndër të tjera Jahjaga.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ajo tha se paraqet rrugën e vetme dhe mënyrën më të mirë për t`i normalizuar marrëdhëniet si dy shtete të pavarura e sovrane.

Ajo vlerësoi se nuk duhet shmangur dialogut, por sipas saj dialogu transparent dhe llogaridhënia para qytetarëve do të jetë garant i suksesit të këtij procesi dhe secila marrëveshje e arritur ndërmjet dy shteteve duhet të garantohet fuqishëm nga BE.

Në fjalimin e saj, presidentja Jahjaga potencoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, integriteti territorial është i paprekshëm dhe për këtë tha ekziston mbështetja e fuqishme ndërkombëtare.

Ajo tha se vendi është i bashkuar për veprim kur është në pyetje forcimi i shtetit edhe pse rruga sipas saj nuk është e lehtë.

Duke iu drejtuar qytetarëve të vendit, presidentja tha se kanë pritur për mundësi të zhvillimit ekonomik, për të zënë vend në mesin e kombeve të lira, për arsim bashkëkohor etj.

Presidentja në fjalimin para deputetëve të Kosovës përmendi edhe një mori çështjesh, si atë të imazhit të vendit, problemit të korrupsionit e krimit të organizuar, domosdoshmërisë për reforma ekonomike, politike e shoqërore, etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›